INTERVISTA/ Mustafaj: Nuk ka dilema mes Bashës dhe Berishës, Berisha i përket përfundimisht të kaluarës

16 Qershor 2014, 18:50Politika TEMA

Ish- ministri i Jashtëm dhe politikani i vjetër Besnik Mustafaj është larguar tashmë nga karriera e tij 20-vjeçare. Ai nuk jeton më në Tiranë, por në këmbët e Dajtit, nuk merret më me politikë, por me letërsi, nuk i ndjek më ethshëm lajmet e metropolit, por preferon t’i mësojë ato nga fshatarët që kthehen nga pazari në kryeqytet. “Më quani shkrimtar, dua të më harrojnë pak fytyrën si politikan”. “Berisha la një PD të shpartalluar, që vazhdon të sillet si e tillë”

Intervistoi: Skënder Minxhozi*

 

Zoti Mustafaj, si jetohet pranë Tiranës, por gjithsesi jashtë dinamizmit stresant të qytetit? Si jetohet gjithashtu pa lukset teknologjike të jetës së sotme? Mesa dimë, i rrini larg gazetave, televizionit dhe internetit… Dikush thotë se ky është ideali i njeriut modern. Pajtoheni me këtë përcaktim?

Nuk dua të bëj përgjithësime. Për sa më përket mua, unë jetoj si një njeri në paqe me veten, si një njeri, gjithashtu, i cili, në moshën 50 vjeçare ia mbushi mendjen vetes se e kishte mbyllur një rrugë, që ishte rruga e politikës, për t’ia kushtuar jetën e vet diçkaje tjetër, që kërkon një përqendrim po aq të madh, por të shprehur krejt ndryshe. Kjo “diçkaja tjetër” është letërsia. Rrjedhimisht, nuk kam asnjë nevojë praktike për ato që ju i quani lukset teknologjike, siç janë interneti, televizori apo qoftë edhe gazetat e përditshme. Për të shkruar romanet apo esetë e mia, nuk më nevojitet “informacion i freskët”. Për më tepër që vetë informacioni i ditës tek ne, për fat të keq, nuk është dhe aq i freskët. Është një përsëritje e përditshme e të njëjtave gjëra, me të njëjtët protagonistë. Njohja e thellë që kam nga brenda e mjedisit tonë politik, më lejon të marr me mend pa u gabuar shumë se çfarë thonë e çfarë bëjnë udhëheqësit tanë.

Megjithatë, për të qenë i sinqertë, unë nuk jetoj krejt i shkëputur. Nuk jam ithtar i Robinson Kruzozë unë. Herë pas here zbres në Tiranë, ku kaloj nga pak kohë me miqtë e mi, që më japin veç informacioneve, edhe thashethemet që gëlojnë në mjediset e vendimorëve tanë në qeveri, apo edhe në opozitë. Po ashtu, shpesh, në fund të pasdites, shkoj në kafenenë e fshatit, ku bashkëfshatarët e mi, të cilët zbresin në qytet çdo mëngjes për të shitur qumështin apo zarzavatet, më përcjellin me një saktësi të çuditshme, gjithë ç’flitet në Tiranë për politikën, për diplomacinë, madje edhe për ndodhirat “people”. Me atë rast ndjek në televizionin e kafenesë edhe edicionin e lajmeve të radhës dhe i komentojmë me bashkëfshatarët. Unë ju bëra një përshkrim të përmbledhur të asaj çfarë bëj unë. Nuk e di nëse ky është ideali i njeriut modern, por unë vetë kam arritur te kjo zgjedhje, pasi e kam jetuar me një intensitet shumë të lartë për 20 vjet jetën e njeriut modern.

Si duhet t’ju quajme? Ish-politikan, shkrimtar, apo thjesht një person i njohur publik, i ngopur me tranzicionin e gjatë e plot sherre të Shqipërisë?

Më quani “shkrimtar”. Unë i kam ndërprerë edhe daljet në televizor qysh nga fillimi i këtij viti, me qëllimin për të dalë pak në harresën e njerëzve si “ish-politikan”. Më saktë, dëshira ime është që të më harrojnë pak fytyrën si politikan. Mund të tingëllojë pak si mani kjo që po bëj, por edhe në qoftë e tillë, vetëm sa shpreh atë që ju e përmendni edhe në pyetjen tuaj: një mbresë të bezdisshme që ka lënë në trurin tim ky tranzicion i gjatë e plot sherre, si në asnjërin nga vendet e tjera ish-komuniste. Në subkoshiencën time, me sa duket, nuk më pëlqen më të jem pjesë e kësaj kaste që ka udhëhequr dhe udhëheq tranzicionin.

Pyetje banale, por e detyrueshme. A keni ndonjë krijim në dorë momentalisht?

Po. Pas romanit “Autoportret me teleskop”, që ishte “prodhimi” im i parë postpolitik, i cili u botua vjeshtën e kaluar edhe në Tiranë te “Toena, edhe në Prishtinë te “Koha”, tani po punoj për një libër me ese, titulli i të cilit do të jetë “Bishti i kometës”. Dua ta përfundoj për në vjeshtë, pra jam në fazën më delikate, kur kryesisht ripunoj tekste të shkruara tashmë, që do të thotë se vëmendjen më të madhe e kam te përsosja e gjuhës. Shqipja është një gjuhë shumë e pasur, shumë e bukur, me mundësi të pashtershme shprehjeje për një shkrimtar, me kusht që shkrimtari të gërmojë me durim dhe dashuri brenda saj.

Tjetër pyetje banale, por edhe kjo korrekte në raport me interesin e lexuesve: vazhdoni ta shihni veten jashtë politikës në dhjetë vjetët e ardhshme?

Po ju tregoj një ndodhi të vogël për të qeshur pak. Kur dhashë dorëheqjen si ministër i jashtëm, unë thashë publikisht vetëm se “jam i lodhur”. Dhe ishte e vërtetë. Disa kohë më vonë u takova me Fatos Nanon në pritjen e një ambasade të huaj, që kishte festën kombëtare. Pasi u përshëndetëm, Fatosi më këshilloi: “Besnik, mos u ç’lodh gjatë! Ta them nga përvoja”.

Me mendjen e sotme, pyetjes tuaj jo dhe aq banale, do t’i përgjigjesha pa ngurrim se po, edhe në dhjetë vjetët e ardhshme, e deri në fund të jetës e shoh veten jashtë politikës. Por nëna ime e ndjerë thoshte se vetëm budallai nuk ndryshon kurrë mendje. Dhe mua nuk më pëlqen ta shoh veten si budallë. Do mbajtur, megjithatë, parasysh edhe këshilla e Fatosit. Unë e kam tejkaluar tashmë kohën e natyrshme për çlodhje. Që do të thotë se një rikthim në politikë do të ishte shumë i ndërlikuar, me vështirësi që burojnë nga ndryshimet që kam pësuar unë në disiplinën time të të menduarit, për t’ju përshtatur punës së shkrimtarit, por edhe me vështirësi që burojnë nga aktorët e tjerë, që popullojnë sot skenën e politikës. E përmend këtë fakt vetëm për të thënë se po të tundohem një ditë të ardhme për t’u rikthyer në politikë, duhet t’i llogaris mirë edhe këta faktorë.

Le t’i kthehemi letërsisë. A nuk keni përshtypjen se botojmë shumë libra? Më shumë sesa mundemi dhe duam të lexojmë realisht?

Në parim mendoj se kurrë nuk botohen libra me tepri. Por, në kontekstin e botimeve në Shqipëri, ka vend për vërejtje të thella. Kam parasysh këtu që më shumë se tri të katërtat e librave botohen me vetëfinancim nga autorët apo edhe përkthyesit, çka dëshmon për një sëmundje të rëndë grafomanie të shqiptarëve.

Rrjedhimisht, botuesit janë kthyer në një masë të madhe, në shërbyes symbyllur të kësaj grafomanie. Ata nuk e bëjnë me përgjegjësi profesionale detyrën e tyre si botues për ta gjykuar cilësinë e tekstit, për ta redaktuar e korrektuar tekstin e për t’u përkujdesur me pasion deri sa ky tekst mbërrin të lexuesi. Ata nuk shërbejnë pra si garanci për cilësinë e tekstit para lexuesit. Thjesht e faqosin materialin që u kanë dhënë grafomani dhe e dërgojnë në shtypshkronjë përkundrejt faturës. Po të shohësh në indeksin e Bibliotekës Kombëtare ku është me ligj i detyrueshëm depozitimi i të gjitha botimeve, shumicën e autorëve nuk di si t’i klasifikosh. Nuk janë as shkrimtarë, as poetë, as historianë. Po çfarë janë? Kjo sjell një çoroditje në librari dhe tek lexuesi. Për më keq, edhe mungesa e kritikës e shton këtë çoroditje.

Sapo është mbushur viti që kemi kryer një palë zgjedhje, të cilat i konsideruam ndër më të mirat. Ndërkohë Kosova votoi dhe i numëroi votat brenda natës. Si ju duket kjo kundërvënie?

Unë gëzohem sinqerisht se institucionet në Kosovë funksionojnë gjithnjë e më mirë në funksion të ligjit. Ato rrëzojnë kështu një dyshim që ka ekzistuar gjerësisht në komunitetin ndërkombëtar, nëse do të ishte e mundur që të ndërtohej në Kosovë një shtet i qëndrueshëm. Ishte një dyshim që e përhapnin me shumë ligësi qarqet serbe, për të penguar pavarësinë e saj. Por nuk jam nga ata që shohin në një fakt si ky që përmendni ju, një dëshmi se shoqëria në Kosovë është më e pjekur në raport me demokracinë, se shoqëria jonë këtu. Jo. Ne thjesht jemi “më pa dëshmitarë se në Kosovë”, gjë që i lejon klasës tonë politike ta lëshojë më pa fre veten në luftën për pushtet, me çdo kusht. Një luftë e tillë doemos që çon në dobësim të institucioneve, përfshitrë këtu edhe institucionet e caktuara me kushtetutë për të organizuar zgjedhjet. Sa për shembull, ju ftoj të kujtoni si e shkatërruan të dy palët KQZ-në vitin e kaluar dhe që e kanë lënë sot e kësaj dite të gjymtuar.

A është një Shqipëri “e rilindur” kjo e sotmja, siç premtonte pala fituese para një viti?

Formalisht më duket ende shpejt për të nxjerrë përfundime mbi bilancin e një qeverie, kur ajo nuk e ka mbushur vitin në pushtet. Do të thosha, megjithatë, se vetë koncepti i “Rilindjes” është patetik dhe jo realist. Ky koncept mund t’i shkonte vitit 1997, jo vitit 2013. Një koncept i tillë reflekton mentalitetin nihilist që ka edhe Edi Rama, ashtu si paraardhësit e tij të majtë e të djathtë gjatë këtyre 25 vjetëve, sipas të cilit “historia fillon me mua”.

Shqipëria e vitit 2013 kishte një mori problemesh, ku më shumë e ku më pak të rënda, të cilat kërkonin zgjidhje. Elektorati shqiptar ishte i bindur se po të vazhdonte në qeverisje Sali Berisha, këto probleme vetëm do të thelloheshin. Sepse Sali Berisha, në bindjen time, siç edhe ja kam thënë publikisht asokohe, e kishte humbur lidhjen me realitetin. T’i përgjigjesh kësaj pritjeje të elektoratit është në logjikën e alternancave demokratike të pushtetit. Çdo përpjekje për të krijuar psikoza katostrofiste siç nënkupton nevoja për “rilindje” është, sipas mendimit tim destruktive, edhe për vetë bartësit e “rilindjes”. Domethënë, për vendin. Kam takuar deri tani dy nga miqtë e mi biznesmenë, të cilët kanë marrë një pjesë të mirë të borxheve që kishin me qeverinë e kaluar. Janë shuma të qenësishme monetare. Do i investoni? i kam pyetur. Jo, më kanë thënë secili pavarësisht njëri-tjetrit. Pse?

Përtej mirënjohjes njerëzore që ndjenin për Ramën, që i nxorri nga halli, ata nuk shihnin ende ndonjë shenjë bindëse se kjo qeveri po krijon një klimë të shëndetshme për investimet. Pra, në kushtet kur korrupsioni nuk po ulet, kriminaliteti i vogël e i madh po ashtu nuk po ulet dhe nuk po ndërtohet një politikë vërtet nxitëse për investimet, qofshin ato të brendshme apo të jashtme, do të thotë se qeveria nuk po i përgjigjet ende pritjes së elektoratit. Zhgënjimi, në mos pastë filluar, do të fillojë pa vonesë.

Keni formuluar kohë pas kohe kritika jo të thjeshta ndaj ish-forcës tuaj politike. Si po sillet PD e sotme, një vit pas rënies së zhurmshme në zgjedhje?

Së pari dua të saktësoj se PD nuk është ish-forca ime politike. Për aq sa jam i lidhur unë më politikën e ditës, mbetem gjithnjë në anën e saj. Edhe pse nuk më lidh ndonjë e ardhme karriere as me PD-në e as me ndonjë parti tjetër, me PD-në më lidh një histori shumë e gjatë. Për të qenë i ndershëm me këtë histori, por edhe me publikun që më ndjek, unë jam kujdesur të mos lë kurrë përshtypjen e një “analisti të paanshëm”. Edhe kritikat që kam bërë e që do të vazhdoj të bëj ndaj kësaj force politike, janë haptas kritika “nga brenda” PD-së,” me synim shëndoshjen e saj sa më të shpejtë.

Berisha la një PD thellësisht të shpartalluar. Dhe ajo vazhdon të sillet si e shpartalluar, edhe një vit pas daljes në opozitë. Çdo ditë e më shumë po bindem se ka nevojë për një rithemelim të Partisë Demokratike, gjë që e kanë bërë shumë parti evropiane të qendrës së djathtë. Një rithemelim do e shkundte fund e majë dhe do të krijonte kushtet për të futur natyrshëm një frymë moderne demokracie.

Fillimi i një procesi rithemelues do të çelte ndoshta rrugën për një rithemelim të krejt të djathtës shqiptare, duke ju afruar kështu mentalitetit të vërtetë të të rinjve që duan të merren me politikë dhe të cilët nuk i lidh asgjë me modelin funksionues, që shohim sot. Kaloi një vit dhe ne nuk shohim ende një Parti Demokratike të aftë për të mishëruar një shpresë të re te shoqëria. Pas një viti vendi shkon në zgjedhje. Pavarësisht se janë zgjedhje për pushtetin vendor, ato kanë një rëndësi shumë të madhe për jetën e përditshme të shqiptarëve. Një parti në opozitë ka për detyrë të fillojë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, qysh të nesërmen e humbjes së pushtetit. Në Partinë Demokratike nuk shoh asnjë preokupim për këto zgjedhje. Kjo tablo më trishton shumë. Pushteti i sotëm ka një shumicë shtypëse në parlament. Në qoftë se pas një viti do të marrë edhe një shumicë të tillë në qeverisjen vendore, atëherë do të kemi padyshim instalimin e një regjimi kërcënues, për vetë themelet e demokracisë. Po ndodhi kjo, fajin do e ketë vetëm opozita, e konkretisht Partia Demokratike, e cila ka një përgjegjësi historike ndaj Shqipërisë.

Sa e madhe është sipas jush, dilema Basha-Berisha në PD e sotme?

Në PD-në e sotme nuk ka vend për dilemë Basha-Berisha. Dhe, në komunikimet jo më dhe aq të shpeshta që kam unë me demokratët e thjeshtë, vërtet nuk shoh ndonjë dilemë. Berisha i përket përfundimisht të kaluarës. Madje dhe ai vetë, në daljet vullnetare publike, qoftë nëpërmjet rrjeteve sociale e qoftë në parlament, vetëm e përforcon pareshtur ngjyrën e vjetruar të stofit të tij politik.

Ka një gjuhë të vjetëruar, ka një agresivitet të vjetruar, ka një stil të bëri politikë të vjetruar.

Ishte tepër e rëndë ajo që i ndodhi atij, një burri 70 vjeç dhe me karrierën e tij: ambasada amerikane në Tiranë u detyrua ta përgënjeshtronte. Në praktikën e diplomacisë amerikane, janë tepër të rralla rastet e përgënjeshtrimit. Në dijeninë time, për shembull, ky është rasti i vetëm që ambasada amerikane bëri përgënjeshtrim publik të një politikani shqiptar, në këto 24 vjet. Do të thotë se kësaj here, zullumi i bllofit në gojën e Berishës ishte aq i trashë, sa nuk mbante më. Keqpërdorimi i miqve të Shqipërisë zbulon edhe keqpërdorimin e halleve të vërteta që kanë shumë e shumë shqiptarë, me vetë qeverinë e Ramës. Rrjedhimisht, këta shqiptarë hallexhinj nuk do t’ia besojnë shpresën e tyre për zgjidhjen e këtyre halleve, një njeriu si Berisha. Pra, edhe pse nuk ka një dilemë të vërtetë në PD-në e sotme midis Bashës dhe Berishës, ka një hapësirë leadership-i të mbushur ende shumë zbehtë nga vetë Basha.

Demokratët e thjeshtë, por edhe ata të zgjedhur në strukturat përfaqësuese, treguan një pjekuri të madhe politike dhe një vullnet të lavdërueshëm për të vështruar përpara, duke kapërcyer aq lehtë lëndimin që pësuan në sedrën dhe në bindjet e tyre gjatë ballafaqimit zgjedhor Basha-Olldashi. Ata e bënë, pra, pa vonesë hapin e tyre për t’i dhënë Bashës legjitimitet kryetari. Mbetej në dorën e Berishës ta lexonte mirë këtë situatë brenda partisë dhe ta shndërronte në energji politike ripërtëritëse për partinë. Në këtë pikë atë nuk mund ta ndihmojë askush. Frymëzimi dhe vizioni i Leader-it, e ka burimin vetëm brenda Leader-it. Ose nuk e ka.

Ju thoni se nuk e ndiqni televizionin, por me siguri keni dëgjuar për atë që ndodh të enjteve në parlament. Si ish-deputet me stazh të gjatë, si e shihni debatin e sotëm parlamentar?

E pyeta një ditë gruan nëse ka qenë i tillë, kaq rrugaç debati parlamentar edhe kur brenda sallës isha unë. Më kishte pushtuar një ndjenjë e keqe neverie. Ishim në Tiranë te shtëpia e djalit, ku ka televizor. Sepse në shtëpinë time në Priskë nuk kemi fare televizor. Gruaja më tha se jo, nuk ka qenë kaq i degraduar. Qoftë edhe për të mbrojtur një grimë respekti për përkushtimin e gjatë që i kam dhënë jetës parlamentare, isha i prirur ta besoja gruan. Një gjë është e sigurtë: Taulant Balla apo Erion Braçe, si kundrapart i Berishës në vitet e mandatit të tij të dytë si kryeministër, nuk kishin fuqinë dhe as zellin që ka Rama për ta barazuar vulgaritetin me paraardhësin e tij. Pra, përgjegjës kryesor për këtë derexhe shëmtie në sallën e parlamentit, më shumë se Berishën unë bëj Ramën, i cili edhe pse 20 vjet më i ri se Berisha, dëshmon një pasion aq të madh për ta imituar Berishën, në anët e tij më të pahijshme.

A do ta marrim statusin e vendit kandidat pas një jave?

Unë sinqerisht nuk gjej arsye parimore pse të mos e marrim. Por, gjithçka mund të ndodhë.

Si ish-ministër i jashtëm dhe diplomat me eksperiencë të gjatë, si e konsideroni politikën e jashtme të Shqipërisë momentalisht?

Politika e jashtme është në binarët ku u vendos qysh në vitin 1991 dhe kjo është gjë e mirë. Do të thosha se të vetmet stonatura të dëgjuara gjatë këtij viti, e që kanë qenë stonatura deklaratash, kanë dalë nga goja e kryeministrit, i cili nuk ka përvojë në politikën e jashtme dhe kjo dihet. Por kjo mungesë përvoje do të mbulohej po të zgjidhte një këshilltar të mirë diplomatik, i cili duket se i mungon. Do të ishte në të mirën e tij dhe të vendit që ai vetë të fliste sa më pak për politikën e jashtme. Në njerëzit që e rrethonin, më duket se Rama ka zgjedhur më të përshtatshmin për t’i besuar Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Si veteran i kësaj pune, ministrit aktual do i sugjeroja vetëm një besim më të madh në vete, për t’i prerë rrugën keqpërdorimit të tij nga ana e eprorëve, si në rastin kur shpalli publikisht se do të padiste në prokurori paraardhësin e vet lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes për detin me Greqinë. Një ministër i jashtëm, që ndjehet mirë me kostumin e funksionit të vet, nuk bën gjëra të tilla, që e nxjerrin atë në një dritë të padenjë.

*Revista JAVA

14 komente në “INTERVISTA/ Mustafaj: Nuk ka dilema mes Bashës dhe Berishës, Berisha i përket përfundimisht të kaluarës”

  1. skender says:

    ky eshte nje tropojan allasoje miku i sokolit djalit te ver hoxhes , me von demokrat poetik ka privatizuar pa pas asnje pellem toke,gjithe tokat rreze dajtit ,shkurt vjedhje ne bashkpunim nje poet medioker kuptohet derisa i futet politkes ,shkurt nje llum qe vetem jashqitje i ka falur shoqerise asgje me teper

    1. Devolliu says:

      Unë kam lexuar shumë letërsi, autorë shqiptarë e të huaj, por nuk kam lexuar asgjë e nuk kam dëshirë të lexoj ndonjë gjë nga ky shkrimtaruc, me përjashtim të ndonjë interviste e prononcimi të tij në shtyp si kjo e sotmja.

    2. Viktor says:

      Avantazhi me i madh i Berishes ne keto 20 vite ka qene se te gjithe ata “demokrate” qe e kane sulmuar , shpesh here dhe me te drejte, kane qene njerez me sh me pak kontribute dhe kredibilitet tek demokratet sesa ai. Ti Besnik je nje nder ata …

  2. fllad says:

    Pa u fut ne burg ( nuk ka denim me vdekje) nuk ka i perket te kaluares. Jemi akome tek e tashmja se denimi i tij dhe te tjere si puna e tij( qe nuk eshte “e kaluara”) percakton se si do jete e ardhmja e ketij vendi.

  3. radioskopist says:

    Puna eshte se edhe Basha i perket te kaluares.Ne c’do ministri qe ka qene Berisha e ka korruptuar dhe e shantazhon sipas deshirave te tij Bashen.Basha,me vjedhjen ne rrugen e Kosoves,nenshkrimin e faljes se detit e urdherin per vrasjen e 4 te pafajeshme,plus frikes e nenshtrimit nga presioni i Berishes,perben nje person me te rrezikshem e me te papergjegjshem se sa Berisha.Kam idene qe edhe Kushtetuta duhet qe te ndaloje konkurrimin e personave te tille me rrezikshmeri shteterore e per komunitetin.I takon demokrateve te ndershem e atdhetare te largojne nga drejtimi i idealeve e perpjekjeve te tyre njerez te tille si Basha e Berisha.Koha ka mbaruar per te dy keta kriminele.Ti Besnik,duhet ta dish mire se kush eshte Berisha e Basha sepse ke punuar ne KQPPSH ku njeriut i kritikohej nje e paruajtur e mjekres e jo me krimet e Bashes.Basha mund te jete i mire per nje Front Serb antishqiptar.

  4. mullfuckmustafa efendiu says:

    Me shume do respektoja nje kriminel te sinqerte si berisha se sa nje monster ish marksist islamik me emrin bisnik mulla mustafa.

    eshte me shume se kriminale qe ky monster te na dale te na thoje se ujkut berish i kane rene dhembet dhe gjarperi lulzim basha nuk ka helm serb.

    turp zoti minxhozi dhe baze qe jepni plehra te tille..

    se kushe eshte ky turkoshak frengjisht foles koha do ta vertetoje..mjafton te lexoni dy veprat e ketij gazepi :KAFET TURKE NE SELANIK dhe nje interviste ku e tregonte veten disident myslyman ne moshen 9 vjecare “ne bisedat me ate fare gjyshi analfabet.

    Shpresojme se zoti mero nuk do ti beje komentet off…vijon

    cojeni te muxhahidinet kete legen

  5. sali says:

    The nuk merem ne politik.Po bere politik.mbrojete zullumet e berishes se je npjese e tyre.nga frika e ndonje goditje prapa koke,nga ato tetipit berisha,vure shenje barazimi me ramen.Po nuk tregove me te madhen,ku I gjete paret poer ate vien ne prisk.Po ai kontrolli I deklarimit te pasurise,te ka thirrur ndonje here.ore kaq budalla e dini ju maloket kjete popull?jazek te qoft shkruan dhe libra…….

  6. luli i vocerr says:

    Me vjen shume keq per Skenderin qe per mua eshte nje gazetar i nderuar,qe harxhon kohen kot per te intervistuar nje njeri,qe te na bej moral se sali berishovici i takon te kaluares,jo berishovici i takon burgut,e ndriti ky ne politik,dhe tani do te na relaksoj me letersin e tij,une jame nje njeri qe e ka qejf librin ,por nuk ja lejoj vetes te lexoj zhgaravinlleqet e ketij gjasme shkrimtaruci.

  7. Hemi says:

    Une jam i skansalizuar kur lexoj keto lloj komentesh pa lidhje.
    Besnik Mustafaj eshte nje njeri i nderuar, pa asnje lloj ezitimi do te thoja qe: eshte demokrati i duhur per reformimin e PD-se.

  8. llulla says:

    Besniku eshte realist ne ato qe deklaron – por si gjithmone ne PDH zerat kunder flasin shume shume me vonese…

    Te shkosh pas qerres se nje plaku te rrjedhur qe shan para e mbrapa dhe asnje nuk ka guxim ti thote te shkerdhefsha “Lirine” qe na e solle ne Shqiperi nga serbia eshte krim me veten ne radhe te pare…

  9. -..”me mua fillon histori tjeter” do ta riformuloja nje fraze te z.Mustafaj.
    ..rithemelim?! jo nuk me bind,..aq sa mund te rithemelohet partia komuniste,si emer, se koha i ka transformuar standartet.
    …politika e jashtme ..ka qene si nje rrjet supermarketesh ,me ndryshime te parendesishme.
    ..duhet te kishte pak miresi te vleresimi jo i njeanshem politik,i cili per hir te vertetes po merr fryme tani,megjithese duke dale nga gropa e politikes se djeshme ..do kete dhe aritmi.
    ..doktori,si zot kujtoi se do perbalte edhe amb.amerikane,sic ka perbaltur kurdohere kundershtaret,por hundleshi ishte Rama qe me baltosjen e doktorit ka marre pak pisllek dhe s’kish si te ndodhte..
    ..je pak i njeanshem por kuraja eshte nje thyerje tabuje ,nje rifillim per mire.

  10. shqip hesapi says:

    O Minxhoz,me thuaj ti se cfare perfitova une nga kjo inteviste.A po,po se harrova se hajduti,shkrimtaruciper 40 vjet,frikacaku etj nuk paska televizor ne shtepi dhe shkon e sheh tek djali ne Tirane.Ai paska rene ne fashataresine e shek.17.Minxhoz mos e ul veten ne kete derexhe dhe te pakten a i more parate e shkrimit ?

  11. Pacifisti says:

    Besnik Mustafai , shkrimtari mediokër i cili shkatërroi diplomacinë shqiptare , duke e bërë atë pasqyrën më negative në botë! Të jesh ministër ose ish ministër i jashtëm duhet në radhe të parë të plotësosh disa kushtë qytetare historike:
    1- Prejardhja familjare duhet ti takojë familjes historikisht me vlera qytetare , patriotike , aresimore dhe kulturore.
    2- Të njohësh etikën dhe sjelljen evropiane borgjeze .
    3- Të njohësh 5-6 gjuhë të huaja.
    4- Të mos ndikohesh nga politika partiake .
    5- Të disponosh nje garderobë diplomatike dhe jo veshje fshatarësh të pa kombinuar!
    6- Të kesh njohuri enciklopedike në të gjitha aspektet. Dhe e fundit , alkolin dhe duhanin ta pish me masë dhe në mënyrë të kontrolluar. Nuk kam dyshim se bashkëfshatari i Vucidolit nuk plotëson asnje kriter të sipërshkruar! Besniku ishte thjesht nje ushtar i bindur islamik i Sali Berishës dhe asgjë më tepër!

  12. shqipetaret e vertete says:

    Mustafaj.Ti ke bere gabime te pa falshme.Shqipetaret ti falin ato ne qofte se je shqipetar i vertete te denancosh fashizmin feudal shqipetar,fashizmin e hajdutit zog,fashizmin e enver hoxhes ramiz alise Adil carcanit,fashizmin e fatos nanos kastriot islamit rexhep meidanit,fashizmin e hajduterise te sali berishes dhe lulezim bashes.Perkufizimi i fashizmit eshte vjedhje dhe vrasje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje