Paketat shëndetësore për veshkat, zemrën dhe implantin koklear për fëmijët me probleme dëgjimi, do te nisin të financohen në spitalet publike dhe private, pas hartimit të kontratave nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.
Deklarata u bë nga drejtori i Fondit, dr. Astrit Beci, gjatë takimit të zhvilluar në Tiranë me drejtorin e Agjencionit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës, dr. Arsim Qavdarbasha. Ky i fundit falenderoi dr. Becin për mbështetjen që në hapat e parë të krijimit të Fondit të Kosovës, i cili për herë të parë, do të nisë mirëfilli rimbursimin e shërbimeve shendetesore në Kosovë.
“Shqipëria dhe Kosova po njohin një dinamikë të re në bashkëpunimin mes dy vendeve tona, që pas deklaratës së përbashkët të nënshkruar nga Kryeministrat Rama dhe Thaçi, në janarin e këtij viti. Mbledhja e përbashkët e dy qeverive në Prizren, me një simbolikë të jashtëzakonshme, çeli një rrugë të re për zhvillimin e gjithanshëm ekonomik, social dhe kulturor në dy shtetet tona dhe në mbarë hapësirën shqiptare që përkufizojnë këto dy shtete”, tha Beci.
Sipas tij, “bashkëpunimi konkret vijoi me marrëveshjen e përbashkët mes Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë dhe Kosovës dhe pas dy takimeve të zhvilluara në Prishtinë, jam i lumtur të vijoj bashkëpunimin mes Instituciove tona, këtu në Tiranë, në funksion të përmirësimit të jetës së përditshme të qytetarëve tanë, të jetës së përditshme në dy shtet tona, ku padyshim, shëndetësia është një sfidë e rëndësishme”.
Ne, vijoi Beci, “aktualisht kemi përfunduar 10 paketat e para të shërbimit – të cilat do të financohet nga Fondi dhe do të përfitohen pa kosto shtesë për pacientët edhe në spitalet private, në rast se nuk arrihen të plotësohen nevojat nga spitalet tona publike”.
“Financim i shërbime ve shëndetësore, përmes kësaj metode të re, është bërë në bazë të vlerës reale dhe sipas nevojave te pacientëve. Për herë të parë po krijohet regjistri i përfituesve të paketave shëndetësore dhe administrimi i tij do të bëhet nga Fondi në bashkëpunim me shërbimet universitare. Fondi do të monitorojë gjithashtu edhe cilësinë e ofrimit të këtyre paketave, për të patur më shumë siguri në ofrimin e kujdesit shëndetësor për popullatën”, tha Beci.
“Bashkëpunimi mes Fondeve të dy vendeve tona do të ketë në fokus metodën e pagesës DRG në spitale – pra pagesë për diagnoza, çka do të sjellë efikasitet në përdorimin e fondeve sipas nevojave. Jam i bindur se, në frymën e re të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, shëndetësia do të ketë rezultate të prekshme falë bashkëpunimit efikas që po ndërtojmë”, tha Beci.