Statusi në qershor/ Plenkoviç: Konsolidim reformash dhe konsensus politik

19 Prill 2014, 15:03Politika TEMA

Konsensus politik dhe konsolidim të reformave. Këto janë dy këshillat që i drejtohen klasës politike shqiptare nga eurodeputeti kroat Andrej Plenkoviç dy muaj përpara dhënies së vendimin për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë. E ndërsa shpreh mbështetjen e Parlamentit Europian për ti dhënë statusin Shqipërisë në muajin qershor, Plenkoviç e konsideron si shumë të rëndësishëm hedhjen e këtij hapi.

Ne presim vendim të rëndësishëm për Shqipërinë në qershor. Na erdhi keq që ky vendim nuk u mor në dhjetor. Është shumë e rëndësishme që Shqipëia të hedhë tashmë këtë hap. Duhet të kuptojmë, se bëhet fjalë për konsolidimin e reformave të nevojshme në vend dhe për forcimin e konsensusit politik, që është i domosdoshëm në Shqipëri. Si një anëtar i delegacionit të Europës Juglindore, pata privilegjin që të flisja me kolegët shqiptarë gjatë takimit në Strasburg. E vlerësoj faktin, që Partia Demokratike nxit qeverinë shqiptare për të marrë vendime në drejtimin e duhur”, theksoi europarlamentari kroat në një intervistë për ABC News.

Një problem tjetër që e ka shqetësuar Parlamentin Europian, është dhe ai i ligjit për nëpunësin civil dhe politizimit të administratës publike në Shqipëri. Në këtë kuadër, Plenkovic thekson se kur vjen një parti tjetër në pushtet, nuk duhet ndryshuar e gjithë administrata, që të paktën të mund të evidentojmë, se në çfarë niveli janë ruajtur ekspertët, pra cilët janë personat që mund të mbajnë peshën e reformave të integrimit dhe cila pjesë e administratës është politike.

Pas dështimit për arritjen e një deklarate të përbashkët në takimin e shtatë ndërparlamentar të stabilizim asocimit BE-Shqipëri, Shqipëria humb një tjetër shans të mirë për ti treguar Brukselit, se nuk ka hije dyshimi për përgatitjen e klasës politike lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat. Një ditë më parë europarlamentari Kukan duke iu referuar dështimit të deklaratës theksoi se fakti që nuk ka marrëveshje do ta dëmtojë shumë Shqipërinë, sepse në Këshillin e qershorit do të diskutohet sërish për statusin kandidat. Në Këshillin e fundit u vlerësuan tendencat pozitive që vinin nga vendi, kultura politike e dialogu ekzistonin aty, por Këshilli donte të nënkuptonte që këto qëndrime kishin jetëgjatësi, e nëse do të arrihej deri në rezultate. Kjo ishte mundësia e artë për të treguar se nuk vijonte tendenca afatshkurtër. Për fat të keq, Komisioni do të shkruajë se nuk pati marrëveshje, nuk u arrit kompromis politik, pra nuk e di se ç’rezultat do të sjellë kjo në Këshill. Unë mendoj se, politikisht, ju humbët një shans shumë të mirë për të treguar se situata në Shqipëri ka ndryshuar për mirë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje