Shqipëri- Gjermani, nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit/ Peleshi: Mbështetje për realizimin e prioriteteve

8 Maj 2014, 09:10Ekonomia TEMA

Shqipëria dhe Gjermania nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit, me një fond prej 19 milionë euro grant, të cilat do të përdoren për jetësimin e disa prioriteteve. Marrëveshja për Qeverinë shqiptare u nënshkrua nga zv.Kryeministri Niko Peleshi, ndërsa për palën gjermane nga Ambasadori Helmut Hoffmann. Marrëveshja pritet të ketë një ndikim në reformat ekonomike që do të ndërmarrë Shqipëria dhe ajo është pjesë e raundit të dytë të memorandumit mes dy vendeve.

Zv. Kryeministri Peleshi duke e konsideruar bashkëpunimin midis dy vendeve si mjaft të rëndësishëm, theksoi se Qeveria është e vendosur për të luftuar korrupsionin dhe burokracitë.

“Gjermania është partneri më i madh ekonomik dhe donatori më i madh për Shqipërinë pas BE-së. Në 3 protokollet e fundit është parashikuar një fond prej 200 mln Euro për vendin tonë. Përmes marrëveshjeve parashikohet sigurimi i Kaskadës së Drinit, realizimi i një lidhje interkonjeksioni, sikundër angazhimet në sektorin e infrastrukturës arrijnë në vlerën 102 mln euro, ku KFV është partneri kryesor. Jemi të vendosur të sigurojmë furnizimin me ujë në çdo familje dhe kjo marrëveshje vazhdon bashkëpunimin me Gjermaninë edhe në fushën e menaxhimit të mbetjeve urbane”, tha Peleshi.

Ndërsa ritheksoi mbështetjen e Gjermanisë për integrimin europian të Shqipërisë, Ambasadori Hoffmann u ndal tek bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve. Duke vënë theksin në rëndësinë e vazhdimësisë së projekteve, diplomati gjerman tha se është e nevojshme që të mos ketë ndryshim të herëpashershëm të punonjësve të përfshirë në projekte, pasi kjo shoqërohet me kosto.

 “Për ne është e rëndësishme që partnerët tanë të jenë të gatshëm për të bërë propozime në kuadër të bashkëpunimit. Po kaq i rëndësishëm për ne është garantimi i vazhdimësisë në kuadër të bashkëpunimit dhe realizimit të projekteve. Nëse ne i ri-analizojmë marrëveshjet çdo dy vjet, atëherë kjo ka kosto, pasi na takon të punojmë me njerëz të ndryshëm, që nëse ndryshohen herë pas herë nuk i njohin mirë çështjet. Ne duam të ecim përpara. Realizimi i projekteve është me interes për përmirësimin e jetesës së qytetarëve shqiptarë dhe mbështetjes së Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Theksoj edhe njëherë mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë në integrimin në BE. Deri më tani ne e kemi mbështetur Shqipërinë me më shumë se 1 miliardë euro. Shqipëria ka potencial të madh  dhe ne duam të japim mbështetjen tonë në zhvillimin e mëtejshëm të tij. Në këto vite kemi bashkëpunuar në shumë sektorë, në energji, në mjedis, në ujësjellës kanalizime, etj. Ne do të jemi edhe në të ardhmen një partner i besueshëm i Shqipërisë. Sot po vendosim piketat e reja të këtij bashkëpunimi”, tha ambasadori Hoffmann.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje