Lazarati kthehet në destinacion turistik për të huajt (ndërsa policia vazhdon të zbulojë tonelata drogë)

5 Korrik 2014, 11:48Politika TEMA

(E PERDITESUAR)- Pas ndërhyrjes së policisë për asgjësimin e plantacioneve me rrënjë kanabis sative dhe asgjësimin e mbi 50 ton lëndë narkotike të gatshme për tregtim, Lazarati nuk mund të quhet më vendi i parë për prodhimin e hashashit në Evropë.

Përkundrazi, tashmë është kthyer edhe në destinacion turistik. Ndërsa në Lazarat vijon kontrolli i policisë shtëpi më shtëpi, kurioziteti për çlirimin e tij ka afruar dhjetëra turistë nga vende të ndryshme, të cilët kanë vizituar “fshatin rebel të hashashit”.

Tre grupe turistësh nga Belgjika, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë vizituar dje qendrën e fshatit plot kuriozitet, ku janë takuar me banorë, efektivë policie dhe kanë bërë foto të shumta për t’u treguar të njohurve të tyre mbi “legjendën” e hashashit.

Grupe me motorë, furgonë dhe vetura kanë zbritur në qendër të fshatit, duke thënë “Bravo policia”, ndërkohë që tregonin interes në çdo bisedë, si me punonjës policie, ashtu edhe me banorë për të mësuar sa më shumë për këtë fshat, raporton “Shqip”. Ata kanë qëndruar për orë të tëra në rrugicat e fshatit, si në ndonjë vend pas lufte, duke bërë foto me punonjësit e policisë.

Por ndërkohë nuk ka të ndalur droga në Lazarat.

Edhe këtë të shtunë forcat policore kanë vijuar kontrollin në lagjen Gjoka ku kanë zbuluar një tjetër sasi të madhe lënde narkotike në bodrumin e një banese të vjetër.

Nga verifikimet paraprake mësohet se behet fjale për 1 ton e 820 kilogramë mariuhanë, e cila ishte e presuar dhe rifuxho, ndërsa ende nuk janë zbuluar se cilët janë poseduesit e saj.

Por megjithëse operacioni në fshatin tashmë të famshëm ka hyrë në javën e tretë të tij, policia bën me dije se sasitë e mëdha të drogës, të armëve të zjarrit, municioneve dhe lëndëve plasëse si dhe e sendeve të tjera të kundraligjshme, si dhe mënyra e fshehjes së tyre, e bën të domosdoshme vazhdimin e tij edhe ne ditët në vijim.

Deri tani mësohet se është sekuestruar rreth 70 ton kanabis sativa, 5 kilogramë heroine, 53 kg lëndë narkotike e llojit çokollate si dhe disa litra vaj hashashi.

Po ashtu janë gjetur edhe 5 laboratorë të përpunimit të drogës si dhe një sasi e konsiderueshme armësh e municionesh.

Ndërsa janë proceduar penalisht nga policia dhe prokuroria 49 persona.

 

3 komente në “Lazarati kthehet në destinacion turistik për të huajt (ndërsa policia vazhdon të zbulojë tonelata drogë)”

  1. Arkimedi says:

    Hapni syte se midis atyre jane edhe b/puntoret e tregjeve te droges

  2. hahaha says:

    ehe, “grupe turistike”…

    bravo lazarati, s’keni pse logheni ju ta nxirrni hashashin me mushka nga mali… vijne “turistet” ta blejne ke dera shtepise!

  3. Be-X says:

    per te qare apo per te qeshur?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje