Meta takon homologun kuvajtjan/ Shqipëri-Kuvajt, strategji e përbashkët bashkëpunimi (VIDEO)

10 Qershor 2014, 14:08Sociale TEMA

Shqipëria dhe Kuvajti duhet të forcojnë marrëdhëniet mes tyre edhe përmes një strategjie të përbashkët bashkëpunimi dhe përmes intensifikimit të kontakteve. Marrëdhëniet ndërparlamentare që po njohin një dinamikë më intensive shkëmbimesh, duhen përforcuar më tej përmes dy grupeve reciproke të miqësisë në të dy vendet. Kështu u shpreh Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Shtetit të Kuvajtit, Marzouq Ali Al-Ghanim gjatë takimit të zhvilluar në kuadër të vizitës së Kryeparlamentari shqiptar po zhvillon atje.

Duke diskutuar mbi zhvillimet e fundit në të dy rajonet, z. Meta dhe z. Al-Ghanim ranë dakord gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit në drejtim të çështjeve rajonale dhe ndërkombëtare duke konfirmuar mbështetjen reciproke në kuadër të organizatave shumëpalëshe si OKB dhe OBI.

Në një prononcim për mediat, Kreu i Kuvendit Meta i shprehu mirënjohjen në emër të Parlamentit dhe të popullit shqiptar, Shkëlqesisë së tij dhe asamblesë së Kuvajtit për mbështetjen dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy kombeve dhe për ndihmën dhe kontributin e madh që Kuvajti i ka dhënë Shqipërisë dhe Kosovës, e cila thelloi marrëdhëniet tradicionale midis dy vendeve dhe midis dy popujve tanë.

“Jam i sigurt se e ardhmja është përpara nesh dhe ne kemi vendosur që të vijojmë bashkëpunimin, që ta bëjmë atë më konkret dhe dy parlamentet tona kanë një rol të rëndësishëm në këtë çast dhe ne po shikojmë përpara. Ne do të mirëpresim Shkëlqesinë e Tij në Shqipëri për vizitë, ashtu siç ne do të mirëpresim në ditët e ardhshme një vizitë të delegacionit të Asamblesë së Kuvajtit që do të vizitojë vendin tonë. Ne do të bëjmë gjithçka për të forcuar marrëdhëniet tona, sepse miqësia vëllazërore midis dy vendeve dhe dy popujve tanë ka një të ardhme të ndritur, të mirë, jo vetëm për qytetarët tanë, por gjithashtu dhe për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe kudo në botë”, tha Meta.

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Shtetit të Kuvajtit Marzouq Ali Al-Ghanim u shpreh se ne po shohim përpara për intensifikim të marrëdhënieve të frytshme midis Kuvajtit dhe Shqipërisë.

“Ne e dimë që nga historia jonë e kaluar se ne kemi marrëdhënie shumë të mira dhe ne duam që ta bëjmë këtë marrëdhënie akoma më speciale. Kështu që unë dua t’ju falënderoj për vizitën tuaj dhe jam i sigurt, që do të kemi një bashkëpunim të frytshëm midis Shqipërisë dhe Kuvajtit. Dhe kjo do të mund të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe jam i sigurt, që të gjitha takimet tuaja në Kuvajt do të ndikojnë dhe rezultatet e kësaj vizite do të shihen në një kohë të shkurtër dhe shumë shpejt. Kështu që faleminderit sërish për vizitën tuaj”, tha ai.

 

1 komente në “Meta takon homologun kuvajtjan/ Shqipëri-Kuvajt, strategji e përbashkët bashkëpunimi (VIDEO)”

  1. beta says:

    i duhen vendit bashkepunime te tilla

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje