Shqipëria dhe Polonia nënshkruajnë memorandumin e Bashkëpunimit në fushën e Integrimit Europian. Memorandumi u nënshkrua nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, gjatë vizitës në Varshavë, dhe homologu i tij polak Radoslav Sikorski. Ky memorandum lehtëson kontributin e Polonisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Gjithashtu dy ministrat e Jashtëm diskutuan mbi bashkëpunimin dypalësh dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve. Shkëmbimi i vizitave është një moment i rëndësishëm në forcimin e dialogut politik midis dy vendeve dhe vizita e ardhshme e Kryeministrit Tusk në Tiranë do t’i shërbejë më së miri këtij qëllimi, rakorduan dy Ministrat. Ata u shprehen gjithashtu se, bashkëpunimi dypalësh duhet të forcohet edhe në kuadër të diplomacisë parlamentare, në fushën ekonomike dhe atë të shkëmbimeve tregtare.
Ministri Bushati nënvizoi se transformimi i shoqërisë dhe ekonomisë polake përbën në trajektore të suksesshme të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe njëkohësisht shembull per rrugëtimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, ai kërkoi një intensifikim të marrëdhënieve dypalëshe dhe prezencë më të madhe të investimeve polake në fusha të tilla si turizmi, energjia, transporti, bujqësia etj.
Nga ana e tij, ministri Sikorski u shpreh se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat në BE, duke riafirmuar qëndrimin mbështetës të Polonisë ndaj aspiratave evropiane të Shqipërisë. Kreu i diplomacisë polake vlerësoi pozicionimin e qartë të Shqipërisë në rajon, si anëtare e NATO-s, me rol stabilizues dhe në sintoni konstante me qëndrimet e BE-së në politikën e saj të jashtme. Njëkohësisht, ai nënvizoi arritjet dhe reformat e kryera në fushën e shtetit të së drejtës.
Dy ministrat shprehën shqetësim sa i takon ngjarjeve të fundit në Ukrainën Lindore, duke theksuar nevojën për respektim të integritetit territorial dhe duke inkurajuar dialogun mes palëve, në kuadër të zgjedhjeve presidenciale të parashikuara për t’u mbajtur më 25 maj 2014, në përputhje me angazhimet e ndërmarra sipas së drejtës ndërkombëtare.
Gjithashtu, ministrat shkëmbyen vlerësime lidhur me sfidat e NATO-s, që do të diskutohen në Samitin e ardhshëm në Uells, duke ndarë pikëpamjen se Aleanca duhet t’i përgjigjet me vendosmëri sfidave të kohës dhe se bashkëpunimi ushtarak duhet të shoqërohet me instrumentet dhe politikat e nevojshme financiare