Nga kopshtar në shef i Lacios, Igli Tare do pankinën kuqezi

25 Prill 2014, 13:59Sport TEMA

Igli Tare del hapur tashmë dhe shpreson që një ditë të ulet në stolin e Kombëtares shqiptare. Ish-kapiteni kuqezi, i cili aktualisht është drejtor sportiv i Lacios, shpreson që me të në krye Shqipëria të mund të kualifikohet në një kompeticion të rëndësishëm ndërkombëtar. Tare, në një intervistë në emisionin “Kontrata” në “Agon Channel”, ka rrëfyer edhe disa detaje pikante nga e kaluara e tij si futbollist. “Në fillimet e mia kam punuar edhe si kopshtar në Gjermani”, thotë ndër të tjera ish-sulmuesi i Breshias, Bolonjës dhe Lacios…

Ke shkuar në Gjermani me një vizë çeke, të është dashur të bësh çdolloj pune…

Kam jetuar në një shtëpi azilantësh. Kërkova azil dhe më pas pata mundësi të afrohesha pranë një skuadre të Kategorisë së Tretë, ku më dhanë mundësi të punoja si kopshtar për afro 6 muaj…

Cili ka qenë momenti më i vështirë ose zgjedhja më e vështirë që ka dashur më shumë proces për t’u menduar?

Nga ana profesionale ka qenë largimi nga Fortuna Dyseldorfi drejt Kaizerslauternit. Ai ka qenë momenti më i vështirë i jetës sime, sepse Fortuna Dyseldorf ka qenë periudha më e bukur e jetës sime në aspektin profesional dhe personal. Në atë moment kam bërë një zgjedhje për profesion, jo për atë që unë ndieja brenda vetes sime. Nëse qofte se kisha një dëshire timen të përhershme, ajo ka qenë që ta mbaroja karrierën time me Fortuna Dyseldorf, sepse ka qenë klubi që kam dashur më shumë gjatë gjithë karrierës sime.

Cili është kundërshtari më i fortë, kolegu më i mirë?

Në Gjermani kam pasur fatin të luaj me Juri Zhorkaef, ndërsa në Itali me Roberto Baxhon dhe Guardiolën, dy shokët e mi të skuadrës që i kam pasur te Breshia. Nga ata kam mësuar shumë…

A e mendoje se do të ishe shumë i zoti si drejtor sportiv apo e vlerësoje si një profesion për perspektivën?

Në hapat e parë e mendoja si një sfidë shumë të madhe. Afrimi im në klubin e Lacios ishte diçka që nuk pranohej nga askush në opinionin italian dhe në opinionin e Lacios. Kjo ndodhte sepse shumë figura të tjera duhet ta meritonin këtë post prej eksperiencës që kishin. Unë nuk kisha asgjë në kurrikulën time dhe duhet t’ia di për nder presidentit të Lacios, Lotitos.

Igli ka dhe një ëndërr në sirtar, e cila po realizohet dhe do bëhet realitet. Bëhet fjalë për akademinë e Lacios, sepse është projekti i parë pilot për këtë gjë…

Brenda një periudhe 3- vjeçare kemi arritur të afrojmë 11 lojtarë të rinj te skuadra e parë e Lacios. Prezantimi i këtij projekti do të bëhet në maj për akademinë e Lacios.

Po një akademi në Shqipëri…?

Një akademi futbolli në Shqipëri është shumë e vështirë. Unë e kam pasur si ide shumë vite më përpara, por kushtet dhe mundësitë që të ofrohen në Shqipëri nuk janë të mjaftueshme për të hapur një projekt të tillë.

Filluat të bëni drejtorin sportiv dhe keni korrur shumë suksese prej 6 vitesh… Keni dhe shpresën të bëheni trajner… A keni menduar të bëheni një ditë trajner i Kombëtares shqiptare?

Nuk mund ta quaj më një sekret, sepse e kam shprehur dhe më përpara. Unë jam vetëm tifoz i një skuadre, dhe kjo është Kombëtarja shqiptare. Ka qenë krenari e madhe që kam luajtur në këtë kombëtare dhe mbaja shiritin e kapitenit të skuadrës, por mbi të gjitha do të kisha dëshirë që një ditë të drejtoja si trajner këtë skuadër.

Kur diskutohej dhe çështja për president të FSHF-së, emri juaj u përmend si rival i presidentit aktual Armand Duka. Mund të ketë qenë një lëvizje taktike për të bërë që Duka të vazhdonte të drejtonte federatën dhe Igli të emërohej trajner i Kombëtares…

Nuk kam pasur asnjëherë ambicie për të qenë president i Federatës. Është krijuar një ide e gabuar. Dëshira ime është dhe mbetet të jem në mbështetje të Kombëtares shqiptare për të realizuar atë ëndërr që kjo skuadër të na prezantojë në një eveniment madhor në arenën ndërkombëtare.

Dua t’i referohem lajmit të këtyre ditëve të fundit… Ndër shumë emrat që përfliteshin, ishte dhe Adnan Januzaj. Shtypi ka shkruar se ti ke bërë një deklaratë të fortë në Facebook, nuk e di në qoftë se është e vërtetë kjo deklarata për Januzajn?

Jo. Unë nuk zotëroj një faqe në Facebook. Nuk është e vërtetë, nuk është deklaratë e imja e bërë për këtë djalë. Unë kam qenë i mendimit që çdokush të bëjë zgjedhjen e tij personale. Personalisht kam pasur emocion të luaja me skuadra të mëdha, por emocionet më të mëdha i kam pasur me Kombëtaren shqiptare. Të veshësh atë fanellë është thjesht një ndjenjë që çdokush duhet ta ketë në shpirtin e tij. Në qoftë se ai do bëjë një zgjedhje tjetër, pra do të luajë për një komb tjetër, unë do ta respektoja zgjedhjen e tij. Duhet pasur parasysh se gjithmonë ai do jetë një pjesë e Shqipërisë, që do të na nderojë dhe prezantojë në skuadra të tjera.

2 komente në “Nga kopshtar në shef i Lacios, Igli Tare do pankinën kuqezi”

  1. Kendveshtrim tjeter says:

    Te kesh ambicje per vendin e Kryetarit te FSHF-se,eshte normale,por ne kushtet kur Kryetari FSHF-se Duka,ka rezultate shume te dobeta,kjo eshte urgjente.
    Nuk flas vetem per gjendjen aktuale,por dhe prespektiva afat mesme eshte e deshtuar.
    Te gjithe ata qe presin rezultate nga Duka dhe De Biazi,shohin endera me sy hapur !

  2. 4999 qelbesira+skypion prezervativin says:

    Shume mbrese lenes ky igli.
    Njerez si ky I duhen politikes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje