Hilet e pushtetit

16 Korrik 2014, 20:36Blog TEMA

Nga Milaim Shefkiu

 

Lidershipit të Kosovës duket se i ka humbur rruga në oborr. Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 8 qershor, ndërsa ka kaluar edhe gjysma e korrikut, partitë politike po ecin si somnambul, pa ditur se si të dilet nga ngërçi paszgjedhor.

Asnjëra parti politike nuk po reflekton institucionalizëm, por secila ka mbi vete ngarkesën e subjektivizmit, me një fjalë secila po mundohet të përfitojë nga kjo “llugë” paszgjedhore.

Dy ditë pas zgjedhjeve, tri parti politike që tashmë po njihen si blloku anti-PDK e bënë një marrëveshje për bashkëqeverisje me mandatar Ramush Haradinajn. Për këtë marrëveshje “Vetëvendosje” rrahu gjoksin, sikurse Agim Bahtiri për heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Përfaqësuesit e “Vetëvendosjes” thanë se ishte ideja e tyre që të bëhen bashkë partitë që mbeten pas PDK-së në zgjedhje, për ta sfiduar Hashim Thaçin që të mos e bëjë qeverinë Thaçi 3.

Dhe të gjithë patën mendime pozitive për “Vetëvendosjen”, duke e konsideruar Albin Kurtit si altruistit, që po sakrifikon vetëm për një qëllim. Sipas opinionit, Kurti mori epitetin e një “kamikazi” që shkriu veten për ta ndalur Thaçin, dhe për t’ia dhënë mundësinë tri partive të opozitës, LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën, për ta qeverisur vendin.

Mirëpo, nuk doli të ishte ashtu. “Vetëvendosja” reflektoi sikurse sentenca angleze “oreksi vjen duke ngrënë”. Njëherë ulesh në tryezë, nuk të hahet ushqim, por kur fillon drekën, e ha gjysmë buke e nuk të del. “Vetëvendosje” fillimisht inicioi bashkimin e opozitës, mirëpo më vonë u josh nga pushteti.

Por, në këtë lojë nuk janë pa hile as partitë tjera që e përbëjnë bllokun opozitar, LDK, AAK dhe Nisma… Këto parti pa e matur dy herë e prenë pazarin dhe reflektuan unitet për bashkëqeverisje, duke llogaritur edhe në votat e “Vetëvendosjes”. Këtu ata bënë pazare pa hanxhiun, sepse “Vetëvendosjes” po ia duan 16 kokrra, por jo edhe në ndarjen e pushtetit. Fillimisht kështu e patën idenë, ndërsa tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe duket se kjo bashkëqeverisje do të jetë sikurse “dardha me bishtin e gjatë”.

Por nuk është halli vetëm këtu. “E zeza e kudrës është thellë” – siç ka thënë ajo lokja. Tani partitë e Bllokut nuk dinë si të reflektojnë në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës. Me këto kalkulime asnjëri grup parlamentar nuk e ka shumicën e nevojshme, as Blloku opozitar e as PDK-ja. Madje shumë lehtë edhe çështja e kryeparlamentarit mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe procesi të prolongohet edhe për disa javë.

Shikuar në tërësi, nga maji i këtij viti, Kosova funksionon me qeverinë në detyrë dhe pa Kuvendin e Kosovës. E nëse dita e mirë shihet në mëngjes, si ka nisur ky proces mund të përfundojë me zgjedhje të jashtëzakonshme gjatë shtatorit ose tetorit.

E Mbajtja e zgjedhjeve të reja edhe nëse nuk do të kundërshtohet nga faktori ndërkombëtar, nuk do ta zgjidhte ngërçin qeveritar. Sërish do të jetë i njëjti konfiguracion politik në terren, vetëm me ndryshimin se partia e parë mund të dalë koalicioni LAN (LDK-AAK, Nisma), ndërsa PDK-ja mund të mbetet e dyta. Mirëpo, qeveri të qëndrueshme sërish nuk do të ketë nëse nuk i mbështet “Vetëvendosja”, natyrisht nëse vazhdon qëndrimi anti-PDK.

Prandaj në këtë mes duhet të gjendet një solucion dhe t’i jepet fund gjithë kësaj zallamahie. Në të kundërtën, si në rastin e presidentes, intervenon faktori ndërkombëtar dhe e pleqëron problemin ashtu siç ia merr mendja. Ndoshta kjo është ideja më e mirë, sepse edhe ashtu si shqiptarë kurrë, historikisht, nuk kemi arritur të merremi vesh pa na ardhur, sikur pulës, “veza në prapanicë”.

 

1 komente në “Hilet e pushtetit”

  1. liberal says:

    Te pershendes per opinionin por me duket se nuk eshte i vetmi “lidership” i kosoves qe i ka humbur rruga ne oboor ( sic e quan ti ) por ( nese i permbahem zhargonit tend ) rruga ne oborr i ka humbur kohe me pare belgve dhe hollandezeve. Belget diku tek 18 muaj e hollandezet diku tek 9 muaj.

    Une te dhashe dy raste por nuk jane te vetmet , ne google gjen shume te tjera.

    Por neve si gjithmone ‘qajme’ hallet tona , pra nuk na interesojne te tjeret sado te perparuar te jene ( i perdorim vetem kur duam te perforcojme idete tona , ashtu sic po bej edhe une tani ! ).

    Nuk dua te komentoj opinionin , pasi nuk eshte se kam nje opinion tjeter por me ben pershtypje shqipja e shkruar si dhe disa argumenta.

    Nuk e kuptoj ne shqip fjalen “ALTRUIST” qe te arrij te kuptoj se cfare do te thuash per Albin Kurtin. Perderi sa shpreh opinion per shqipetare te lutem shprehu me fjale shqip qe te kuptojme se cfare do te thuash.
    Anglezet e kuptojne qe eshte ALTRUIST is a person unselfishly concerned for or devoted to the welfare of others por kjo eshte e vetmja fjale qe ata kuptojne nga opinioni yt ( ndofta dhe nje tjeter fjale )!

    Sentenca angleze ( nje fjali me poshte ) prape “s’nuk” neve shqipe ?

    Deshiroj te bej pak koment per spjegimin tend kur i referohesh “sentenca angleze” – oreksi vjen duke ngrene.
    Nese i referohesh ‘sentenca angleze’ ( sipas teje ) atehere ajo thote tekstualisht : Appetite comes with eating, but the thirst goes away with drinking. E perkthyer ne shqip : oreksi vjen duke ngrene dhe etja shuhet duke pire.
    Pra nuk perdoret ne shprehje ajo buka qe fut ti ne mes per te bere krahasimin nepermjet shprehjes angleze dhe asaj qe do te thuash ti.
    Eshte mire te flasesh ne shqipe te paster dhe nese i referohesh thenjeve te famshme atehere thuaji sic jane perdorur jo ta leshe ne mes sepse do te fusesh vetem aspektin e bukes ( te ngrenit ti ) qe te dale opinioni yt i meshiruar ne shprehjen angleze.

    Dardhen e dija me bishtin mbrapa ( si shprehje popullore ) por nuk dua te debatoj pasi krahina te ndryshme kane thenje te ndryshme , besoj ne kete rast qe ne kosove perdoret me bisht te gjate.

    Ma perkthen te lutem dot ne shqip se cfare do te thote : prolongohet ?
    Per kete te betohem qe nuk e gjej ne asnje fjalor ( qofte dhe i huaj ) se cfare domethnje ka.

    Perpara se ta mbyll edhe tri pyetje

    1- …. duhet te gjendet nje SOLUCION = cfare eshte SOLUCION ??
    2- …. gjithe kesaj ZALLAMAHIE = cfare nenkupton ZALLAMAHIE ??
    3- … INVERTON faktori= INVERTON cfare do te thote ne shqip ??

    Te faleminderit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje