Zhvillimet pas atentatit në Sarajevë tregojnë se Europa para 100 vitesh kishte shumë politikanë të papërgjegjshëm, të cilët gati symbyllur rrëshqitën në katastrofë: në Gazimestan festohej vrasja në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës, në Vjenë një shef ushtrie shkruante letra dashurie, një kolonel austriak spiunonte për rusët dhe perandori gjerman thoshte: “Serbët duhet hequr qafe – menjëherë”.
Nga Enver Robelli
Më 28 qershor 1914 në Gazimestan ishte mbledhur një turmë e serbëve për të festuar përvjetorin e Betejës së Kosovës më 1389. Kur erdhi lajmi nga Sarajeva se aktivisti politik serb Gavrilo Princip kishte vrarë trashëgimtarin e fronit Austro-Hungarez, Franz Ferdinandin, masa nacionaliste nisi të festojë. Sidomos pas pushtimit të Kosovës dhe Maqedonisë në vitin 1912 Serbia gjendej në modusin ekspansionist. Në kafehanet e Beogradit idealistë e nacionalistë, komitë e kasapë bënin plane për zgjerimin e Serbisë, e cila në luftrat ballkanike gati kishte dyfishuar territorin. Tani sytë ishin drejtuar nga Bosnjë-Hercegovina. Edhe kjo trevë, që historikisht nuk i kishte takuar kurrë Serbisë, tani synohej të gllabërohej nga Beogradi. Kroatëve në Bosnjë, por edhe atyre në Kroaci, si dhe myslimanëve të Bosnjës u premtohej nga serbët krijimi i një shteti jugosllav, ku të gjithë do të ishin të barabartë. Beogradi e hodhi karremin dhe disa aktivistë politikë kroatë dhe boshnjakë ranë në kurth. Njëri prej tyre ishte edhe nobelisti i mëvonshëm Ivo Andriqi. Ndër më të zëshmit për krijimin e Jugosllavisë në atë kohë qenë vetë kroatët, të cilët dëshironin të iknin nga myku i Perandorisë së Dyfishtë Danubiane.
Nëse ka ekzistuar një njeri që është gëzuar më së shumti për atenatin e Sarajevës, atëherë ai ka qenë: Franz Freiherr Conrad von Hötzendorf, shef i shtabit të përgjithshëm të Austro-Hungarisë. Ai ishte një oficer i etur për luftë dhe agresiv, që prej vitesh kërkonte që Vjena dhe Budapesti t’i mbronin interesat e tyre në Ballkan me dhunë. Pas atentatit në Sarajevë ai kërkoi që çështja serbe të zgjidhet “njëherë e përgjithmonë”. Por, Conrad von Hötzendorf nuk ishte aq stabil sa i përket drejtpeshimit psikik. Pas vdekjes së bashkëshortes më 1905 ai u dashurua aq stuhishëm në gruan e një fabrikanti, saqë pjesën më të madhe të kohës e kaloi duke shkruar letra dashurie dhe jo duke u marrë me konsolidimin e ushtrisë. “Ditari i vuajtjeve të mia” – këtë titull e mban albumi me letrat e Conrad von Hötzendorfit. Mes viteve 1907 deri 1915 ai shkroi më shumë se 3000 letra për Gina von Reininghaus, për gruan që ai e adhuronte, himnizonte dhe e pëlqente aq shumë, ndonëse ajo i kishte thënë se është “shtatëfish e lidhur”: me burrin e vet dhe gjashtë fëmijë. Conrad von Hötzendorf nuk u dorëzua kurrë derisa arriti qëllimin dhe disa nga letrat e tij janë të gjata mbi 60 faqe. Historiani Christoher Clark shkruan në librin e tij “Somnabulët. Si u hodh Europa në Luftën e Parë Botërore” se Conrad von Hötzendorf e konsideronte luftën kundër Serbisë edhe si mjet për ta bërë për vete Gina von Reininghausin. Kundërshtari më i madh i kursit luftënxitës të Conrad von Hötzendorfit ishte Franz Ferdinandi. Sikur Gavrilo Principi të mos e kishte vrarë trashëgimtarin e fronit austro-hungarez, ai me gjasë pas kthimit në Vjenë do ta kishte hequr Conrad von Hötzendorf nga pozita e sheft të shtabit të përgjithshëm të Austro-Hungarisë.
Me sa duket Conrad von Hötzendorf aq e kishte humbur mendjen në betejën e tij për Gina von Reininghausin, saqë nuk kishte informacion për një zhvillim dramatik në ushtrinë e tij. Në maj të vitit 1913 u bë e ditur se shefi i kundërspiunazhit të armatës, koloneli Alfred Redl, kishte bashkëpunar ngushtë me rusët, duke u zbuluar atyre sekrete ushtarake. Në veprën e tij “Bota e djeshme. Kujtime të një europiani” shkrimtari Stefan Zweig shkruan: “Koloneli Redl, shefi i nivelit më të lartë të spiunazhit të armatës austriake, ishte njëkohësisht spiun i blerë nga shtabi i përgjithshëm rus. Ai jo vetëm që i kishte shitur sekretet dhe planet e intervenimit, por tani befas u bë e qartë përse vitin e kaluar të gjithë spiunët austriakë të dërguar në Rusi rregullisht u arrestuan dhe u dënuan”. Redl ishte homoseksual, madje ekstravagant, siç shkruan historiani Christoher Clark. Rusët kishin njohuri për lidhjet e tij, andaj e kishin të lehtë ta shantazhonin.
Pas atentatit shumica e pushtetarëve në Vjenë angazhozheshin për një luftë të menjëhershme kundër Serbisë, por ushtria nuk ishte gati askund. Në momentin e fundit politikanëve dhe oficerëve të lartë iu kujtua se shumica e ushtarëve gjendeshin në pushim me leje për t’iu ndihmuar familjeve në korrjen e të lashtave. Por, edhe sikur ushtria të ishte gati, Austria nuk dëshironte të hynte në luftë pa mbështetjen e Berlinit. Andaj synohej të bindeshin politikanët gjermanë që Vjena të marrë një garanci për mbështetje nga Gjermania, një “Blankoscheck”, siç njihet në historiografinë gjermane. Perandori Wilhelmi II-të e mori lajmin për vrasjen në Sarajevë në jahtën “Hohenzollern” dhe reagimi i tij i parë ishte tërbues. “Serbët duhet hequr qafe – menjëherë”, shkroi ai në cepin e depeshës që e kishte marrë nga ambasadori gjerman në Vjenë, i cili e njoftonte për tragjedinë e Sarajevës. Ky pozicionim i ngutshëm në krah të Austrisë është kritikuar shpesh nga historianët gjermanë. Heinrich Jaenecke e quan perandorin Wilhelm një “diletant të përjetshëm në skenën botërore”.
A është e mundshme diçka e tillë sot? Ndoshta. Nuk ka garanci që në Europë nuk do të ketë më luftra të mëdha mes fuqive kryesore. Por, gjasat janë shumë më të vogla se në vitin 1914. Atëbotë nuk kishte organizata si NATO (për mbrojtje të përbashkët), as Bashkim Europian (për harmonizim interesash politike dhe ekonomike). Parakusht për ekzistimin e çadrave mbrojtëse si NATO dhe BE është që vendet anëtare të pajtohen mbi katalogun e vlerave të përbashkëta. Ato vende që janë bërë pjesë e këtyre organizatave tashmë janë pajtuar sa i përket vlerave të përbashkëta, ndërsa vendet e Ballkanit, që ende kanë mbetur jashtë, duhet të pajtohen së paku për vlerat bazike, nëse synojnë të futen nën çadrat mbrojtëse.
Në vitin 1914 shumica e politikanëve e kishin nënçmuar rrezikun e luftës. Gjermanët mendonin se do të marshonin nëpër Belgjikë për të pushtuar Francën dhe Britania e Madhe do të qëndronte indiferente. Por, Londra nuk qëndroi anash, por ndërhyri. Franca i frikësohej hegjemonit gjerman dhe thelloi aleancën me Rusinë. Kështu Parisi synonte të rimerrte krahinën e Elsass-Lothringenit (Alsace-Lorraine), të gllabëruar nga Gjermania. Rusia dëshironte t’ia tregonte kufijtë në Ballkan Austro-Hungarisë pasi ushtria ruse më 1905 kishte pësuar një distaftë të rëndë kundër Japonisë. Në këtë betejë të fuqive të mëdha përpiqej të luante një rol edhe Serbia e vogël. Fillimi i shekullit XX-të ishte kohë e artë për ushtarakët e lartë. Zhvillimi teknik mundësoi industrailizimin e luftës: nuk luftohej më me shpata, as me armë joefektive, por me mitraloz dhe – për herë të parë – me gaz lufte. Vdekja në fushëbetejë u shumëfishua në përmasa milionëshe. Mes viteve 1914 dhe 1918 u vranë rreth 17 milionë njerëz.
Z.E.Robelli! Gjithmon i preferuar e i pelqyer,per kulturen rezatuese , njohurite historike,te cilat i bejne shkrimet Tuaja teper te kandshme ,interesante.Deshiroj qe ky mesage t’Ju vije per te vetmen arsye,nxitjen gjithmone per te tjera shkrime!!Kurdohere ne pritje per shuarjen e etjes!Ju falenderoj!
Politika e dikurshme s’ka ndryshuar.Sot per nje Po per nje Jo fillon lufta.