Me sytë nga Brazili

12 Qershor 2014, 16:52Sport TEMA
Me sytë nga Brazili

Pritjes së madhe i erdhi fundi, teksa në orën 22:00 në Sao Paulo do të fillojë Botërori 2014, që do të zhvillohet në tokën e pesë herë kampionëve të Botës. Nga tifozët, infrastrukturat, presioni mbi Nejmarin dhe mundësitë për një surprizë që në ndeshjen e parë

Brazili do të ngrejë sonte siparin e Kupës së Botës 2014, teksa në orën 22:00 pret në stadiumin “Arena de Sao Paulo” Kroacinë, me sfidën e parë të Grupit A dhe të Botërorit që premton të jetë intriguese brenda dhe jashtë fushe. 65 807 tifozët në stadium dhe qindra milionët nga ekranët e televizorëve do të jenë dëshmitarët e fillimit të edicionit të 20-të të turneut më të madh në histori, i mirëpritur nga vendi që e mishërohet me futbollin.

Nga protestat te vonesat dhe rradhët e gjata, te dyshimet për infrastrukturën e stadiumit të ndeshjes së parë (por jo vetëm), me duelin e fushës që duhet të japë përgjigjet e veta. A do ta përballojë Brazili trysninë? Po Nejmari?

Trysnia mbi Brazilin

Siç e do tradita, sfondi i një ngjarjeje të madhe sportive pushtohet gjithmonë nga çështjet politike dhe ekonomike. Meqenëse në Brazil dallimet mes të pasurve dhe të varfërve janë të mprehtë, protestat e nisura vitin e kaluar në Kupën e Konfederatave ende nuk kanë pushuar. Në prag të këtij Botërori, protestat janë përqendruar në ankesa specifike, duke u përshkallëzuar në greva, të cilat kanë goditur mbi të gjitha sektorin e transportit në Sao Paolo. Duket qartë se mbështetja ndaj grevave dhe protestave nuk është unanime, por është e madhe në numër.

 Të thuash se të gjithë e mbështesin Kupën e Botës duke anashkaluar gjithçka është e vështirë për një vend me më shumë se 200 milionë banorë. Por përkrahja për kombëtaren e Brazilit ka pasur gjithmonë më shumë ngjyra në San Paolo se në Rio de Zhaneiro. Këtë e theksoi para pak ditësh edhe gazetari sportiv brazilian Fernando Duarte, duke theksuar se “marrëdhënia e Seleçao me tifozët paulistë (nga Sao Paulo) nuk është më shpërthyese”.

Ata janë një pjesë e rëndësishme e qytetit më të madh të Brazilit (mbi 11 milionë banorë) dhe kanë një traditë negative. Në 1950 fishkëllyen kombëtaren në barazimin 2-2 me Zvicrën në Kupën e Botës, por edhe Brazilin legjendar të viteve ’70, teksa po përgatitej për Botërorin heroik të Meksikës. Tradita vazhdon. E njëjta gjë ndodhi edhe në miqësoren e fundit ndaj Serbisë kur rezultati ishte 0-0. Nëse përsëritët edhe sot ndaj kombëtares tjetër ballkanase, kjo mund ta tensionojë fillimin e turneut, që pritet të jetë interesant.

 Trysnia mbi Nejmarin

Është e qartë se trysnia është e madhe dhe se trysnia peshon më shumë te disa. Nejmar është lojtari që ka pushtuar zemrën e kombit, duke dalë nga fanella dhe duke u personifikuar me Brazilin e ri. Por kjo i ka dhënë përgjegjësi. Në veçanti përgjegjësinë për t’i çuar te suksesi. Edhe Pele ka qenë në të njëjtën situatë në moshë të re.

22-vjeçari e ka pranuar këtë përgjegjësi dhe është shprehur se po e shijon, nuk po fshihet. Deri tani shenjat kanë qenë të mira. Edhe pse sezoni i tij i parë te Barcelona u mbyll pa trofe, ai më të mirën e ka dhënë për Brazilin dhe ishte ylli i verës së kaluar në Kupën e Konfederatave.

Tani është momenti i së vërtetës dhe trysnia do të jetë gjigande. Rivali i tij i parë do të jetë kapiteni dhe mbrojtësi i djathtë i Kroacisë Darijo Sërna, një lojtar me eksperiencë të madhe. Një duel intrigues që mund të vendosë fatin e betejës së parë.

Sytë te Eduardo

“Një lojtar brazilian që refuzon mundësinë për të veshur fanellën e Brazilit në Kupën e Botës në vendin e tij vetëm nuk mund të quhet më bir i këtij kombi. Ai i ktheu shpinën ëndrrës së miliona djemve: të luash për pesë herë kampionët e botës në Kupën e Botës në Brazil”. Luiz Felipe Skolari e sulmoi ashpër Diego Kostën dhe lufta e deklaratave nuk u ndal as dje, me teknikun e Brazilit që iu përgjigj sulmuesit tashmë të Spanjës, i cili pak ditë më parë ishte shprehur se Skolari as që e kishte kontaktuar.

Trajneri kampion bote në 2002 sot do të ketë përballë një tjetër sulmues të lindur në Brazil. Ish-sulmuesi i Arsenalit Eduardo nuk është nga ata që ka refuzuar Brazilin, me 31-vjeçarin që luan prej më shumë se një dekade me Kroacinë. Lojtari i Shaktarit të Donetskut e ka bërë të qartë se sot do t’i këndojë të dy himnet, me shpresën se do të jetë titullar në vend të të pezulluarit Mario Manxukiç. Çfarë historie nëse ai do të shënonte?! Ai ose Samir, mesfushori 27-vjeçar i Getafes, i lindur në Itabuna.

 Prishësit e festës?

Nuk është vetëm Eduardo ai që mund të prishë festën e Brazilit. Ka shumë talente te Kroacia. Niko Kovac është një trajner që kërkon disiplinë dhe kujdes, gjë që është e kuptueshme kur do të përballesh me Brazilin në Brazil për ndeshjen hapëse të Botërorit. Por Luka Modriç dhe Ivan Rakitiç, me të parin që shkëlqeu këtë sezon te Reali dhe me të dytin që sapo ka kaluar te Barcelona, janë lojtarë që mund të godasin çdo skuadër. Pavarësisht traditës, janë miqtë ata që pritet të luajnë një futboll më tërheqës në mesfushë, teksa Modriç-Rakitiç do të kenë përballë Luiz Gustavon dhe Paulinjon. Një surprizë nga Kroacia ka pak gjasa të ndodhë, por ballkanasit mund të jenë ajo që do të mbajnë topin për pjesën më të madhe të kohës në mbrëmjen e madhe të Brazilit, teksa skuadrës së Skolarit i pëlqen më shumë të kundërsulmojë.

Çështjet e stadiumit

Frika se stadiumet do të ishin apo jo gati nuk u provua asnjëherë, pasi nuk pati kohë për të parë Arenën e Sao Paulos përpara ndeshjes hapëse. Këtë e theksoi edhe sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Valke: “Stadiumi dhe infrastrukturat e tjera duhet të provohen përpara Botërorit për të parë funksionimin e tyre”. Kohë për prova nuk pati dhe kështu që asnjë nuk e di me siguri nëse sonte “Arena de Sao Paulo” do ta kalojë me sukses dhe pa probleme të mëdha testin e parë. Të gjithë shpresojnë që problemet të jenë të vogla dhe të kalohen duke qeshur, por shumë mund të varet nëse rezultati merr rezultatin që pritet apo jo.

2 komente në “Me sytë nga Brazili”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje