A do të transferohet Taulant Xhaka te Fulhem? Është ky titulli i të përditshmes zvicerane “Bild”, e cila bën reale mundësinë e transferimit të futbollistit të kombëtares në radhët e skuadrës londineze, e cila nga sezoni i ardhshëm do të luajë në Championship, pasi u rrëzua këtë vit nga Premier Liga. Sipas medias helvete, Xhaka i njohur ndryshe dhe me nofkën e “Pitbull” mund të jetë blerja e parë e Feliks Magat në merkaton e verës, që kërkon të rikthejë sa më shpejt klubin nga “Craven Cottage” mes më të mirave të futbollit në ishull, raporton Sport News.
23-vjeçari aktualisht aktivizohet në radhët e ekipit të Bazelit ku është një titullar fiks, ndërsa më 2 mars të këtij viti mori dhe ftesën për të qenë pjesë e përfaqësueses kuqezi për ndeshjen miqësore me Maltën, por u zëvendësua në momentet e fundit nga ana e Renato Arapit si pasojë e një dëmtimi. Mesfushori pëlqehet së tepërmi nga ana e trajnerit gjerman, që është gati të paguajë dhe shumën e kërkuar nga zviceranët e Bazel për të pasur shërbimet e tij.