Reforma universitare lyp kokë

19 Korrik 2014, 19:15Blog TEMA

Nga Besnik Gjongecaj

Pas vërejtjeve të publikut, Komisioni i Qeverisë i ngarkuar për projektimin e reformës në sistemin universitar bëri ekzaktësisht atë që nuk duhet të bënte: në vend që ta avanconte projektin e reformimit, pra ta çonte atë në nivelin e kërkesës dhe nevojave reale të komunitetit universitar; në vend që të krijonte hapësirën e nevojshme për ta lejuar ndryshimin e sistemit universitar të ndodhë; në vend që, më në fund, të definonte qartësisht ekzistencën e sistemit universitar si funksion të plotësimit të përgjegjësive të tij para publikut, Komisioni i Qeverisë bëri të kundërtën: vetëm sa e tkurri variantin e parë të Raportit, e bëri atë thellësisht minimalist, gati gati e la në pragun e atij mjerimi që prodhon vetmia, të qënit pa funksion, i padobishëm për të tjerët. Aq sa, pasi e përfundon së lexuari nuk rri dot pa pyetur, ashtu spontanisht, madje pa iu drejtuar askujt: Ç’nevojë kishim për këtë Raport? Ç’të re sjell ai, ç’ndryshim? A është e mundur që ky variant i Raportit, midis rreshtave që përsëriten mërzitshëm, të mbartë energjinë e nevojshme, prej çlirimit të së cilës do të mund të ringrihej sistemi univeristar i zhytur në mizerjen e asgjësë? Jo, sigurisht. Akoma më shumë: në fund të fundit, ç’nevojë kishim për këtë Raport kur në zyrat e këtij shteti, të qeverisë së mëparshme më saktësisht, ndodhet një Raport tjetër, i përgatitur jo si një fotografim i gjendjes që pasohet me disa masa për ndryshimin afatshkurtër të saj (siç ndodh me Raportin e sotëm), por një Raport strategjik, shkruar në formën strategjike të një Master Plani, në të cilin, me një qartësi të admirueshme, nuk jepet thjesht realiteti ekzistues, por projektohet ndryshimi i tij në kohë dhe hapësirë? Një Raport shumë më i plotë, shumë më integral, shumë më vizionar; i shkruar shumë më profesionalisht se ky që Komisioni i Qeverisë ekzistuese paraqet sot. Ka edhe më. Nëse mbivendosen, Raporti i paraqitur nga Komisioni i Qeverisë përputhet, jo vetëm nga pikpamja strukturore, me një pjesë të konsiderueshme të Master Planit, e mjaftueshme kjo për krijimin e shijes së hidhur të plagjiaturës. Në një pikpamje më të detajuar, ajo që ka ndodhur është, megjithatë, shumë më e hidhur. Raporti i Komisionit kthehet dramatikisht shumë më prapa Master Planit. Veçanërisht në projektimin e marrëdhënieve të qeverisë me universitetet.

Raporti përfundimtar ka një shtesë në fund të tij, në të cilën përpiqet të faktojë se ka reflektuar vërejtjet e bëra nga publiku dhe universitarët. Deri këtu, e gjithë kjo i ngjan një reagimi korrekt dhe akoma më shumë, e gjithë kjo të krijon përshtypjen se, duke reflektuar vërejtjet e universitarëve, Komisioni i Qeverisë kërkon të demonstrojë sa më qartësisht që nuk ka punuar për interesin e Qeverisë, pra për interesin e ”Krijuesit”, por, përkundrazi, për interesin e universitarëve, publikut. Sigurisht, e gjithë kjo duket të jetë aq e ndershme për vendin e varfër (në të gjitha pikpamjet) ku jetojmë, sa është vështirë të besohet. Në fakt disa e besuan, ose bënë sikur, madje dolën edhe në TV për t’ia u dhënë si lajm atyre që nuk kanë kohën dhe njohuritë e nevojshme për ta lexuar Raportin. E vërteta është krejt ndryshe. Një rilexim i kujdesshëm i formës përfundimtare të Raportit zbulon qartësisht se ai nuk ka asnjë ndryshim esencial me formën e tij paraprake, të shkruar para vërejtjeve të universitarëve; madje nuk shënon asnjë hap përpara apo ndryshe në krahasim me Raportin paraprak, çka e bën edhe më cinik se variantin e parë. Të gjitha konceptimet paraprake të tij janë po aty, një pjesë të riformuluara, por pjesë e Raportit, gjithsesi. Qeveria, edhe në formën përfundimtare të Raportit, do të ruajë të njëjtin dominim mbi universitetet, madje, meqënëse dominimi i projektuar është në përmasa vërtet monstruoze, do të ishte më e drejtë, më realiste, të karakterizohej si ”i njëjti sundim politik i qeverisë në universitete”. Aq më shumë, sistemi universitar, njësoj si në Raportin paraprak, edhe në variantin e tij përfundimtar dizenjohet përmes instrumenteve dhe parimeve të deformuara, të manipuluara që para se të aplikohen: parimi i subsidiaritetit, parimi i balancimit të përgjegjësisë së jashtme me manaxhimin e brendshëm të universitetit, parimi i natyrës ”tampon” të strukturave ndërmjetëse, parimi i ruajtjes së kapacitetit vendimmarrës dhe buxhetit brenda sistemit dhe jo shpërndarja e tij në sisteme të tjerë, etj. Sistemi universitar projektohet i zbrazur nga konkurrimi i brendshëm sepse konceptohet ashtu si na i la peshqesh sistemi komunist nga njëra anë: me universitete të specializuara dhe jo të universializuara; dhe ashtu si na i lanë peshqesh qeveritë gjysëm komuniste, apo qeveritë dele-dash të tranzicionit, nga ana tjetër: me një treg universitar që nuk ka atë numër ”blerësish-përfituesish” – mbi pesëdhjetë universitete në tri milion banorë – që do të mund të motivonte ekzistencën e tyre efektive. Autori i këtij shkrimi e ka paraqitur qëndrimin e tij ndaj Raportit paraprak në një shkrim te Gazeta Shqiptare (6 maj, 2014) dhe nuk sheh asnjë arsye të modifikojë vërejtjet e tij me daljen e Raportit përfundimtar. Sepse, në thelbin e tyre, të dy variantet janë e njëjta gjë. Interesant është të rishikohet edhe njëherë se si ka evoluar trajtimi i marrëdhënieve të politikës me universitetet në variantin përfundimtar. Si janë munduar ta fshehin atë që do të ndodhë nesër: uzurpimin përfundimtar të universiteteve nga qeveria; madje nga çdo qeveri, madje edhe nga ato që do të vinë nesër, pasnesër… Ironikisht, për sa kohë të ketë shqiptarë! Si në një jerm pushtuesish.

Se ç’marrëdhënie do të ketë qeveria me një universitet të dhënë dhe nëse ajo, qeveria, ka zgjedhur të sundojë politikisht universitetet apo të jetë partnere me ta, e gjitha kjo mund të zbulohet lehtësisht te koncepti i dhënë në Raportin përfundimtar mbi qeverisjen universitare. Në këtë variant nuk thuhet më që Bordi i Administrimit është organi më i lartë i universitetit, por ruhet me kujdes koncepti dualist i qeverisjes universitare sipas të cilit vetë administrimi i universitetit nuk ka asnjë lidhje apo varësi institucionale me veprimtarinë akademike të tij. Asnjë pjesë, pra as ajo e manaxhimit administrativ dhe as ajo e veprimtarisë akademike nuk janë para njëra tjetrës, por, ama, as nuk varësohen nga njëra tjetra. Sipas Komisionit, tani universitarët nuk kanë pse ankohen, aq më shumë, se në Raport Senati përkufizohet si “organi akademik më i lartë i universitetit”. Po sigurisht që është, se nuk mund të jetë Bordi Administrativ i tillë, pra, një organ akademik, aq më shumë më i larti. Ekzaktësisht këtu fillon edhe manipulimi. Senatit i jepet ajo që ai e ka në natyrën e tij dhe që është minimaliste: drejtimi akademik. Nuk thuhet se Senati është “organi më i lartë i universitetit”, ashtu si në fakt duhet të ishte dhe që do të mund t’i jepte fund një dualizmi pa kuptim të qeverisjes universitare, një ndarje të saj më dysh. Ashtu si u shkrua në variantin paraprak ku Bordi i Administrimit u përkufizua si “organi më i lartë i universitetit” dhe jo si “ organi më i lartë administrativ i universitetit”. E gjitha kjo tregon qartësisht se akademikët do të qeverisin vetëm pjesën akademike të universitetit, ashtu sikundër administratorët do të qeverisin paranë e tij. Këtë përfundim e mbështet edhe forma e projektuar për zgjedhjen e organeve dhe autoriteteve universitare. Rektori do të zgjidhet vetëm nga akademikët, çka do të thotë që ai është përfaqsues i tyre, por jo i universitetit. Duke manipuluar një nga parimet e padiskutueshme të Këshillit të Evropës: “Autoriteti universitar (rektori, psh) përfaqson personalitetin, shqetësimet dhe aspiratat e sejcilit pjestar (each and every one!) të institucionit që ai përfaqson”. Por, në variantin përfundimtar të Raportit, rektori nuk mund të përfaqsojë laborantin, financierin, sanitaren, kopshtarin…. Kjo do të thotë që nuk do të zbatohet parimi tjetër derivues nga i mësipërmi që “megjithëse disa universitete të vendeve perëndimore kanë zgjedhur një sistem dualist ku ndahen çështjet akademike nga ato të administrimit, struktura administrative është gjithmonë e varur nga autoritetet dhe strukturat akademike”. Një përçudnim që e çon universitetin jo vetëm në një krizë përfaqsimi, por e vë atë nën një sundim të drejtpërdrejtë të qeverisë. Sepse, për shkak të përbërjes së tij (qeveria do të ketë shumicën në Bordin Administrativ në të gjitha rastet nëse ky Raport është shkruar për Shqipërinë, pasi do t’i duhet gjithmonë të paguajë më shumë se gjysmën e parave për mbajtjen e universitetit në këmbë!), Bordi Administrativ do të përfaqsojë qeverinë brenda universitetit dhe në të njëjtën kohë do të manaxhojë buxhetin e saj pa pyetur për universitarët.

Se ç’marrëdhënie do të ketë qeveria jo me një universitet të veçantë, por me krejt sistemin e arsimit të lartë, e gjithë kjo mund të zbulohet lehtësisht te koncepti i dhënë në Raportin përfundimtar mbi strukturat ndërmjetëse. Në kundërshtim me thelbin natyror të tyre, pra, në kundërshtim me ekzistencën si struktura që nuk i përkasin as universiteteve dhe as qeverisë, në Raportin përfundimtar, sejcila prej tyre, pa asnjë përjashtim, do të kontrollohet nga qeveria (AKF: Agjensia Kombëtare e Financimit; AKKSh: Agjensia Kombëtare për Kërkim Shkencor; ASCAL: Agjensia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë; AKAU: Agjensia Kombëtare e Aplikimit Universitar). Qeveria do të ketë në dorë anëtarësinë dhe drejtimin e strukturave ndërmjetëse, çka do të thotë, as më shumë dhe as më pak, që, për motive politike apo dominimi, askush nuk do të mund ta ndalojë atë, qeverinë, të mbyllë apo të hapë një universitet, të mbifinancojë apo të nënfinancojë një universitet tjetër, të dhurojë apo të mos dhurojë projekte, madje, askush nuk do të mund ta ndalojë që të bie në dashuri me kërkimin shkencor në fushën e parafjalëve dhe të urrejë kërkimin shkencor në fushën e lumenjve!

As opozita nuk do të mundet ta ndalojë. Megjithëse nuk po i shkon mëndja ta bëjë këtë. Hesht sa herë flitet për universitetet, reformimin e tyre. Heshtin ish ministrat e arsimit të PD. Aq sa kanë filluar t’i ngjajnë kush më shumë e kush më pak Sfinksit. Jo sepse kokën e tyre (a ka gjë më personale se koka!?) e kanë vendosur mbi një trup tjetër, mbi trupin e PD, ashtu si Sfinksi mbi trupin e huaj të një luani. Por sepse heshtja e tyre bëhet akoma më enigmatike se ajo e vetë Sfinksit sa më shumë universitetet ziejnë nga debatet në të gjithë vendin. Çfarë presin për të folur këta sfinksa të rinj? Ç’enigma fshehin? Mbaj mend se kështu heshti opozita e majtë kur qeveria e PD filloi të zbatojë shëmtueshëm, ekzaktësisht ashtu si nuk ishte shkruar, Master Planin në 2007. Si mund të heshtë një opozitë kur aplikohen reformat e gabuara në universitetet shqiptare? Në vend që të bëjë të kundërtën. Të kundërshtojë, të ulërasë madje.

Produkti më interesant i të gjithë reformave universitare të kryera pas vitit 1996 në Shqipëri është një amalgamë ngjizëse e politikës me një pjesë të madhe të autoriteteve universitare dhe, sigurisht, me të paaftët. Karakteristikë esenciale e së cilës është se askush nuk e kupton se ku mbaron njëra dhe ku fillon tjetra. Ku mbaron politikani dhe fillon autoriteti universitar, sa i paaftë duhet të jesh për t’u bërë autoritet universitar apo për të ruajtur ekzistencën tënde si politikan. Brenda kësaj amalgame të gjithë janë të lumtur. Lumturia është ekuilibri midis tyre dhe e kundërta. Është jasht çdo dyshimi se kjo amalgamë e shpifur sundon jetën universitare të këtij vendi. Aq e vërtetë është kjo saqë asnjë përbërës i kësaj materie neveritëse, pra, as politikanët, as pjesa më e madhe e autoriteteve universitare, të paaftët e të gjitha krahëve sigurisht, nuk flasin kurrë publikisht, aq më shumë, nuk kundërshtojnë kurrë një reformë universitare. Ashtu si nuk kundërshtuan por heshtën edhe këtë herë. Prandaj një antireformë shitet lehtësisht si reformë në Shqipëri. Kështu po ndodh edhe sot. Po shitet për reformë një Raport që jo vetëm nuk ndryshon asgjë në universitetet shqiptare, por përkundrazi, e zgjeron më tej pushtetin e politikës dhe të të paaftëve te to. Që të çlirohen universitetet nga materia e sundimit të kësaj amalgame, politikanët duhet të projektojnë një reformë që e shkul atë, ose, që është e njëjta gjë, një reformë që i “shkul” edhe vetë ata. Asnjë reformë e vërtetë nuk mund të realizohet në Shqipërinë e sotme, aq më shumë në sistemin universitar, pa rrëzuar, për shkak të kostos, hartuesit e tyre, dmth qeveritarët. Ashtu si personazhi i novelës së Kadaresë, i cili e kaloi gjithë jetën duke u përpjekur më kot që dikush të këndonte një këngë për të. U desh që një grup dasmorësh, tek ktheheshin nga dasma, të hasnin diku nën shi kufomën e tij dhe të këndonin një këngë për të vdekurin. Kënga lyp kokë. Ashtu si edhe reforma universitare në Shqipëri. Dhe jo vetëm. Prandaj, kur të dëgjohet një ditë që qeveria u rrëzua për shkak se donte të ndryshonte universitetet, ajo do të jetë edhe dita më e lumtur për universitarët e këtij vendi.

3 komente në “Reforma universitare lyp kokë”

  1. Konica says:

    U rrezua Berisha, erdhi Rama. Tani thote Gjongecaj duhet rrezuar edhe Rama….e kush te vije pastaj? Berisha? Kjo pune eshte si ajo thenia “njehere ma hipe, njehere ta hipa”. Ndryshimi nuk vjen me raporte, por me njerez te rinje ne krye te puneve, qofte ne universitet, qofte ne shtet. Problemi eshte se Shqiperise i mungojne keta njerez te rinje. Do marre kohe kjo pune.

  2. krio says:

    Dy gjera po ju them qe te marr frym universiteti qe gjith keto vite u shkaterua. E para te largohen bisnesmenet nga universitetet dhe te dypunusuarit. E dyta te zhduket nepotizmi pra jo burre grua kushuri bashke dhe ec e bej pune shkencore mesimore zgjedhje te lira shyqyr qe nuk sjellin edhe gjyshet. Kaq mjafton dhe lerini pordhet.

  3. Leme says:

    Te flasi ndonje koke tjeter e rendesishme do ta degjonim me kureshtje dhe kenaqesi,por ti mor Gjongec mos fol fare fare me ate qe ti ke bere kur kishe pozite ne dore.Nuk e kupton qe je nje karde e djegur.Cfare kerkon ti tashti qe na shet dokra ketu . Kur zotrote kishe fuqine ne dore te beje dicka e shkaterrove aresimin ne menyren me barbare si dini ju nga tropoja. Dhe tani kerkon e flet per reforma e sfinkse ti . Do beje mire te heshtje dhe te mos japesh mend se mend kemi vete e skemi nevoje per fjalimet e tua .Ti duhet te kerkosh te falur per masakren ne aresim qe bere kur ishe ne pushtet se pari ,ti mor ti ske asnje te drejte morale te dalesh e te japes mend ketu,nuk e kuptojme ku e gjen ate fytyre dhe moral si njeri i deshtuar qe dole te japesh mend. Largohu nje here e mire se nuk ka nevoje ai vend per intelektuale deshtake si puna jote.Duhet te vije turp qe del ketu e na brockullit .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje