Krizë? Çfarë krize? Kur Zidan ngriti kupën në Paris, në 1998, në arkat e Federatës Franceze të Futbollit, u derdhën gati 6 milionë euro (sa për të qartësuar llogaritë, pasi në atë kohë ishin ende në qarkullim frangat). Kur Kanavaro bërtiti plot eufori në Berlin, korrik 2006, federata italiane arkëtoi 18 milionë euro. Por me sa duket në futboll ritmet janë më të shpejtë se në jetën e përditshme: skuadra që do të triumfojë në Brazil 2014 do të çojë në shtëpi pothuajse 27 milionë euro (36.5 milionë dollarë). Ky është tregu, por më mirë kjo mos t’i thuhet me zë të lartë brazilianëve që po protestojnë në rrugë. Nga kjo pasuri ata nuk do të marrin as edhe një thërrime.
Miliona
Natyrisht që çdo edicion celebrohet Botërori më i pasur i historisë falë rritjes me disa fish të sponsorëve dhe vlerës të së drejtës televizive (deri sa të zgjasë ky efekt). Ky i Brazilit ka një çmim total prej 476 milionë dollarësh (349 milionë euro me kursin e djeshëm të këmbimit, 1 euro = 1.364 dollarë): me një rritje prej 12% në krahasim me Afrikë e Jugut 2010 dhe plot 78% me Gjermani 2006. Federatave të 32 finalisteve do t’u shpërndahen në total 298 milionë euro, në bazë të rezultatit përfundimtar dhe shpenzimeve për fazën përgatitore. Nëse kampionia e botës do të përfitojë 26.7 milionë euro (25.6 + 1.1), edhe finalistja e humbur do të qajë vetëm me njërin sy (do të arkëtojë 19.4 milionë euro). 16 të eliminuarat nga faza e grupeve do të rikthehen në shtëpi me nga 6.9 milionë euro. Shumë, shumë para.
Klubet
Për të tretin edicion me radhë edhe klubet do të përfitojnë nga të ardhurat e Botërorit. Në fund të fundit janë dyqanet nga ku përzgjidhet lënda bazë, lojtarët, të cilët i paguajnë gjithë vitin dhe që rrezikojnë t’u rikthehen të lodhur apo të dëmtuar. Duke qenë se marrëdhënia e klubeve me FIFA-n mund të quhet “tërhiq e mos këput” shuma nuk është shumë e lartë, rreth 50 milionë dollarë (30 milionë $ ishin në vitin 2010). UEFA, që me klubet ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, është shumë më bujare: në Euro 2010 u shpërndau rreth 100 milionë euro 580 klubeve (përfshi edhe fazën eliminatore). Për Euro 2016 pritet që organizata e kryesuar nga Mishel Platini të shpërndajë rreth 150 milionë euro.
Dëmet
Është edhe një zë i tretë në këtë raport financiar. Programi i Mbrojtjes. Që, pavarësisht nga emri, nuk ka të bëjë me të penduarit dhe dëshmitarët e drejtësisë, por ka të bëjë sërish me klubet. Me objektivin për të ulur pasojat ekonomiko-sportive të dëmtimeve të mundshme në kombëtare, FIFA ka vendosur 100 milionë dollarë në dispozicion për të gjithë ndeshjet e kalendarit ndërkombëtar nga 1 shtatori 2012 deri më 13 dhjetor 2014 (përfshi edhe Botërorin). Këtu gjithçka është për t’u diskutuar. Sa mund të pretendojë Borusia e Dortmundit për Rojsin apo Milani për Montolivon?
Nga shtatori do të rikthehemi të flasim për Euro 2016. Dy vite më parë në Poloni-Ukrainë UEFA u akordoi finalisteve 196 milionë euro. Në Francë kombëtaret do të jenë 24 dhe turneu pritet të jetë shumë më i pasur. Më pas do të fillojë edhe Liga e Kombeve. Para, para, para.
Ky Botëror vlen 3 miliardë euro
Sa vlen me të vërtetë ky Botëror? Revista Forbes, e specializuar në çështjet financiare, botoi një studim interesant që e llogarit në 3 miliardë euro faturën totale të këtij ediconi (+66% në krahasim me 2010), me një përfitim për FIFA-n prej 1.5 miliardë eurosh. Pothuajse gjysma e kësaj shume e ka burimin tek e drejta televizive (1.25 miliardë euro). Më pas vjen marketingu (1 miliardë), që vijnë nga partnerët e fuqishëm komercialë (Adidas, Fly Emirates, Sony, Visa, Hyundai e Coca-Cola). Për periudhën 2015-2018 FIFA parashikohet të arkëtojë 3.6 miliardë dollarë, me 1.6 që do t’i përfitojë nga Botërori i Rusisë. Duke pritur lajme nga Katari.
AUDIENCA – Sipas një studimi të FIFA-s, të paktën 909 milionë njerëz në botë ndoqën për të paktën 1 minuta finalen e 2010 Spanjë-Holandë, ndërsa 620 milionë e panë sfidën finale të Afrikës së Jugut për të paktën 20 minuta gjatë kohës shtesë. Audienca totale ishte 3.2 miliardë njerëz, ndërsa 188.4 milionë ndoqën të plotë të paktën një ndeshje të Kupës së Botës 2010.
Brazil 2014, shpërblimet për kombëtaret (të dhënat janë në milionë euro)
Fituesi 25.6
Finalisti 18.3
Vendi i tretë 16.1
Vendi i katërt 14.7
1/4 e finaleve 10.2
1/8 e finaleve 6.6
Faza e grupeve 5.8
Bazë 1.1 (për fazën përgatitore)
Totali A 298 milionë euro
Shpërblimet për klubet
51 milionë euro
Totali 349 milionë euro
(+12 % në krahasim me Afrikë e Jugut 2010;
+ 78 % në krahasim me Gjermani 2006)
Sa kanë fituar kampionët e mëparshëm
Turneu Fituesi Çmimi
1998 Franca 5.7
Euro 2000 Franca 9.2
2002 Brazili 9.5
Euro 2004 Greqia 17
2006 Italia 18
Euro 2008 Spanja 22
2010 Spanja 24.8
Euro 2012 Spanja 23
2014 _________ 26.7
Po ç’jane per futbollin 27 milion euro ? Asgje fare . Me keto leke mund te blihet vetem nje futbollist mesatar , se ata te miret fare kushtojne mbi 100 milion euro .
E kuptuam por per te mos e quar kupen lart sa merren?????psh 100 milion ekipit ne katershe ose finalist e kupa e skedinat per boj shkojn.ok psh anglia nuk hyri ne europian vetem per skedinen.angli kroaci 1-3.futbolli nuk luhet vetem ne fushe…..etj etj qe ju i dini ma mir se sa une