Kuvend/LSI kërkon përmbylljen sa më shpejtë të paketës lehtësuese për biznesin fason

5 Qershor 2014, 08:39Politika TEMA

LSI i kërkoi Qeverisë përmbylljen në një kohë sa më të shpejtë të paketës lehtësuese për biznesin fason. Gjatë punimeve të seancës plenare kur po diskutohej p/ligji për Këshillin Ekonomik Kombëtar, deputeti i Lëvizja Socialiste për Integrim Luan Duzha tha se ky ishte një premtim i Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe ne duhet t’a përmbushim atë pasi jemi aleanca e premtimeve të mbajtura. Sipas Duzhës, miratimi i ‘paketës së fasonit’ është kërkuar nga përfaqësues të këtij biznesi, ndaj, vijoi ai, i bëj thirrje Kryeministrit, ministrit të Financave dhe atij të Ekonomisë, ta shohin me interes të veçantë përmbylljen e kësaj pakete.

Duzha vlerësoi në emër të LSI-së ngritjen e Këshilit Ekonomik Kombëtar. Sipas tij, biznesi duke qënë forca motorrike e zhvillimit teknologjik të vendit, hapjes së vendeve të punës, organizimit të proceseve të prodhimit, shërbimit, shpërndarjes apo praktikave të tjera të biznesit e meritonte ngritjen e këtij institucioni ndërmjetës, filtër, të formatuar sipas standardeve të vendeve perëndimore, konceptuar si novacion në komunikimin mes palësh me qëllim garantimin e bashkëpunimit institucional e partneritetit publik-privat për zhvillimin e politikave ekonomike.

Më tej, në fjalën e tij, Duzha u shpreh se procesi i diskutimit dypalësh ka çaluar dhe biznesi gjendej pa dijeninë më të vogël dhe roli e prania e tyre në tryezat me qeverinë i takonin një karakteri formal.

“Krijimi i një strukture që vendos komunitetin e biznesit në procesin e vendimmarrjes duke ngritur bashkëveprimin mbi bazën e transparencës dhe objektivave madhorë të zhvillimit të vendit krijon garancinë se e ardhmja do të jetë krejt tjetër, premtuese për qeverinë dhe objektivat e saj, premtues për biznesin dhe sfidat e tij”, tha Duzha.

Garantimi i dialogut mes organeve të administratës shtetërore e sektorit privat, këshillimi në një frymë sa më pozitive dhe largpamëse, rritja e transparencës së vendimmarrjes publike dhe favorizimi i sektorit privat në procesin vendimarrës listohen si qëllime të parashpallura të Këshillit Ekonomik Kombëtar. Një domosdoshmëri e tillë për qeverinë, bëhet evidente duke u bazuar në krizën ekonomike – financiare jo vetëm globale, por edhe nga gjendja e rënduar financiare e trashëguar nga qeveria paraardhëse.

Këshilli Ekonomik Kombëtar do të vendosë raporte të drejta që duhet të ketë qeveria me biznesin dhe sipërmarrjen, duke pasur një strukturë të përbashkët. Ky Këshill do të ketë funksionin e tij këshillues për qeverinë dhe Kuvendin e Shqipërisë për gjetjen e rrugëve të përshtatshme për përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe krijimin e një kuadri ligjor nxitës për ekonominë, biznesin, investimet dhe punësimin. Si strukturë e posaçme dhe e përbashkët, ajo do të ketë mundësinë ligjore që të japë opinione dhe rekomandimet përkatëse për zhvillimin e sektorëve të ekonomisë, nxitjen e investimeve duke lehtësuar dhe forcuar bashkëpunimin dhe kontaktet e qeverisë me komunitetin e biznesit.

Për të luajtur një rol sa më të efektshëm, është parashikuar në këtë Këshill një pjesëmarrje e gjerë nga fusha e biznesit me përfaqësues të saj nga vendi dhe të huaj, si dhe nga akademikë dhe specialistë të organizmave dhe institucioneve financiare si dhe nga ministritë që mbulojnë çështjet ekonomike e financiare.

Për të realizuar qëllimin e saj, kjo strukturë e re duhet të ketë një entitet juridik më vete, që parashikohet nga ky projektligj, ku sanksionohen krijimi i kësaj strukture dhe mënyra e funksionimit dhe e vendimmarrjes deri te shqyrtimi i kërkesave që vijnë jo vetëm nga qeveria, por dhe nga komuniteti i biznesit e përfaqësuesit e tyre. E gjithë kjo strukturë do të funksionojë mbi bazën e transparencës dhe veprimtaria e saj do të mbështetet në ligj. I gjithë informacioni i duhur do të publikohet në një faqe zyrtare në mënyrë periodike dhe të hapur për publikun dhe palët e interesuara.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje