Dita e sotme, nën shenjën e Spanjë-Holandë

13 Qershor 2014, 16:45Sport TEMA

Sot pasdite në Natal luhet një ndeshje që mund të jetë përcaktuese për ecurinë e Meksikës dhe Kamerunit në këtë Botëror. Edhe pse është sfida e parë, asnjë prej skuadrave nuk mund t’ia lejojë vetes humbjen, pasi në rast të kundërt objektivi i shpallur nga të dyja (kalimi në 1/8-at) do të bëhej një mision i pamundur. Humbja e djeshme e Kroacisë me Brazilin ia rrit edhe më tepër rëndësinë këtij takimi, pasi skuadra që fiton sot do të hidhte një hap tepër të rëndësishëm drejt kualifikimit.

Meksika ishte një ndër zhgënjimet e mëdha në fazën eliminatore, teksa ndryshoi plot katër trajnerë në vitin 2013 dhe e arriti kualifikimin vetëm pas fazës play-off ndaj Zelandës së Re. Kameruni do të luajë ndeshjen e parë pas frikës për bojkotimin e Botërorit për shkak të shpërblimeve.

Të dyja skuadrat janë të plota për sot. Ka disa dyshime në meksikën e Migel Herrerës, teksa në balotazh për një vend në sulm janë Oribe Peralta (golashënuesi më i mirë i fazës eliminatore me 10 gola), Çikarito Hernandez dhe Xhovani dos Santos. Te Kameruni janë në garë për krahun e majtë Bedimo dhe Asu-Ekoto.

Formacionet e mundshme

Meksika (3-5-2): Oçoa; Moreno, Markez, Rejes; Aguilar, Herrera, Penja, Fabian, Guardado; Dos Santos, Peralta (Hernandez).

Kameruni (4-3-3): Itandje; Bedimo (Asu-Ekoto), N’Kulu, Shedju, Niom; Mbia, Matip, Song; Mukandjo, Eto, Çupo-Moting.

Fakte dhe statistika

Në 4 ndeshjet e fundit të Meksikës në Kupën e Botës janë shënuar të paktën 4 gola. Meksika ka humbur më shumë ndeshje se çdo kombëtare tjetër në historinë e Kupës së Botës (24). Samuel Eto ka qenë i përfshirë direkt në 4 golat e fundit të Kamerunit në Botërorë (3 të shënuar, 1 asist). Afrikanët kanë fituar vetëm 1 nga 13 ndeshjet e fundit në Kupën e Botës, 1-0 ndaj Arabisë Saudite në 2002 (4 barazime, 8 humbje). Përballja e sotme është e dyta në histori mes këtyre dy skuadrave. Meksika ka fituar të parën, 1-0 në një miqësore të 1993. të 17 golat e historisë së Kamerunit në Kupën e Botës janë shënuar në brendësi të zonës së rreptësisë (15 me aksion, 2 me penallti). Meksika nuk ka fituar asnjëherë në Botëror ndaj një skuadre afrikane (1 humbje, 2 barazime).

Gjyqtari

Meksikë-Kamerun do të gjykohet nga Kolumbiani Vilmard Aleksander Roldan Perez. I linduri në Remedios në 1980 është gjyqtar ndërkombëtar prej vitit 2008. Më 2 qershor 2013 arbitroi miqësoren Brazil-Angli, e cila inauguroi rikonstruksionin e stadiumit “Marakana”. Në korrik 2013 gjykoi finalen e Kupës Libertadores mes Atletiko Mineiros dhe Olimpia Asunsionit.

Roldan ka gjykuar 73 ndeshje ndërkombëtare deri më sot. Mesatarisht jep 5.22 kartonë të verdhë për ndeshje, 0.55 të kuq dhe 0.37 penallti.

 Spanjë-Holandë

Katër vite pa një muaj nga finalja e Afrikë e Jugut 2010, Spanja dhe Holanda takohen sërish në Salvador, ku sonte në orën 21:00 do të përballen për ndeshjen e parë të Grupit B. Katër vite më parë vendosën rekordin e kartonëve të verdhë në finalen e Kupës së Botës (14 në total, 9 për portokallinjtë), me ndërhyrjen e De Jongut ndaj Ksabi Alonsos që bëri xhiron e botës. Sot të dy do të jenë sërish përballë njëri-tjetrit. Ashtu si dy kombëtaret tashmë rivale, por nëse Spanja nuk ka ndryshuar shumë, Holanda tashmë ka një tjetër trajner, shumë lojtarë të rinj dhe një tjetër sistem loje.

Gara më e madhe për një vend në formacion te Spanja është në krahun e djathtë të mbrojtjes, ku janë në balotazh Huanfran dhe Azpilikueta. Diego Kosta luajti 74 minuta në miqësoren e fundit të kampionëve të botës dhe sot pritet të jetë titullar i mbështetur nga Iniesta dhe David Silva. Trajneri i Holandës, Luis van Gal, do ta rreshtojë skuadrën me skemën 3-4-1-2, me Shnajderin në mbështetje të dyshes Roben-Van Persi. Në mbrojtje do të jenë De Vrij, Vlard dhe Martins Indi, në qendër të mesfushës De Guzman e De Jong, ndërsa nga krahët të rinjtë Janmat e Blind. Titullar në portë numri një i Ajaksit Cilesen. Në garë për qendrën e mesfushës janë edhe Fer e Klasi, por me shumë mundësi do ta nisin nga stoli.

Formacionet e mundshme

Spanja (4-3-3): Kasiljas; Huanfran (Azpilikueta), Serxho Ramos, Pike, Zhordi Alba; Ksavi, Buskets, Ksabi Alonso; Iniesta, Diego Kosta, David Silva.

Holanda (3-4-1-2): Cilesen; Martins Indi, Vlar, De Vrij; Blind, De Jong, De Guzman; Janmat; Shnajder; Roben, Van Persi.

Fakte dhe statistika

Kjo është hera e fundit që dy finalistet e një Kupe Bote përballen në Botërorin pasardhës që prej vitit 1990. Edicionin e kaluar skuadra e Del Boskes humbi 0-1 me Zvicrën në ndeshjen e parë, duke u bërë e para kampione bote në histori që ngriti trofeun pasi e nisi edicionin me disfatë. Visente Del Boske ka humbur vetëm 1 nga 25 ndeshjet për Kupën e Botës me Spanjën (22 fitore, 2 barazime, ku përfshihen edhe kualifikimet). David Vilja, golashënuesi më i mirë i Spanjës në finalet e Kupës së Botës, është përfshirë në 7 nga 9 golat e fundit të iberikëve në Botërorë (6 gola, 1 asist). Spanja ka fituar 6 ndeshjet e fundit në Kupën e Botës (katër të fundit me rezultatin 1-0). Vetëm Italia (5 ndeshje në 1990) dhe Zvicra (5 në 2006 dhe 2010) kanë një seri më të gjatë se iberikët pa pësuar gol në Botërorë. Holanda e ka kaluar fazën e grupeve në 7 edicionet e fundit të Kupës së Botës. Nga katër fitore për kokë dhe 1 barazim në 9 duelet e drejtpërdrejta mes dy gjigandëve europianë. Skuadra kampione e botës e ka fituar ndeshjen e parë në Kupën e Botës në 3 prej 10 edicioneve të fundit (4 barazime, 3 humbje), me Italinë që barazoi 1-1 me Paraguajin në 2010.

Gjykon italiani Ricoli

Italiani Nikola Ricoli është i përzgjedhuri i FIFA-s për ndeshjen e parë të madhe të Brazil 2014. Arkitekti italian, i lindur në 1971, e filloi karrerën në 2002, ndërsa gjyqtar ndërkombëtar u bë në 2007. Në 2010 drejtoi finalen e Ligës së Europës mes Atletikos së Madridit dhe Fullhemit, në 2013 finalen e “Uemblit” në Ligën e Kampionëve mes Bajernit të Mynihut dhe Borusias së Dortmundit, ndërsa këtë sezon gjysmëfinalen e kthimit mes Çelsit dhe Atletikos së Madridit. Dy herë (2012 dhe 2013) është shpallur arbitri më i mirë në Itali.

74 janë ndeshjet ndërkombëtare të drejtuara nga Ricoli, me mesatarisht 3.93 kartonë të verdhë për ndeshje, 0.14 të kuq dhe 0.32 penallti. Ricoli e ka gjykuar Spanjën vetëm një herë në karrierë, në çerekfinalet e Euro 2012, kur të besuarit e Del Boskes mposhtën 2-0 Francën (një gol me penallti nga Ksabi Alonso). 3 herë ka qenë arbitër italiani në ndeshje të Holandës, me të cilin tulipanët i kanë provuar të tri rezultatet: humbje 2-1 me Portugalinë në fazën e grupeve të Euro 2012, fitore 2-0 me Slloveninë në eliminatoret e Euro 2008 dhe barazim 2-2 me Anglinë në miqësoren e 2009.

Kili-Australi

“Arena Pantanal” e Kuaibës do të jetë skena e ndeshjes së katërt të Botërorit, duelit mes Kilit dhe Australisë. Amerikano-jugorët janë pa asnjë dyshim favoritët e mëdhenj të kësaj sfide që do të nisë në mesnatë, teksa të besuarit e trajnerit argjentinas Sampaioli janë shumë më cilësorë se “kangurët” e drejtuar nga Pastacoglu.

Kili ka në dyshim për sot njërin prej yjeve të skuadrës, mesfushorin e Juventusit Arturo Vidal, i cili u operua pak javë më parë dhe ende nuk është plotësisht i gatshëm. Vidal e kreu të gjithë seancën stërvitore dje me skuadrën, por vendimi nëse ai do të luajë apo jo do të merret vetëm pak përpara ndeshjes. Në sulm kilenët do të luajnë me Aleksis Sançezin e Barcelonës dhe Eduardo Vargasin e Napolit (sezonin e fundit ishte në huazim te Barcelona).

Australia ka në përbërje të saj lojtarë me pak eksperiencë, ndër të cilët bëjnë përjashtim sulmuesi veteran Tim Kahill dhe mesfushori Mile Jedinak. Trajneri Pastacoglu do të rreshtojë një skuadër mbrojtëse me skemën 4-5-1.

Formacionet e mundshme

Kili (3-5-2): Bravo; Jara, Medel, Mena; Isla, Diaz, Karmona, Aranguiz, Bozezhur; Sançez, Vargas.

Australia (4-5-1): Rajan; Davidson, Shpiranoviç, MekGouan, Franjiç, Leki, Miligen, Jedinak, Holand, Oar; Kahill.

Fakte dhe statistika

Në 8 nga 10 ndeshjet e fundit të Kilit në Kupën e Botës janë shënuar të paktën 3 gola, me kilenët që kanë shënuar të paktën 2 gola në 6 ndeshjet e fundit në turneun madhor. Pikën e parë në histori në Kupën e Botës Australia e ka marrë ndaj kilit në qershor 1974, me barazimin 0-0, që mbetet ndeshja e vetme e tyre pa pësuar gol në Botëror. Që prej vendit të tretë në Kupën e Botës 1962, Kili ka fituar vetëm 2 nga 17 ndeshjet e fundit në këtë kompeticion (6 barazime, 9 humbje). Australia ka fituar vetëm 2 nga 10 ndeshjet e fundit në Kupën e Botës (3 barazime, 5 humbje). Në 8 ndeshjet e fundit të Australisë në Botërorë janë marrë 7 kartona të kuq. Australia nuk ka fituar asnjë nga 4 përballjet e mëparshme në histori me Kilin (1 barazim, 3 humbje).

Gjyqtari

Afrikani i parë që do të gjykojë në këtë Botëror është Nurmandie Dizajër Due nga Bregu i Fildishtë, farmacisti 44 vjeçar, që prej 10 vitesh është arbitër ndërkombëtar. Në 2013 gjykoi Egjipt-Ganë një nga ndeshjet play-off të zonës së Afrikës për Kupën e Botës. Gjyqtari i sotëm për Kili-Australi ka 58 ndeshje ndërkombëtare në karrierë, me mesatarisht 3.83 kartonë të verdhë për ndeshje, 0.22 të kuq dhe 0.22 penallti të akorduara.

Luaj Kupën e Botës Brazil 2014 në www.top-bast.com

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Dita e sotme, nën shenjën e Spanjë-Holandë”

  1. TON says:

    spanja 1
    kili 1
    Meksike 1

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje