INTERVISTA/ Lëv: Futbolli do të ngjitet në një tjetër nivel në Brazil 2014!

8 Qershor 2014, 18:52Sport TEMA
INTERVISTA/ Lëv: Futbolli do të ngjitet në një tjetër

Falë stilit të saj të lojës, Gjermania ka fituar zemrat e miliona tifozëve të rinj anembanë botës,        por kjo nuk e kënaq plotësisht trajnerin Joakim Lëv. Vetëm triumfi në Kupën e Botës Brazil 2014, i cili do të ishte suksesi i parë i madh i tij si trajner, do ta gëzonte 54-vjeçarin që është në krye të kombëtares tre herë kampione të botës prej 13 qershorit 2006. Në një intervistë të dhënë dje, Lëv foli për filozofinë e tij të futbollit, emocionet, pritshmëritë në prag të Botërorit dhe mendimet e ndjenjat e tij përpara përballjes me mikun Jurgen Klinsman.

 

Njiheni botërisht si një trajner që kërkoni përpikmëri e përsosmëri deri në detaje në stërvitje dhe në fazat përgatitore. Deri në çfarë niveli besoni se është e mundur të planifikohet suksesi?

“Janë të shumtë aspektet për të cilët mund të përgatitesh kohë përpara, si ai fizik, lëvizjet në fushë dhe taktika, por suksesin mund ta planifikosh deri në një farë pike. Ne kemi në dorë të hedhim themelet, të cilat rrisin mundësitë tona për të arritur diçka të madhe. Për këtë arsye punuam shumë në kampin stërvitor në Tirolin e Jugut në Itali. Jam i gëzuar me mënyrën se si u stërvitën lojtarët, dhe me mënyrën se si u përfshinë e dhanë gjithçka. Nga pikëpamja sportive ishte një gjë e shkëlqyer, por as faza më e mirë përgatitore nuk mund të na garantojë suksesin, as se do të fitojmë Kupën e Botës”.

 

 

Jeni në prag të turneut të katërt të madh në karrierën tuaj si trajner i parë. A ju jep eksperienca më shumë qetësi apo ju shton nervozizmin fakti që bëhet fjalë për Kupën e Botës?

 

“Sa më shumë i afrohem një turneu, aq më i qetë bëhem, pasi e di që kemi menduar dhe jemi kujdesur për gjithçka. Kam shumë besim te kjo pjesë. Tani jam në gjendje të sillem mjaft mirë në situatat ku trysnia është e lartë, madje i shijoj këto situata. Jam i paduruar për ndeshjet, për seancat stërvitore dhe për gjithçka që Brazili do të na rezervojë. Eksperienca në një Botëror në vendin më të ‘çmendur’ për futboll në botë është një gjë e papërshkrueshme për të gjithë, për lojtarët, trajnerët dhe tifozët”.

 

 

Në Afrikë e Jugut 2010 Gjermania fitoi admirimin e miliona tifozëve në botë falë stilit të saj tërheqës të lojës. Sa krenar jeni që keni ndihmuar në krijimin e këtij stili?

“Krenaria është fjala e gabuar. Ishte më shumë një ndjenjë përmbushjeje dhe lumturie. E kemi udhëhequr këtë zhvillim së bashku si skuadër, edhe pse si trajner je gjithmonë i varur nga tipet e lojtarëve që ke në dispozicion. Jemi me fat që zhvillimi i futbollit në Gjermani në vitet e fundit ka qenë shumë i mirë. Kjo falë klubeve dhe punës që po bëjnë me akademitë e të rinjve. Niveli i bashkëpunimit në futbollin gjerman është shembullor dhe nuk jam aq mendjemadh sa të them se stili i futbollit që luan kombëtarja jonë është meritë vetëm e kombëtares”.

 

Sa e vështirë është të rrënjosësh një filozofi krijuese, sulmuese në skuadrën tënde pa neglizhuar cilësitë “tradicionale” si shpirti luftarak apo forca për të vrapuar e luftuar deri në sekondën e fundit?

 

“Nuk është fare e vështirë. Cilësitë tradicionale janë po aq të rëndësishme tani sa kanë qenë gjithmonë. Nuk i kemi neglizhuar kurrë këto karakteristika, por kemi arritur të integrojmë krijueshmërinë, rrjedhshmërinë dhe harenë e lojës ndër virtytet e kombëtares. Nëse duam të jemi të suksesshëm në Brazil, duhet të kombinojmë të gjitha këto cilësi në lojën tonë. Lojtarët janë mjaft të qartë në këtë aspekt, pasi pjesa më e madhe e tyre ka eksperiencë me ndeshje e turne të mëdhenj dhe e dinë se çfarë duhet të bëjnë, si duhet të veprojmë nëse duan t’ia dalin mbanë në këtë sfidë madhore”.

 

Gjermania është dukur e thyeshme në mbrojtje gjatë ndeshjeve të fundit. Çfarë duhet bërë në stërvitje në këtë aspekt përpara se të nisë Botërori? Si e vlerësoni gjendjen aktuale të skuadrës suaj?

 

“I kemi analizuar të gjitha ndeshjet tona të dy viteve të fundit. Kemi humbur pak shpejtësi në reagimin kur humbasin topin, kështu që do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë korrigjimit të këtij aspekti. Por nuk kemi nevojë të ndryshojmë stilin e lojës, pasi kemi një filozofi tek e cila mbështetemi dhe e besojmë 100%. Pjesë e përgatitjeve tona është edhe ndihma që u japim lojtarëve të rinj për të kuptuar filozofinë. Sigurisht që do të shikojmë me vëmendje edhe mënyrën se si mbrojmë, por kjo është diçka ku duhet të përfshihet e gjithë skuadra, jo vetëm prapavija”.

 

Në 2006 ju ishit ndihmësi i Jurgen Klinsmanit në Kupën e Botës që u zhvillua në Gjermani. Çfarë kujtimesh të veçanta keni nga ai turne? Tani që Brazili është në të njëjtën situatë si ju tetë vite më parë, pritshmëritë do të jenë një disavantazh apo entuziazmi në vend do të jetë një avantazh për ata?

 

“Nuk kam kujtime specifike, pasi përshtypja që Kupa e Botës e vitit 2006 më bëri ishte e madhe dhe e shumëllojshme. Ai turne ishte një eksperiencë speciale për të gjithë; ishte një periudhë e gjallë, e jashtëzakonshme dhe e suksesshme, që nga ndeshja e parë në Mynih, te ceremonia për vendin e tretë në Shtutgart e deri te pritja madhështore që na u bë në Berlin. Gjatë gjithë Botërorit lundruam mbi dallgën e entuziazmit. Por për Brazilin është një situatë e ndryshme, pasi ata janë favoritët e të gjithëve për të fituar trofeun. Ne u dhuruam të gjithëve një surprizë të bukur dhe i tejkaluam të gjitha pritshmëritë. Më e mira që Brazili mund të bëjë është të përmbushë atë që pritet prej tij”.

 

Ju dhe Jurgen Klinsman keni ndihmuar njëri-tjetrin në karrierat respektive dhe do të bashkoheni sërish më 26 qershor në Recife, ku Gjermania do të përballet me SHBA-në. Si ndiheni tani që jeni në kampe të kundërt?

“Nuk do të jetë hera e parë, pasi e përjetuam të njëjtën situatë edhe në turin që zhvilluam në SHBA verën e kaluar, por natyrisht që kësaj here rëndësia është shumë më e madhe. Jam gjithmonë i lumtur kur takoj Jyrgenin dhe kemi qenë në kontakt të ngushtë gjatë gjithë kësaj periudhe. E vlerësoj opinionin e tij dhe është gjithmonë interesante të dëgjosh idetë e tij, apo se çfarë mendon për situata të caktuara. Edhe jashtë futbollit. Jyrgeni është një trajner shumë i mirë me disa cilësi të shquara. Është një njeri pozitiv dhe gjithmonë i hapur, por edhe një i përpiktë, që vendos dëshirën për fitore mbi çdo gjë tjetër. Kemi punuar bashkë si një skuadër dhe ishte një periudhë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe me ndikim të madh. E di që i detyrohem shumë Jyrgenit”.

 

 

Disa ekspertë kanë parashikuar fundin e “tiki-takës”, ndërsa disa të tjerë besojnë se duhet këmbëngulur te mbrojtja me tre lojtarë? Çfarë tendencash taktike prisni të shihni në Brazil?

 

 

“Ne kemi sistemin tonë dhe kemi besim tek ai. Pjesë thelbësore e filozofisë sonë është fleksibiliteti dhe kjo është tendenca që pres të shoh në Brazil. Tani skuadrat janë në gjendje ta ndryshojnë taktikën e tyre më shpesh se në të kaluarën. Të luash vetëm me një sistem nuk mjafton në futbollin e sotëm”.

 

Në një intervistë të javëve të fundit, ju u shprehët se “Gjermania dëshiron të fitojë Kupën e Botës”. Çfarë ju bën të besoni se Gjermania mund të ngrejë në qiell trofeun për herë të parë që prej vitit 1990, pasi përfundoi e treta në dy edicionet e fundit?

“Lojtarët e mi ma japin këtë besim. Kam besim absolut në aftësitë e secilit prej tyre. E di që jemi të aftë të triumfojmë dhe e di se kemi një mundësi, por nuk jam profet dhe nuk është puna ime të jem i tillë. Edhe nëse premtoj se do ta fitojmë titullin, nuk ka asnjë garanci se ne do t’ia arrijmë. E vetmja gjë që mund të them është se ne duam ta fitojmë Kupën e Botës. Do të japim gjithçka dhe do të luajmë me zemër e pasion, që të gëzojmë tifozët tanë. Nuk mund të them se do ta fitojmë Kupën e Botës”.

 

Çfarë atmosfere prisni këtë Botëror?

“Kupa e Botës zhvillohet në vendin që mishërohet me futbollin më shumë se çdo vend tjetër. Prandaj, niveli i entuziazmit do të jetë i bujshëm. Këtë e ndjeva vitin e kaluar në Kupën e Konfederatave. Futbolli ka një fuqi të mbinatyrshme në Brazil. Kjo fuqi ishte e jashtëzakonshme vitin e kaluar dhe do të jetë akoma më e fortë në Kupën e Botës. Jam i paduruar për të parë lojtarët më të mirë në botë që do të konkurojnë në një kampionat kaq cilësor. Pres që futbolli të ngjitet në një tjetër nivel në Brazil. Loja evoluon vazhdimisht, si lojtarët dhe skuadrat. Një Kupë Bote mbledh më të mirat dhe të testosh veten ndaj më të mirëve është përmbushëse. Brazili dhe njerëzit e tij të mrekullueshëm e me zemra të dashura do të jetë një mikpritës fantastik”.

1 komente në “INTERVISTA/ Lëv: Futbolli do të ngjitet në një tjetër nivel në Brazil 2014!”

  1. Eno says:

    E di qe komenti im nuk eshte 100% ne lidhje me shkrimin, por me shqeteson fakti qe do shohim boterorin me komentuesit e RTSH :(. Ai tipi qe komenton ndeshjet e kombetares asnje emer lojtari nuk e thote ne rregull. Flet pa lidhje, kruan fytin dhe te ben te humbesh interesin e ndeshjes. Ju lutem shkuani nese jeni dakort me mua dhe nuk I dihet mbase caktojne ndonje komentues tjeter.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje