Ditari i Kosovës/ Historia e Osman Musës, “qëndrestarit” të vetëm pa këmbë (5)

16 Qershor 2014, 18:46Rajoni TEMA

Nga Mero Baze 

 

Osman Musa kishte qëndruar i vetëm me gruan e tij në gjithë qytezën e minatorëve të quajtur “Tuneli i parë”, pranë Trepçës. Takimi me të në të vërtetë më ndryshoi vizionin tim për çfarë kishte ndodhur. Dukej se asgjë nuk ishte bardhezi. Asgjë nuk ishte vetëm urrejtje dhe luftë. Kishte dhe kombinime jetësore të bashkëjetesës. Kishte dhe ngjyra që e bënin më të fortë dramën e Kosovës.

Osmanit i ishte vrarë djali në UÇK, në zonën e Nerodimës. Ishte vrarë në javën e parë të muajit maj dhe kishte qenë 19 vjeç. Ai vetë ishte terrorizuar nga të ndenjurit mes paramilitarëve për tre muaj dhetashmë mezi e tregonte historinë e tij.
Ne shkuam në shtëpinë e tij, ndërsa ishim duke kërkuar historinë e zhdukjes së mundshme të 300 shqiptarëve, të cilët figuronin të ikur nga burgu i Smerkonicës, por nuk rezultonin të regjistruar askund.

Gazeta amerikane “New Jork Times” kishte shkruar një ditë më parë se ata mund të ishin zhdukur duke u djegur në shkritoren e Zveçanit, përballë “Tunelit të Parë”, ku kishte shtëpinë Osman Musa. Ky ishte dëshmitari i vetëm shqiptar i qytetit dhe ne s`kishim ku përplaseshim tjetër. Oficeri francez na kishte paralajmëruar për humbjen e djalit të tij. Mbajta afër Arzanën, vajzën e Mehmet Krajës që dinte shqip, anglisht dhe pak serbisht dhe iu kishte shërbyer gazetarëve anglezë si përkthyese, por dhe mua si udhërrëfyese. I thashë të mos iu tregonte që donim të bënim intervistë me ta, por thjesht që donim t`i ngushëllonim.

Trokiti e para dhe iu shpjegoi se na kishte rënë rruga andej dhe donim t`i ngushëllonim për djalin.

Na ftuan brenda. Fitorja e parë m`u duk se u arrit. Osmani rrinte i ulur në krye të dhomës mbi një divan të gjerë dhe kishte hedhur para gjunjëve një batanije. Nuk lëvizi nga vendi, por na zgjati të gjithëve dorën. Pas pak hymë në bisedë.

I thamë se po kërkonim të dinim se ç`kishte ndodhur dhe ç`kishte parë ai nga dritarja e shtëpisë në sheshin qendror të qytezës.

– Dita e parë ka kenë zi, – tha. – Krejt njerëzit ikën. U mblodhën në sheshin kryesor dhe hipshin në makina. Dhe serbët iu kanë pas dhënë do kamiona të minierës me ik. Kan ndihmu nga pak dhe ata. Ikshin të gjithë. Meremja i ka pa krejt nga dritarja si iknin. Shkonin në Shqipni, se kish pas thënë televizioni i Shqipnisë: “Ejani te ne, se iu mbajmë krejt”. Ai Pandeli Majko kishte pas thënë.

– Po kamiona me të burgosur a ke parë? – i thashë. -Kamiona që mund t`i kenë çuar njerëzit në Zveçan, përballë?

U hutua pak, ndoshta s`kuptoi mirë as toskërishten time.

– Jo vallahi, – tha, – krejt me kamiona për Shqipni kanë ik, s`di çka me thanë. Ditë e parë ka kenë zi krejt. Ne mbyllëm derën fort nga brenda dhe rrijshim ja këtu. I kena kqyr krejt. Po Meremja ma shumë, se unë s`mundja.

Pastaj, ditën e dytë, ishte ma qetë, por ikshin prap. Ditën e tret po prap ikshin. Pastaj ma qetë ishte. Po na zuri frika, se kishim frikëne djalit. E kena një kojshi të parë ktu, që ka qenë me këta paramilitarët. Ai e dinte punën e djalit, por s`na ka ngajt S`di ç`ka bërë gjetk, por ne s`na ka ngajt.

Ditën e katërt në mesditë ra dera fort. Meremja u ngrit me vrap dhe u turr tek arka e djalit. I qiti krejt letrat që ishin aty e i shkeu. U afrova dhe unë zvarrë dhe nisëm me i shky të dy. I shkym e i hodhëm në banjë. Dera binte fort e ne i hidhshim në banjë. Dera vazhdonte të binte më fort e ne më shpejt. Dikur, ne mbaruam, por dera vazhdonte të binte. I thashë, Mereme hape bre, le të na vdesin tash që i shkym letrat e djalit. Se nuk i dijshmim ç`ishin ato letra. Ishin do vjersha, se djalin e kena pas në Medrese dhe ka pas shkrujt. Meremja nuk dëgjoi me hap derën dhe dikur ata e shqyen. Hynë brenda, veç kur na panë ne, dy pleq.

– A jeni mirë bre? – foli njëri prej tyre serbisht.
- Mirë jena, – i thashë.
- Mos u trembni, – tha. – Jemi Kryq i Kuq grek. Kemi sjellë candihma. Thamë se keni vdek, se na thanë janë dy pleq vetëm, ndaj e shqyem derën.

– Kishim frikë me e hap, – i thashë, – se nuk thatë kush jeni.
- S`ka problem, – tha, – e ndreqim.
Na lanë do pako dhe ikën.
Pastaj erdhi një kojshie që kemi në kat të pest. Është nji serbe,por është motër mediecine(infermiere). Me ne vallahi është sjell mirë. M`i gjeti do ilaçe për diabet, se më kishin mbaru. Dhe më ka pas thënë dhe për nevoja të tjera çfarë kam.

Rrëfimi i tij vazhdoi me hollësi të tmerrshme të panikut, pasigurisë dhe bashkëjetesës me serbët. Tregoi çdo detaj. Donte të shfrehej.

Pastaj, pak nga pak filloi t`i dridhej mjekra. Tregoi sesi i kishte ardhur lajmi që djali i ishte vrarë në Bjeshkët e Radomirës. S`dinin si t`i gjenin trupin dhe varrin. S`dinin kush e kish varrosur. Meremja s`e kishte fshehur dot dhe ia kishte thënë komshies serbe të katit pestë, që ishte infermiere. Ajo ishte tronditur dhe i kishte thënë të shkonin bashkë. Dhe e kishte çuar me makinë deri afër vendit, ku ishte varri dhe e kishte sjellë prapë në shtëpi. Ishte diçka e papërfytyrueshme.

Meremja dëgjonte dhe qante më dënesë.

– I shkym dhe letrat e djalit kot, – tha. – Të paktën të kishim një kujtim tani. Krejt i shkym atë ditë prej frike.

– Po ju pse s`ikët? – i thashë. – Pse qëndruat?

– Ku me ik? – tha Osmani dhe hoqi batanijen.

Pamja ishte shokuese. Nuk kishte këmbë. I kishte prerë në minierë dhe gjithë jetën kishte punuar pastaj në ad- ministratë të minierës.

U turbullova nga pamja, por dhe nga arsyet njerëzore të qëndresës së tij në shtëpi. S`kishte këmbë të ikte. Historia e djalit ishte një sfond shumë heroik, para një arsyeje fizike që ai kishte. Dhe mbi të gjitha, kishte shumë pak gjëra për të treguar për ne që donim gjëra të forta dhe zbulim krimesh.

E pyeta se ku ishte sot komshia serbe që i kishte ndihmuar.

– Ka ik, – tha, – qysh dje. S`di pse iku vallahi, por ne s`na ka bë keq. Ndoshta ka bë keq diku tjetër. S`di ç`të them.

Ikëm nga Osmani dhe po mendoja sesa e vështirë ishte të përsh- kruaja ngjyrat e dramës që sapo kishte kaluar ky vend. Asgjë nuk ishte siç e paragjykoje. Asgjë nuk i ngjante një dashurie dhe urrejtjeje klasike. Vende-vende ngjyrat përziheshin dhe ishte mëkat të bëje sikur s`i shihje. Kolegu ynë anglez ngulte këmbë që duhet të ktheheshim sërish nesër për këtë histori. Për historinë e zhdukjes së 300 shqiptarëve që mund të ishin djegur në Zveçan. Tani kishim një dëshmi të re dhe një adresë për një polic shqiptar që jetonte në fshatin Hajvali para Prishti- nës. Të nesërmen duhet të ishim atje.

2 komente në “Ditari i Kosovës/ Historia e Osman Musës, “qëndrestarit” të vetëm pa këmbë (5)”

  1. skender says:

    o Mero po ktyre familjareve qe mbeten pa baballare me 21 janar a po ja denoni kriminelet qe i njeh cdo shqiptar , me kthe pergjigje te lutem ???

  2. calma says:

    Komentet off ke intervista kadares.Pse se foli saktesisht?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje