Ngado që ta fillosh shkokolepsjen e teorive të konspiracionit mbi avionin “reformator” të drogës në plazhin e Divjakës, të duhet një dozë e mirë… hashashi për t’u frymëzuar. Fjala vjen, le ta nisim me skenarin që trafiku i drogës me avionë kaçatorë bëhej me bekimin, e madje mbrojtjen e qeverisë e policisë. A do guxonte Edi Rama, tanimë në rolin e kryetrafikantit, të vazhdonte trafikun ajror që ka kohë që po ndodh (sipas opozitës) të ulte e ngrinte avionë nëpër Divjakë, pikërisht kur ky vend ishte kryefjalë e çdo salle, nga ato të kafeneve tek ajo e parlamentit? Për një avion të vetëm, rastisën në atë plazh shumë kureshtarë e vizitorë të rastësishëm; dikush madje filmoi uljen me celular. Edhe nëse nuk do kishte difekt, dhe piloti Riformato do shkonte në punë të vet, videoja për çerek ore do ishte në youtube, pra asgjë sekrete. Marrim konspiracionin e kundërt: Avionin e ka dërguar Berisha, pra njerëzit e tij, qoftë dhe përmes ndonjë kombinacioni. Për çfarë shume pranon dikush të bëjë ca vite të mira burgu e të bëhet kokë turku (ose italiani e shqiptari) për një betejë politike të radhës?
Dikush mund të thotë se kjo e dyta edhe bën vaki, por varet nga shuma. Duke mos vënë bast për asnjërin nga skenarët e mësipërm, unë besoj se e vërteta është diku në mes, por këtë do ta zgjidhin organet kompetente. Pas dalldisë fillestare, problemi me avionin e Divjakës është se është harruar pikërisht ai, problemi i madh i këtij vendi, trafiku i drogës. Në shumicë, komentet e kësaj jave i mëshonin sikleteve të ministrit Tahiri, apo fjalimit “ekzuberant” të kryeministrit, njëfarë versioni më elokuent por po kaq patetik i “unë jam F.N. dhe prapa më vjen historia”. Në fakt, duhet thënë se në stilin e qeverisjes së Ramës ka një aromë të fortë marketingu prej ojf-je, një tendencë që çdo akt të shndërrohet në shfaqje për kamerat e televizioneve; që çdo fjalë e Ramës apo e ministrave, të jetë e pasur me stilema, metafora, ritëm e tek-tuk ironi për paraardhësit. Duket se kryeministri tenton të rrëshqasë në “kurthin Obama”, presidenti amerikan që kritikët në vendin e tij e akuzojnë se do mbetet në histori për fjalime të shkëlqyera dhe qeverisje anemike. Por përtej kësaj, a tregon avioni i Divjakës se qeveria Rama në mos është menaxhere e trafikut të drogës në vend, e ka marrë në krahët e vet këtë trafik dhe vjel dividentë; e prandaj (me zemërgjerësinë e opozitës) le të mos bëhen zgjedhje të reja, por ai të zëvendësohet nga një tjetër kryeministër i majtë? Ose, ta bëjë këtë akt për asnjë nga arsyet e mësipërme, por si dënim për mungesën e sinqeritetit dhe për daljen bllof lidhur me duelin avion-mushkonjë?
Këtu duhet të ndalojmë pak. E reja këtë herë ishte vetëm lloji i transportit, ajri. Maunet, trajlerët, furgonët, gomonet, makinat, mushkat me hashash na janë bërë rutinë dhe nuk ngjallin asnjë interes. Avioni po, kjo është gjëma e madhe që ka pllakosur. Dhe ndërkaq të vjen ndërmend fraza e ish kryeministrit Berisha: Divjaka është më e rëndë se Gërdeci! Kjo t’i përmbys të gjitha hesapet. Duke fshirë me gomë të pafshirshmen e duke harruar të gjitha bëmat e tij deri në vitin 2000, kemi një Berishë që kërkon dorëheqjen e kundërshtarit politik si baron droge, vetëm sepse një avion tentoi të merrte nga toka një sasi hashashi të paketuar e të shitur nga bastioni politik që e ka votuar Berishën rregullisht, e që ai e ka lënë të paprekur për tetë vjet rresht. Dhe në turmën e thirrur për të protestuar kundër drogës, spikasin kryetari i komunës Lazarat, ish shefa policie të zonës dhe plot lazaratas të indinjuar me baronin Rama, që e ka kthyer atdheun në mbretëri të kanabisit.
Do të ishte naivitet i tepruar nga çdo shqiptar në moshë madhore, të mendonte se kjo xhiro hashashi që prodhon miliona e miliarda, ka ndodhur pa bekimin e qeveritarëve, politikanëve, shefave të policisë, jo të gjithëve por një pjese të tyre. Linjat e trafikut që paguajnë pjesën, kalojnë matanë, të tjerat kapen për të plotësuar kështu edhe shifrat në analizat vjetore. Nëse avioni i Divjakës do të shërbejë për diçka, ai duhet të piketohet si momenti kur shteti nis ta marrë seriozisht luftën kundër hashashit. Këto tetë muaj, na është thënë se Lazarati është një çështje jo thjesht policore, por më shumë sociale. E pra, këtë as Berisha nuk e ka thënë; ai në fakt s’ka thënë asnjëherë asgjë për Lazaratin, thjesht ka heshtur dhe ka vjelë përfitimet, qoftë dhe vetëm në formën e votave. Nëse e majta në pushtet ka hallin e këtyre të fundit, pra votave, është hera e parë në 23 vjet që qeverisja ka një plebishit kaq të qartë, dhe po kështu duhet të veprojë me vendosmëri. Sepse një milion shuplakat kundër Berishës kollaj kthehen edhe në po kaq pickime mushkonjash kundër Ramës.
*Revista KLAN
Asgje e re nga fronti i perendimit….
Ku ishe o Alqi? Asgjekundi…
Po ti flokët permanant i bën mo alqi…!
Nje shkrim i KOTE,qe nuk i vlen askujt!!
Gazetari ka marre persiper te thote gjithcka,por nuk ka thene ASGJE!!!
Sipas tij varianti me i mundshmem,na qenka ai ne MES!!!
Pra sic i thone eshte vetem ……”GISHTI I MESIT”!!!!
Jam plotesisht dakort me te gjitha cfare ju thoni .
Ky artikull mund te titullohet : “Me u gjet Kola ne pune “. I. Foto
Gazetar “LGTB” që nuk vlen per asgje !!