Një verë e thatë pa opozitë

21 Korrik 2014, 18:08Blog TEMA

Nga Lorenc Vangjeli

 

Vetëm mërzi nuk ka në Shqipëri. Sidomos në verë. Dynjaja nxiton të shkojë në plazh; Durrësi, fjala vjen, është një destinacion lehtësisht i arritshëm për gjithkënd dhe aty mund të kalohet një fundjavë me shpenzime minimale: karburanti i makinës plus, pagesa për rërën e ndoshta, edhe ushqim i parapërgatitur në shtëpi. Çmimet e fruta perimeve bien ndjeshëm dhe shtohet numri i emigrantëve të rikthyer për pushime. Po ndjeshëm bie dhe tensioni politik, qendra e cirkut të cilit i vjen rrotull gjithë shoqëria shqiptare. Ca aksidente më shumë automobilistike nuk e prishin dot festën. Nuk e dëmtojnë atë as larje të herëpashershme hesapesh në rrugë që në verë, zenë më pak vend në kronikat e zeza të medias. Kronika rozë me fundshpina këngëtaresh që nuk këndojnë, balerinash mbipeshë që nuk kërcejnë, histori dashurie personazhesh jashtëzakonisht shumë të famshëm të Big Brother-it, janë ato që kërkon të shohë e shijojë publiku. Eshtë çasti ideal për të kuptuar se atdheu i shqiponjave është në fakt vendlindja e një armate të pafundme xixëllonjash VIP ditënate e VIP-ash që i flasin vetes në vetë të tretë. Duke qenë pothuaj lakuriq në plazh, njerëzia shijon një barazi pothuaj të bekuar, njëlloj si ajo që predikonte utopia komuniste, diferencat zenë e zhduken nën diellin që i ngroh dhe djeg të gjithë njëlloj. Skafet dhe jahtet që shëtisin në thellësi, e para janë të paktë dhe e dyta janë larg për t’u parë nga zilia e turmës që lag këmbët e freskon kokën në bregdet.

Verë mbas vere, shoqëria shqiptare hyn në ditët e nxehta me një lloj plogështie, limontie e letargjie rituale, ku slogani triumfues zakonisht është: hallet e sotme leri për të nesërmet! Edhe pse hallet e panumërta të shoqërisë janë po aty, duket se drita e fortë e diellit dhe temperaturat e larta ju sfumojnë përmasat reale në pritje të stinës së ftohtë, shirave të vjeshtës e më pas të dimrit, që rindezin karburantin e zakonshëm të zemëratës shqiptare në pritje të biliardos së politikës së ditës.

Të enjten në Kuvend u luajt një nga aktet e fundit të procesit ligjvënës në vend: është në epilogun e saj reforma administrative territoriale. Padyshim një nga aktet më të rëndësishëm të politikës për sot e për nesër që synon t’i japë fund një Shqipërie të fragmetarizuar në qindra feude të vegjël, si vrima shoshe ku rridhin pa u ndjerë paratë publike, në pritje të mbledhjes së votave dy herë në katër vjet. Opozita u soll ndaj kësaj reforme me stilin e hershëm, që as të shtrëngon dhe as të lëshon. Herë si viktimë, herë si llasticë blloku, ajo nuk e kundërshtoi kurrë nevojën e ndarjes së re administrative të vendit. Por duke pasur në mend diçka tjetër dhe duke kërkuar publikisht diçka tjetër, duke bërë llogari votash të së nesërmes dhe duke menduar më së shumti për alibinë e asaj të nesërme, opozita humbi një rast historik dhe klasik. Për të qenë bashkëpronare dhe bashkëautore e një suksesi që edhe nëse nuk do të jetë i dukshëm menjëherë, një ditë do të jetë padiskutim i tillë. Sepse më shumë se territorin, kjo reformë synon reformimin e një mendësie; atë të dhënies fund të shpërndarjes së pushtetit në duar të gabuara që shkojnë zakonisht në një drejtim: në xhepa gjithmonë e më të thellë personalë. Dhe që nga këta xhepa, më pas, rritet po një pushtet i vockël, arrogant e meskin në nivel lokal për të cilin gjithsesi paguhet me premtim votash në të ardhmen. Por në verën e fundshpinave këngëtareve që nuk këndojnë më, të balerinave mbipeshë dhe të dashurive VIP të Big Brother-it, vota nuk ka atë ngarkesë që ka të paktën dy herë në katër vjet. Sepse në verë nuk ka mërzi. Ka diell, dynja që shkon në plazh dhe rënie të çmimit të fruta perimeve. Njëherë ose dy herë në katër vjet dikush ha kokrrën e ullirit. Opozita refuzoi të flasë për këtë kokërr dhe u përjashtua nga mbjellja e fidanit në Kuvend. Kokrra mbetet në lojë, por opozita refuzoi lojën sepse parandjeu shijen e saj në gojë./JAVA

1 komente në “Një verë e thatë pa opozitë”

  1. labi says:

    o lenco nje vere e thate pa spec djegs…po shyqyr qe dole or burr se na kishte marre malli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje