BE, Rumbold: Çështjet personale, jo në axhendën e Kuvendit (VIDEO)

15 Korrik 2014, 11:18Sociale TEMA

Bashkimi Europian i ka drejtuar një apel klasës politike shqiptare për të shmangur mosmarrëveshjet në Kuvendin e Shqipërisë, duke mos përfshirë çështjet personale në agjendën e punimeve të parlamentit.

Përmes kreut të delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadorit Clive Rumbold, BE thekson se këto situata nuk janë në interes të publikut.

“Nuk duhet që çështjet personale të përfshihen në parlament. Duhet të shmanget mosmarrëveshjet e deputetëve në Kuvend. Ata janë të zgjedhur nga votuesit dhe duhet të marrin vendime për të mirën e të gjithëve. Mosmarrëveshjet në Kuvend nuk janë në interes të publikut dhe të qytetarëve”, tha Rumbold.

Këto deklarata, diplomati i BE në Shqipëri i bëri gjatë një konference të përbashkët për mediat me ministren e Integrimit, Klajda Gjosha.

Lidhur me hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE, Rumbold tha se Shqipëria duhet të fokusohet në plotësimin e 5 prioriteteve kyçe, duke vënë theksin tek vijimi i reformave si dhe tek lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ka një rekomandim nga KE për fazën e ardhshme për çeljen e negociatave. Por janë 5 prioritetet kyçe që duhet të trajtohen dhe ato janë një sfidë. Nuk do të ndodhë brenda ditës, por qeveria ka hartuar një plan veprimi për secilin nga këto prioritete kyçe. Ka një axhendë të qartë që duhet ndjekur, dhe ne do të ndjekim nga afër realizimin e këtyre prioriteteve, dhe kështu do ecim përpara për hapin tjetër, për hapjen e negociatave. Por kjo nuk do të ndodhë nesër, ka punë për të bërë. Është lufta ndaj krimit të organizuar, lufta ndaj korrupsionit, reforma në drejtësi. Kërkohet angazhim nga të gjitha palët që kjo të realizohet”, theksoi Rumbold.

Përsa i takon marrjes së statusit të vendit kandidat, Rumbold bëri të ditur se vendimi është një vlerësim për punën e bërë në vend.

“Statusi është inkurajim për të ardhmen. Integrimi kërkon reforma për median. BE ka iniciativa dhe projekte për lirinë e medias. KE ofron asistencë afatgjatë në kuadër të integrimit. Duhen reforma në të gjitha fushat, po kështu edhe në media”, tha Rumbold.

Përsa i takon lirisë së fjalës dhe mediave në Shqipëri, BE krahas mbështetjes në aspektin politik do të ofrojë edhe një mbështetje financiare, e cila do të jetë në shumën e 300 mijë eurove.

“Me rreth 300 mijë euro të taksapaguesve europianë ne po përmirësojmë perfeksionimin e medias dhe lirinë e medias dhe ky është një projekt që po zbatohet nga Instituti Shqiptar i Medias. Ne po ashtu po ndihmojmë rolin e gjykatave në lirinë e fjalës në Shqipëri dhe ky projekt po zbatohet nga Instituti Shqiptar dhe ai Politikave; po ashtu po vazhdojmë të shikojmë se çfarë ndodh me anë të një projekti që po zbatohet nga një organizate tjetër.  Këta janë shembuj të projekteve që tregojnë angazhimin që Shqipëria po merr nga BE për fuqizimin e sektorit të medias.  Pra, ne i ofrojmë vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate, një kombimin të mbështetje politike dhe financiare për të arritur këto objektiva”, theksoi Rumbold.

Ndërsa ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, e cilësoi median si një partner në rrugën e integrimit, ndërsa u shpreh se statusi dhe negociatat parashikojnë edhe lirinë e medias. Në kuadër të procesit të integrimit dhe plotësimit të 5 prioriteteve, ministrja Gjosha tha se pjesë e Këshillit Kombëtar të Integrimit do të jenë edhe përfaqësues të medias.

“Pjesë e Këshillit Kombëtar të Integrimit do të jenë edhe përfaqësues të medias. Do të hartojmë një legjislacion të plotë për lirinë e medias. Media luan një rol të rëndësishëm në plotësimin e 5 prioriteteve. Pa lirinë e medias nuk mund të quhemi një shtet demokratik, dhe nuk mund të jemi vend anëtar në BE. Për të siguruar këtë do të duhet një punë shumë e madhe, dhe mbështetje në këtë drejtim do të jetë edhe reforma në drejtësi”, tha ministrja Gjosha.

1 komente në “BE, Rumbold: Çështjet personale, jo në axhendën e Kuvendit (VIDEO)”

  1. megi says:

    Po jemi ne Shqiperi kjo smund te ndodhe: http://bit.do/Rumbold-says

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje