Nishani- Meimarakis: BE destinacioni i vetëm për Shqipërinë

27 Prill 2014, 13:37Politika TEMA

Bashkimi Evropian mbetet destinacioni i vetëm për Shqipërinë, një objektiv strategjik që do të arrihet falë rezultateve tona dhe ndihmës së partnerëve tanë, ndër të cilët Greqia zë një vend të rëndësishëm. Kështu u shpreh Presidenti Bujar Nishani gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit grek Vangelis Meimarakis, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Konferencës së XII-të të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane. Ndërsa vlerësoi dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia i ka dhënë Shqipërisë përsa i takon anëtarësimit në NATO dhe liberalizimit të vizave, Kreu i Shtetit e konsideroi si fat faktin që Greqia mban Presidencën e Bashkimit Evropian në një moment kur shqiptarët presim me të drejtë marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin qershor.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën besimin se këto marrëdhënie do të avancojnë si shprehje e vullnetit të dy vendeve dhe popujve tanë, duke shtuar se çështjet dypalëshe duhet të zgjidhen në frymën e mirëkuptimit dhe mirëbesimit reciprok.

Presidenti konsideroi se bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e turizmit, bujqësisë dhe zbatimin e Projektit TAP, mund të përbëjë jo vetëm histori suksesi, por edhe mund të shërbejë si model bashkëpunimi në rajon, ku Greqia ka mundësi të luajë gjithmonë një rol të rëndësishëm. Në këtë kuadër ai përshëndeti edhe hapat e ndërmarra nga Parlamenti grek dhe institucione të tjera të vendit fqinj në lidhje me qasjen ndaj Kosovës, një realitet, që po shërben në stabilitetin dhe qetësimin e rajonit, veçanërisht pas fillimit të bisedimeve me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Kryeparlamentari grek Meimarakis, pasi u dakortësua me vlerësimet e Presidentit, u shpreh se marrja e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në qershor, bazuar në rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian, mbetet gjithashtu një sfidë prioritare edhe për Presidencën Greke, duke vënë në dukje se, me solidaritetin që na karakterizon, mund të avancojmë procesin e integrimit të Shqipërisë dhe rajonit në tërësi dhe t`i kontribuojmë paqes dhe prosperitetit rajonal, në interes të qytetarëve tanë.

Presidenti Nishani dhe Kryeparlamentari Meimarakis shkëmbyen mendime për ecurinë e situatës ekonomiko-financiare në Greqi dhe vlerësuan lart qytetarët dhe institucionet e vendit fqinj për përgjegjshmërinë dhe sakrificat në përballimin e sfidave dhe kapërcimin e situatës së rëndë.

Në lidhje me episodet e rënda, ndodhur së fundi në burgjet greke, të dy bashkëbiseduesit vunë në dukje se këto incidente, sado serioze, nuk duhet dhe nuk mund të cenojnë marrëdhëniet mes vendeve dhe popujve tanë dhe shprehën besimin e plotë në trajtimin e tyre me objektivitet nga institucionet e vendit fqinj dhe se ata do të japin drejtësi.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje