Emërimet e reja në Administratë/ PD kërkon hetim parlamentar

28 Maj 2014, 13:12Politika TEMA

Partia Demokratike kërkon ngritjen e një Komisioni Hetimor parlamentar në lidhje me emërimet që po kryen në administratën publike. Kërkesa u depozitua në Kuvend nga deputeti Euard Halimi, ndërsa përmes saj synohet hetimi parlamentar i të gjithë të punësuarve në administratë nga shtatori 2013 dhe në vijim.

 “Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend një kërkesë për kryerjen e një hetimi, për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të hetojë ligjshmërinë e emërimeve në administratën shtetërore prej datës 15 shtator 2013 e deri në datën e sotme. Ju e keni  parë që Grupi Parlamentar i PD ka denoncuar gjatë këtyre muajve rastet flagrante të emërimit në administratë, në poste të larta të administratës të njerëzve të cilët dyshohen si të përfshirë në veprimtari kriminale apo kanë edhe rekorde në vendime gjykatash që janë dënuar”, theksoi Halimi.

Sipas tij, ky është një shqetësim i mbarë qytetarëve shqiptarë dhe atyre prindërve të cilët presin me deftësën në dorë të fëmijëve të tyre për të marrë një vend pune, ndërkohë që në administratë dyshohen se janë emëruar njerëz të cilët kanë lidhje me politikën dhe aq më keq dhe aq më rëndë kur kanë lidhje me veprimtari kriminale sidomos me trafikun e drogës.

“Tonelatat që kapen me drogë anëmbanë tek fqinjët tanë sigurisht që tregon se dikush shkel syrin në doganë, dikush shkel syrin në porte  dhe aeroporte në mënyrë që ajo drogë që kapet me tonelata dhe ajo që nuk kapet me tonelata, kalon nëpërmjet këtyre njerëzve. Ndaj një hetim parlamentar për t’i bërë transparent qytetarëve shqiptarë, procedurën e emërimit dhe lidhjet e këtyre personave që ndodhen në këto poste, ne gjykojmë se është i nevojshme e madje i domosdoshëm. Me këtë hetim parlamentar ne synojmë t’i bëjmë transparencë të gjithë qytetarëve shqiptarë cilat janë procedurat e emërimit, nëse këto emërime që janë bërë gjatë këtyre muajve janë ligjore ose jo dhe besoj se e përcjellim shqetësimin edhe të atyre qytetarëve shqiptarë që nuk janë anëtarësuar në ndonjë parti politike dhe nuk e lidhin shkollimin e fëmijëve të tyre dhe futjen në një vend pune me angazhimin në një forcë politike apo në ndonjë tjetër, por e bazojnë atë në CV-në, biografinë dhe në shkollimin e fëmijëve të tyre. Ndaj ky hetim është shumë i nevojshëm dhe i domosdoshëm qoftë për hetimin e të gjithë emërimeve, qoftë edhe për lidhjet e njerëzve që janë emëruar në poste të larta dhe kanë rekorde kriminale”, u shpreh deputeti i PD-së.

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE

Tiranë, më _____._____.2014

K Ë R K E S Ë

DREJTUAR:                                    ZOTIT ILIR META

                                    KRYETAR I KUVENDIT TË SHQIPËRISË

KËRKUES:                                      MË SHUMË SE 1/4 E TË GJITHË DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË SHQIPËRISË, ANËTARË TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

OBJEKTI:                                        Krijimi i një Komisioni Hetimor të Kuvendit, për të verifikuar ligjshmërinë e emërimeve në detyrë në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore, duke përfshirë emërimin e personave që kanë realizuar apo dyshohen se kanë kryer veprime kriminale apo trafikim të lëndëve narkotike.

BAZA LIGJORE:                           Nenet 7, 77 dhe 78 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë; Ligji nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”; si dhe neni 25 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,

Funksionimi normal i administratës shtetërore është i lidhur ngushtësisht me pastërtinë e figurës së zyrtarëve publikë. Administrata shtetërore duhet të jetë e qëndrueshme, profesionale, dhe emërimet duhet të bazohen në meritë, integritet moral dhe paanësi politike. Mirëpo, pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Rama-Meta, është vënë re një vullnet i palëkundur për të zhbërë administratën shtetërore ekzistuese dhe për zëvendësimin e profesionistëve me militantë partiak dhe persona të përfshirë apo të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale.

Prej disa muajsh, Partia Demokratike, duke përcjell zërin e qytetarëve të thjeshtë dhe të ndershëm, ka denoncuar publikisht emërimin në poste të larta të administratës shtetërore të dhjetra personave që kanë qenë të përfshirë në veprimtari kriminale. Për ilustrim, Drejtori i Tatimeve në Sarandë (dënuar për vjedhje); Drejtori i Ujësjellësit Patos (dënuar për trafik të lëndëve narkotike); Drejtori Rajonal i Transportit Berat (dënuar për shpërdorim detyre); Drejtori i Shërbimeve në Portin e Durrësit (dënuar për trafik dorge), etj.. Ky fakt është tregues jo vetëm i mosrespektimit të parimit të meritokracisë në emërimet e kryera, por provon qartësisht kriminalizimin e administratës shtetërore, duke injoruar kërkesat ligjore për pastërti etiko-morale të zyrtarëve publik.

Në këtë drejtim, është e nevojshme që të ngrihet një Komision Hetimor me objekt verifikimin e të dhënave për ligjshmërinë e emërimeve në detyrë në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore, duke përfshirë emërimin e personave që kanë realizuar apo dyshohen se kanë kryer veprime kriminale apo trafikim të lëndëve narkotike. Pjesë e këtij hetimi duhet domosdoshmërisht të jetë edhe analizimi i arsyes së shmangies së detyrimit ligjor për pastërti etiko-morale të zyrtarëve publik, si dhe lidhet e tyre me politikën dhe funksionarë të lartë.

Gjykata Kushtetuese e cilëson si “kompetencë kushtetuese” të drejtën e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Duke e veshur një të katërtën e deputetëve me këtë pushtet, Kushtetuta “… institucionalizon një lloj tjetër autoriteti kushtetues, që njihet si pushtet i pakicës parlamentare”, që realizohet “… në mënyrë të pavarur…” dhe që është “…i pakufizuar nga vullneti i shumicës”. E drejta e kontrollit hetimor i është njohur pakicës parlamentare, e cila, duke i pasur të kufizuara mjetet, “mund ta shndërrojë atë në një instrument të fuqishëm kushtetues”.

Ushtrimi normal i veprimtarisë së Kuvendit kërkon ekzistencën e elementeve të domosdoshëm që kanë të bëjnë me krijimin e kushteve për respektimin e ligjeve nga të gjitha organet e tjera të pushtetit publik e shtetasit, si dhe pajisjen e tij me mjetet e përshtatshme për realizimin e kontrollit mbi mënyrën e zbatimit të ligjeve. Komisionet hetimore që ngrihen për këtë qëllim, në kuptim të nenit 77 të Kushtetutës, janë një mjet që i shërben pikërisht ushtrimit të kontrollit parlamentar. Ato janë instrument i rëndësishëm i parlamentit për mbledhjen e informacionit për çështje të veçanta, me qëllim arritjen në përfundime të caktuara. E analizuar në aspektin gjuhësor, interpretimi i fjalës çështje merr kuptimin e një dukurie, gjendjeje, ngjarjeje apo fakti që ka nevojë të shqyrtohet për t’u zgjidhur.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike shpreh besimin se hetimi i plotë parlamentar mbi këtë cështje, vecanërisht përsa i përket emërimit të personave me precedentë kriminal, është mënyra e vetme për të mbrojtur interesin publik dhe imazhin e shtetit shqiptar, jo si shtet i kriminalizuar, por një shtet pjesë e familjes europiane.

Qëllimi i Komisionit Hetimor që kërkohet të krijohet mbi bazën e kësaj kërkese, synon që të mbledh informacione të hollësishme mbi këtë cështje, duke evidentuar problematikat përkatëse dhe për të gjetuar zgjidhjet për të ardhmen. Objekti dhe qëllimi i ngritjes së këtij Komisioni Hetimor është në përputhje me Kushtetutën dhe parimet themelore kushtetuese, për shkak se nuk sjell konfondime dhe transferime kompetencash të parashikuara nga Kushtetuta për organe të tjera, por synon njohjen dhe verifikimin në thellësi të ligjshmërisë së emërimeve të reja të kryera gjatë periudhës 15 Shtator 2013 – deri aktualisht, me qëllimin që në përputhje me realitetin, të nxirren përfundime mbi nevojën e miratimit, plotësimit, apo korrigjimit të ligjeve të veçanta.  Nga ana tjetër, nëpërmjet këtij hetimi parlamentar, kontrollohet edhe zbatimi i ligjeve, nxirret përgjegjësia mbi mënyrën e zbatimit të tij dhe bëhen rekomandimet përkatëse me qëllim parandalimin dhe eleminimin e këtij fenomeni, si dhe përmirësimin e gjendjes në të ardhmen.

E drejta e hetimit do të realizohet vetëm brenda funksionit të kontrollit parlamentar dhe detyrave kushtetuese që parlamentarët kryejnë si përfaqësues të popullit, për sqarim, apo hulumtim të hollësishëm të kësaj cështjeje. Dobishmëria e këtij hetimi sigurisht që shihet në nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, duke ndihmuar në evidentimin e problemeve dhe mospërsëritjen e këtij fenomeni me ndikim në mbrojtjen e interesit publik. Nëse i referohemi praktikës ndërkombëtare, natyra e çështjeve të hetuara nga komisionet hetimore ka qenë e një rëndësie substanciale apo parësore për publikun, me ndikim të veçantë në marrëdhëniet ndërshtetërore, me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive institucionale dhe mospërsëritjen e fenomeneve të hetuara në të ardhmen.[1]. Në rastin konkret, Komisioni Hetimor do të përqëndrojë punën e tij në njohjen dhe verifikimin në thellësi të ligjshmërisë së emërimeve të reja në administratën publike, si dhe respektimit të detyrimit për pastërti etiko-morale të figurës së zyrtarëve publik.

Objekti i hetimit, është i argumentuar qartë dhe në mënyrë të mjaftueshme në kërkesë, si dhe përmban fakte të përcaktueshme, të cilat të tregojnë qartë se për çfarë po hetohet, duke evidentuar edhe cështjen që kërkohet të hetohet. Nga dokumentacioni dhe faktet e administruara rezulton se ekziston një lidhje substanciale midis informacionit apo hetimit që kërkohet të realizohet, dhe një shkalle të arsyeshme të qëllimit legjitim të legjislativit, për mbrojtjen e Kushtetutës, si dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi.

Ky fakt evidenton plotësimin e kriterit kushtetues se çështja duhet të jetë manifestuar përpara marrjes së një vendimi përkatës nga ana e Kuvendit për ngritjen e një komisioni hetimor. Për pasojë, kërkesa bazohet në ekzistencën e një fakti (sic janë rastet e bëra publike nga Partia Demokratike) dhe jo për të verifikuar nëse mund të zbulohet ose të gjendet ndonjë e tillë në të ardhmen. Ajo që mbetet për t’u vlerësuar/hetuar nga Komisoni Hetimor është njohja dhe verifikimi i hollësishëm i problematikës, me qëllim parandalimin e fenomeneve të kundërligjshme në të ardhmen.

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,

Në funksion të mbrojtjes së Kushtetutës, parimeve të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe interesit publik, në përputhje me nenin 77 të Kushtetutës, ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”; si dhe nenin 25 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë,

KËRKOJMË:

Ngritjen e një Komisioni Hetimor, me:

Qëllim:

Ngritjen e Komisionit Hetimor me kërkesë të një grupi deputetësh për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore.

Objekt dhe cështjet që do të hetohen:

Objekti i veprimtarisë së Komisionit Hetimor është verifikimi i të dhënave për fenomenin e emërimeve të kundërligjshme dhe politike në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore, duke përfshirë emërimin e personave që kanë realizuar apo dyshohen se kanë kryer veprime kriminale apo trafikim të lëndëve narkotike.

Përbërje:

Kryetari dhe 5 anëtarë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 7 anëtar përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste; 1 anëtarë përfaqësues i Grupit Parlamentar të partive të tjera të opozitës parlamentare; 1 anëtarë përfaqësues i Grupit Parlamentar të paritive të tjera të mazhorancës parlamentare.

Afat të përfundimit të hetimeve:

3 muaj nga krijimi i Komisionit Hetimor.

Përsa më lart, lutemi vijimin e procedurave për shqyrtimin dhe miratimin e kërkesës, sipas projektvendimit bashkëlidhur kësaj kërkese.

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin,

VENDIM

Nr. ______, datë ____/____/2014

PËR NGRITJEN E KOMISIONIT HETIMOR TË KUVENDIT PËR VERIFIKIMIN E LIGJSHMËRISË SË EMËRIMEVE NË DETYRË NË ADMINISTRATËN SHTETËRORE, ENTET PUBLIKE APO SHOQËRITË TREGTARE SHTETËRORE

Në mbështetje të neneve 7, 77 dhe 78 të Kushtetutës, të neneve 5, 6, 8 e 9 të ligjit nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, si dhe të nenit 25 të Rregullores së Kuvendit, me propozimin e një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës të një grupi deputetësh për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore

Objekti i veprimtarisë së Komisionit Hetimor është verifikimi i të dhënave për fenomenin e emërimeve të kundërligjshme dhe politike në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore, duke përfshirë emërimin e personave që kanë realizuar apo dyshohen se kanë kryer veprime kriminale apo trafikim të lëndëve narkotike.

Komisioni hetimor, i ngritur sipas këtij vendimi, bashkë me raportin përfundimtar i paraqet Kuvendit në seancë plenare rekomandime në lidhje me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjesh, dhe, sipas rastit, njoftimin e prokurorisë për marrjen e masave të mëtejshme ligjore.

Komisioni hetimor parlamentar përbëhet nga 15 deputetë, si më poshtë:

1.  _____________________        –           Kryetar  (PD);

2. _____________________         –           Anëtar (PD);

3. _____________________         –           Anëtar (PD);

4. _____________________         –           Anëtar (PD);

5. _____________________         –           Anëtar (PD);

6. _____________________         –           Anëtar (Grupi Parlamentar i partive të tjera të opozitës parlamentare);

7. _____________________                     –           Anëtar (PD)

8. _____________________         –           Anëtar (PS);

9. _____________________         –           Anëtar (PS);

10. ____________________         –           Anëtar (PS);

11. ____________________         –           Anëtar (PS);

12. ____________________         –           Anëtar (PS);

13. ____________________         –           Anëtar (Grupi Parlamentar i partive të tjera të mazhorancës parlamentare);

14. ____________________         –           Anëtar (PS);

15. ____________________         –           Anëtar (PS).

VI. Ngarkohen Kryetari i Kuvendit që menjëherë të caktojë mjediset dhe mjetet e punës së komisionit, si dhe personelin e nevojshëm, duke venë në dispozicion edhe ekspertë juristë.

VII. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit që të marrë masa për zbatimin e vendimit të Kuvendit dhe të urdhrave të Kryetarit të Kuvendit, për mbarëvajtjen e punës së komisionit, si dhe krijimin e kushteve të nevojshme logjistike për veprimtarinë normale të tij.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

KRYETARI

ILIR META

 

8 komente në “Emërimet e reja në Administratë/ PD kërkon hetim parlamentar”

  1. emocioni says:

    Ore plehre e qelbur , po ata qe keni hequr ju nga puna. U shplafte Mortja te gjitheve te shpetoje populli nga ju sahanlepireset.
    Ngrini ne fillim hetim parlamentar per ata qe keni hequr ju pastaj ngrini kete komision qe thua ti i ZAGAR I SALIUT>

  2. Teli says:

    I kapi frika e filluan ti shkarkojne tani. Sapoe e shkarkuan edhe shefin e operacionales se policise rilindasin e famshem Arben Tata.

  3. Beni says:

    Shkoni more debila. Kur erdhet ju ne pushtet pushuat ke ju desh qejfi dhe vute te gjithe shpellaret ne punet e administrates dhe tani kerkokeni hetime per te emeruarit. Do emerojne ke ju do qejfi sepse ja u ka dhen te drejten populli qe i zgjodhi per te bere punen qe kerkohet ne dobi te Shqiperise dhe jo te Serbise e Greqise.

    1. Albi says:

      Kjo eshte administrata e trafikanteve te droges.

      Nje milion mushkonja kane votuar per Ediskobaramen.

  4. tiku says:

    po keta ore paskan qene gazi botes! po ik o halim se ke bere shtet me brecan e me shok, horra me fame ne te tere vendin.

  5. Bollanos kokekallçuku says:

    Eeeee po po halim haleja, ashtu eshte

  6. Elton says:

    Eduarta kam degju se pas strazkeqes e ke rradhen ti,madje thone se me ty nuk do merret as qefalia dhe as mondi por Erion Brace se keto dy tjeret kan frike mos ju ngel je dore

  7. kristo says:

    Shume dakort, por periudha e hetimit te shtrihet duke filluar nga viti 2005 (korrik 2005) deri tani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje