OSBE dënon sulmin ndaj gazetarëve në Lazarat/ Reagon edhe Avokati i Popullit

17 Qershor 2014, 17:39Politika TEMA

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović, dënoi sot sulmin ndaj gazetarëve që po raportonin për aksionin e policisë në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, në jug të Shqipërisë, ditën e djeshme.

“Dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme; siguria është një parakusht themelor për punën e tyre”, deklaroi Mijatović.

Sipas njoftimeve të medias, një automjet me të cilin udhëtonin një gazetar, një kameraman, një teknik transmetimi dhe një shofer nga televizioni “A1 Report” u qëllua nga individë të armatosur me maska dhe më pas iu vu zjarri. Makina, me logon e dukshme të televizionit “A1 Report”, së bashku me pajisjet e transmetimit në të, u shkatërrua plotësisht. Gazetari Gerti Xhaja u mbajt peng për pak kohë dhe u lirua me ndihmën e banorëve.

“Është pozitiv fakti që zyrtarët publikë e kanë dënuar tashmë këtë incident dhe që policia ka ndërmarrë hetime. Nuk duhet të ketë mungesë ndëshkueshmërie për sulmet ndaj gazetarëve dhe keqbërësit duhet të dalin para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Mijatović.

“Gjatë viteve të fundit, siguria e gazetarëve në Shqipëri është përmirësuar dhe është e rëndësishme të bëhet gjithçka është e mundur për të siguruar se ky rast nuk do të vendosë një precedent të keq”.

Për operacionin në Lazarat ka reaguar edhe Avokati i Popullit, duke dënuar sulmin mbi gazetarët dhe çdo sulm ndaj Policisë së Shtetit.

“Avokati i Popullit i kërkon çdo banori të Lazaratit dhe zonave përreth që të bashkëpunojnë ngushtësisht me Policinë e Shtetit dhe t’ju përgjigjen thirrjeve të saj, duke u distancuar gjithashtu nga elementët kriminalë.

Avokati i Popullit fton gjithashtu autoritetet shtetërore dhe organet ligjzbatuese që në cdo moment apo fazë të zhvillimit të këtij operacioni të kërkojnë dhe të shterrojnë cdo mundësi dhe cdo rrugë të mundshme për zgjidhje paqësore dhe ruajtjen e jetëve njerëzore.

Nga ana tjetër institucioni i Avokatit të Popullit i bën thirrje individëve që ushtrojnë aktivitet kriminal në Lazarat që të ulin armët, t’i dorëzohen policisë, duke iu nënshtruar zbatimit të ligjit.

Një grup pune i Institucionit të Avokatit të Popullit po ndjek situatën në çdo moment,” thuhet në deklaratë.

2 komente në “OSBE dënon sulmin ndaj gazetarëve në Lazarat/ Reagon edhe Avokati i Popullit”

  1. i revoltuar says:

    te gjithe e denojme sulmin ndaj gazetareve, nuk e paskemi ditur qe ka kaq legena ne Lazarat: http://goo.gl/wgZ3C2

  2. Safo says:

    “Avokati u ben thirrje atyre qe ushtrojne aktivitet kriminal….” kriminelet arrestohen dhe nu u behet thyrrje nga avokati, tirrja u behet nga forcat policore dhe ne rast se ata rezistojne, atehere neutalizohen ose asgjesohen ne varesi te rezistences dhe rrezikshmerise

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje