Brazil 2014, i 20-i në historinë e Kupës së Botës, do të jetë Botërori i shifrave rekord dhe sigurisht evenimenti që do të mbetet gjatë në kujtesën e të apasionuarve të futbollit për të veçantat e tij. Për organizimi e kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme sportive janë shpenzuar mbi 11 miliardë dollarë, disa fish më shumë se në Afrikën e Jugut 2010. Këto para kanë shkuar përgjithësisht në ndërtimin e infrastrukturës sportive, por edhe asaj urbane që ka lidhje të drejtpërdrejtë me Botërorin. Pikërisht këto shifra marramendëse e kanë shtyrë një pjesë të popullsisë vendase për të protestuar kundër zhvillimit të Kupës së Botës në Brazil, pasi nuk janë mbajtur premtimet për investime sidomos në arsim dhe shëndetësi.
Ky Botëror zhvillohet për herë të dytë në Brazil, me Selecaon që dështoi ta fitonte trofeun në shtëpi në vitin 1950, ndërsa interesant është fakti që në këtë turne marrin pjesë të gjitha përfaqësueset që janë shpallur kampione të Botës në të kaluarën: Ato janë Brazili, Italia, Gjermania, Argjentina, Uruguaji, Anglia, Franca dhe Spanja, kampione në fuqi. 64 ndeshjet e Brazil 2014 do të luhen në 12 qytete të ndryshme të vendit latino- amerikan, ndërsa numri i lojtarëve të grumbulluar në Botëror është 736. Në bazë të shifrave zyrtare të FIFA-s, në mbarë botën janë shitur rreth 3 milionë bileta të Botërorit. FIFA do të shpërndajë 576 milionë dollarë për skuadrat pjesëmarrëse në këtë turne, 37% më shumë se premiot e Botërorit afrikan. Përfaqësueset që eliminohen që në fazën e grupeve do të përfitojnë secila 8 milionë dollarë, ato që eliminohen në fazën e 1/8, 9 milionë dollarë, çerekfinalistet 14 milionë dollarë, vendi i katërt 20 milionë dollarë, i treti 22 milionë dollare. Skuadra finaliste 25 milionë dhe fituesja e trofeut 35 milionë dollarë.