Kur nis të flasë një oligark

2 Maj 2014, 11:03Politika TEMA

Nga Richard Galpin, BBC

Në një skenë që të kujton Luftën e Ftohtë, policia në Vjenë izoloi një rrugë të vogël dhe të qetë në qendër të qytetit. Ishte një natë marsi. Ata rrethuan një biznesmen nga Europa Lindore, ndërsa po dilte nga zyra.

Miliarderi ukrainas, oligarku Dmytro Firtash u dorëzua pa zhurmë dhe shumë shpejt e pa veten në një qeli policie, duke u përballur me mundësinë për ekstradim.

Arrestimi i tij është kërkuar nga FBI.

“Isha i shokuar. Kisha dy ditë që kisha ardhur nga Parisi dhe do fluturoja për në Londër,” i tha Firtash BBC-së, në të parën intervistë me një transmetues ndërkombëtar.

“Ka një proverb rus që thotë se duhet të kesh kujdes nga dy gjëra: pasuria ekstreme dhe burgu”.

Një gjykatë në Vjenë vendosi që ta lirojë me kusht, përkundrejt pagesës prej 125 milionë euro, një rekord në Austri e ndoshta edhe në botë.

Paratë u depozituan dhe Firtash u largua nga qelia me Mercedesin e blinduar.

Edhe pse i ka shpëtuar burgut, ai sërish nuk mund të kthehet në shtëpi, në Ukrainë. Sipas kushteve të lirimit, ai duhet të qëndrojë në Austri.

Tani për tani e kalon kohën në kryeqytetin austriak, duke pritur rezultatin e procedurave të ekstradimit.

Këto ditë, thotë ai, i kalon të ndara në tre pjesë: duke vazhduar që të drejtojë nga Vjena perandorinë gjigande ekonomike në Ukrainë; duke tentuar që të luajë një rol për stabilizimin e vendit të tij, të goditur nga kriza; dhe në fund, duke takuar avokatë dhe këshilltarë, me të cilët diskuton procedurat e ekstradimit.

U takuam në atë zyrë, prej nga e cila doli i shoqëruar nga policia në mars të këtij viti.

Folëm për dy orë dhe u ndërpremë vetëm njëherë, kur dëgjuam disa zhurma të çuditshme, që vinin nga dritarja.

Një nga truprojat e tij hapi dritaren dhe hoqi dy kuti të vogla, që ishin vendosur qëllimisht aty.

Ishin pajisje speciale zhurmimi, që të mos lejonin që intervista jonë të përgjohej.

“Duam të sigurohemi që intervista është vetëm për ty,” bëri shaka një këshilltar.

Është një paranojë e fortë, çka tregon se Firtash tani është duke luftuar betejën e jetës së tij.

Sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, FBI e ka hetuar zotin Firtash për tetë vite, duke kulmuar me ngritjen e akuzave në vitin 2013.

Ai akuzohet se drejton një organizatë kriminale, të përfshirë në ryshfet dhe korrupsion, në përpjekje për të fituar kontrata biznesi të huaja.

Departamenti i Drejtësisë dyshon se të paktën 18.5 milionë dollarë janë transferuar përmes institucioneve financiare amerikane për t’u përdorur si ryshfet.

“Jam krejt i pafajshëm. Nuk kam paguar asnjë ryshfet dhe nuk kam ngritur ndonjë grup krimi të organizuar,” thotë Firtash.

Ai insiston se arrestimi është i paligjshëm dhe se SHBA është furnizuar me informacione të pavërteta nga armiqtë e tij në Ukrainë.

Por Firtash njihet si kontrovers.

Ai është akuzuar për lidhje me mafian e Europës Lindore, një akuzë që e mohon me forcë.

Po ashtu ka pasur shumë pikëpyetje në lidhje me një kompani tregtare, që ai e ka ngritur në bashkëpunim me gjigandin rus të energjisë, Gazprom, për të vepruar si ndërmjetëse në shitjen e gazit në Ukrainë.

Çfarë nuk le asnjë shteg për dyshim është se ai ka lidhje të forta biznesi me Rusinë.

Kjo mund të jetë arsyeja kryesore e arrestimit të tij më 12 mars, thuajse një vit pasi Departamenti i Drejtësisë në SHBA ngriti akuzat ndaj tij.

Arrestimi i tij erdhi pak ditë përpara referendumit në Krime për t’u bashkuar me Rusinë. Tensionet mes Moskës dhe Perëndimit po rriten me shpejtësi në nivelet e Luftës së Ftohtë.

Firtash beson se është një nga viktimat e para të konfliktit Lindje- Perëndim.

“Ka një betejë gjeo-politike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë. SHBA ka nevojë për një armik jashtë vendit që të zgjidhë problemet në shtëpi. Dhe Ukraina rastisi të ishte sheshi i luftimeve,” thotë ai.

Një burim i mirëinformuar në SHBA, i tha BBC se ai beson se Firtash është përzgjedhur për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë, dhe për shkak të mbështetjes ndaj presidentit të rrëzuar, Viktor Yanukovych.

“Ai di shumë gjëra për elitat në Rusi dhe Ukrainë,” tha burimi.

Dhe SHBA do të tentojë të nxjerrë prej tij këto informacione kaq të nevojshme dhe kaq të ndjeshme, në rast se ekstradohet.

“Do ishte gjë e madhe nëse ky njeri flet,” tha burimi.

Lufta e Ftohtë është kthyer.

5 komente në “Kur nis të flasë një oligark”

  1. anduelinda says:

    ehh amerike, amerike.
    Po kete salen ton pse nuk e gozhdon!!!!!????

  2. realist says:

    Sepse Salën, e ka mik…

  3. maloku says:

    Australia ka problem te till me Julian Assange.,Amerika ka problem te till me Edward Snowden.,ndaj organet kompetente din si të analizojn problemin.

  4. sit. bac.k and. relaks says:

    se ce kam nje pershtypje qe do filloje kimio-terapine ky oligarku se shpejti

    1. Be-X says:

      kam degjuar se SALIU ka filluar kemo-terapin ne Dublin, thua a ka nise me na shptu prej duarve ky gjeni?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje