“Ne organizatat e gazetarëve në Shqipëri dënojmë ashpër dhunën në Lazarat ndaj një ekipi të gazetarëve të A 1 dhe i bëjmë thirrje Prokurorisë të veçojë penalizimin e personave që kanë dhunuar dhe rrezikuar jetën e gazetarëve nga çështja e Lazaratit”, thuhet në deklaratën e Forumit Shqiptar për Mediat e Lira, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë dhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë.
Tre organizatat e gazetarëve kërkojnë që ndaj personave që ushtruan dhunë ndaj ekipit të gazetarëve duhet të ngrihet padi e veçantë për dhunë dhe kanosje ndaj gazetarëve për shkak të detyrës.
“U bëjmë thirrje gjithashtu forcave të policisë të organizojnë përkujdesje speciale për gazetarët që raportojnë nga terreni në këtë rast për të mos i lënë peng në dorë të banditëve të armatosur”, vijon deklarata.
Deklarata e Organizatave të Gazetarëve
Një ekip i gazetarëve të A1 Report është gjendur nën kërcënimin e armëve dhe rrezikut për jetën, ndërsa kanë qenë duke raportuar mbi ndërhyrjen e forcave të policisë në Lazarat. Gazetari Gerti Xhaja, operatori Renis Kalaja si dhe shoferi i tyre Kreshnik Marku, janë rrethuar nga një grup personash të armatosur duke i kërcënuar se do t’i vrasin nëse nuk largohen. Sipas dëshmive të gazetarëve ata janë sulmuar me armë zjarri sapo kanë transmetuar raportet e para. Ato thonë se dy persona kanë hapur zjarr ndaj tyre dhe i kanë rrethuar duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Grupi i xhirimit është mbajtur peng për 15 minuta duke u kanosur për jetën për shkak të detyrës. Atyre u janë marrë kamerat dhe mjetet e punës, ndërsa makinës së tyre i kanë vënë zjarrin.
Ne organizatat e gazetarëve në Shqipëri dënojmë ashpër dhunën ndaj tyre dhe i bëjmë thirrje Prokurorisë të veçojë penalizimin e personave që kanë dhunuar dhe rrezikuar jetën e gazetarëve nga çështja e Lazaratit.
Ndaj këtyre personave duhet të ngrihet padi e veçantë për dhunë dhe kanosje ndaj gazetarëve për shkak të detyrës. U bëjmë thirrje gjithashtu forcave të policisë të organizojnë përkujdesje speciale për gazetarët që raportojnë nga terreni në këtë rast për të mos i lënë peng në dorë të banditëve të armatosur.
Nënshkruar
Forumi Shqiptar për Mediat e Lira
Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë
Te dorzohet mafia ,qe te mos ket gjakderdhje. Posht Lazarati.
Se pari uroj qe jeta e asnje gazetari te mos vihet ne rrezik.
Dhe e dyta, shyqyr qe u bene bashke tre shoqata gazetaresh, sepse ne Shqiperi kjo eshte me e veshtira, te bashke dy veta.
Ne rast se suporti nga shoqatat e gazetareve dhe shoqerise civile do te jete ne favor te policise se shtetit, suksesi do te jete i sigurte.