Duke filluar nga dita e djeshme ka hyrë në fuqi vendimi për regjistrimin e kodit IMEI të telefonave celularë.
Sipas vendimit të Qeverisë, që pas botimit në Fletoren Zyrtare, ka hyrë në fuqi, cdo individ që ka në përdorim një apo më shumë celularë duhet ta regjistrojë atë brenda afatit të përcaktuar, në të kundërt do të paguajë një gjobë deri në 500 lekë deri në mbyllje të shërbimit. Bëhet fjalë për regjistrimin e aparatit celular dhe jo të kartës Sim.
Çdo aparat ka një kod 15-shifror, i cili është unik. Për ata që kanë një aparat celular dhe e regjistrojnë brenda 90 ditëve nga hapja e proçesit, regjistrimi është falas, për ata që nuk e regjistrojnë brenda këtij afati, tarifa është 500 lekë dhe kjo vlen edhe për ata që do të blejnë një aparat të ri celular pas përfundimit të proçesit.
Vendimi i qeverisë ka përcaktuar të gjitha procedurat që do ndiqen për regjistrimin dhe gjithcka argumentohet me krijimin e një baze të dhënash për të formalizuar tregun e celularëve në vend dhe për të ulur kontrabandën. Kjo është theksuar edhe nga ministrja Milena Harito, sipas së cilës një aparat i regjistruar i cili më pas mund të vidhet, nuk vlen më për t’u shitur në trëgun e zi, pasi policia e bllokon menjëherë atë duke u bazuar te numri i serisë IMEI.
Proçedurat e regjistrimit
Ministria e Financave ka dy muaj kohë për krijimin e të dhënave, pas kësaj, i jepet mundësia operatorëve telefonikë që të njoftojnë abonentët e tyre për tu paraqitur në mënyrë që të bëhet regjistrimi i aparatëve.
Me krijimin e një baze të dhënash institucioni përgjegjës do të fillojë menaxhimin dhe ndarjen në 3 lista. Në listën e parë ose listën e bardhë do të bëjnë pjesë të gjithë ata që kanë regjistruar aparatët celularë. Në listën e dytë ose atë gri do të jënë ata që ende nuk e kanë kryer procedurën e regjistrimit dhe në listën e tretë ose të zezë do të jenë aparatët që figurojnë të vjedhur.
Në rast se nuk zbatohet afati atëherë operatorët telefonikë celulare e kalojnë në listën e zezë dhe heqin shërbimin për këtë aparat dhe regjistrimi i një aparati që ka kaluar në listën e zezë do të bëhet kundrejt një pagese prej 1000 lekësh.
Vendimi përcakton që Ministria e Financave, me cilësinë e administratorit të Bazës së të Dhënave për numrat IMEI, ka të drejtën dhe detyrimin e modifikimit të të dhënave të bazës.
Operatorët e telefonisë celulare furnizojnë rregullisht Bazën e të Dhënave me informacione dhe lista të reja për upload, regjistrime të reja, kërkesa për modifikime, konstatimin e ndryshimit të përdoruesit të aparatit IMEI dhe çdo të dhënë tjetër që gjykohet prej tyre e rëndësishme për këtë bazë.
Numrat IMEI sapo identifikohen nga Baza e të Dhënave do të grupohen në 3 (tri) kategori:
a) Listën e bardhë në të cilën janë aparate të regjistruara rregullisht dhe që përmbajnë të dhënat e përshkruara në shkronjat “a”, “b” ose “c”, të paragrafit të dytë, të pikës 4, të këtij vendimi;
b) Listën gri, në të cilën janë aparate nga individë për përdorim vetjak dhe regjistrimi i të cilave nuk është kryer ende;
c) Listën e zezë, në të cilën janë aparate të deklaruara të vjedhura apo të importuara ilegalisht.
Personi juridik, i cili, në cilësinë e importuesit, është në zotërim të aparateve celulare të dedikuara për shitje, duhet të depozitojë pranë Ministrisë së Financave listën e numrave IMEI të aparateve që ka në zotërim, markën e aparatit/aparateve, si dhe tipin. Personi fizik tregtar, i cili, në cilësinë e tregtarit, ka në zotërim, në pikat e veta të shitjes, aparate celulare të dedikuara për shitje, duhet të depozitojë pranë Ministrisë së Financave të dhëna për importuesin nga i cili/të cilët janë blerë aparatet celulare, listën e numrave IMEI të aparateve që ka në zotërim, markën e aparatit/aparateve, si dhe tipin.
Kompanitë e telefonisë celulare i dërgojnë një mesazh klientit-individ në formë kërkese për regjistrimin e numrit IMEI, duke i shpjeguar të dhënat që kërkohen të regjistrohen. Klienti mund të dërgojë SMS tek operatori (short code i dedikuar), me të cilin të japë të dhëna për: identitetin, numrin/numrat IMEI, markën e aparatit/aparateve, tipin, si dhe numrin personal të identifikimit. Në rast se të dhënat e klientit janë të plota, atëherë kompania celulare i dërgon klientit “via sms” konfirmimin e marrjes së të dhënave.
Individi, pa pritur njoftimin e dërguar nga kompania celulare apo në rastet kur nuk është në gjendje që të plotësojë të dhënat vetëm nëpërmjet një teksti sms, mund të paraqitet pranë dyqaneve të operatorëve celularë përkatës për të kryer regjistrimin e aparatit/aparateve që disponon, me të dhënat me numrin IMEI, markën e aparatit/aparateve, tipin, si dhe numrin personal të identifikimit. Çdo individi i lejohet të regjistrojë, në emrin e vet, pa pagesë, më shumë se një aparat celular, me kusht që të gjithë numrat IMEI të rezultojnë të regjistruar në Bazën e të Dhënave.
Të gjithë individët, të cilët kanë marrë mesazhin njoftues nga kompania celulare, ose janë paraqitur vullnetarisht në sportelet e kompanisë për të deklaruar të dhënat dhe e bëjnë regjistrimin e numrit IMEI të aparateve celulare që disponojnë, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditësh nga hapja e procesit të regjistrimit sipas parashikimit të pikes 14 të këtij vendimi, nuk paguajnë për regjistrimin.
Për të gjithë numrat e telefonisë celulare, të cilëve edhe pas kalimit të afatit 90-ditor, të parashikuar në pikën 15 të këtij vendimi, nuk iu korrespondon numri IMEI nga Baza e të Dhënave, operatorët e telefonisë celulare i dërgojnë një sms klientit, duke e informuar se shërbimi i telefonisë celulare do të ndërpritet për arsye se nuk ka respektuar detyrimin e këtij vendimi për regjistrim të numrit IMEI. Në të njëjtën kohë, operatori i telefonisë celulare dërgon njoftim në Bazën e të Dhënave për kalimin në listën e zezë.
Brenda 15 ditëve pas përfundimit të procesit të regjistrimit, Ministria e Financave në bashkëpunim me operatorët e telefonisë celularë kryejnë rakordimin mes numrave IMEI që gjenden në Bazën e të Dhënave me numrat e shërbimit celular të kompanive të telefonisë celulare.
Pas përfundimit të afatit 15-ditor të përcaktuar në paragrafin e parë të kësaj pike, operatorët e telefonisë celulare do të ofrojnë shërbimet e tyre vetëm për numrat IMEI të aparateve celulare, të cilët janë në Bazën e të Dhënave të Ministrisë së Financave.
Në përfundim të procesit të plotësimit të Bazës së të Dhënave, për efekt të verifikimit të të dhënave personale të deklaruara nga individët, Ministria e Financave dërgon për verifikim në regjistrin themeltar të shtetasve listën emërore të individëve.
Individëve, të cilët pas kalimit të afatit 90-ditor të parashikuar në pikën 15 të këtij vendimi ose në vazhdimësi paraqiten pranë sporteleve të operatorëve të telefonisë celulare për të marrë një kartë SIM, u bëhet verifikimi i regjistrimit të numrit IMEI pranë Bazës së të Dhënave.
Në rast se numri IMEI i aparatit nuk ekziston në Bazën e të Dhënave, individi paguan një tarifë shërbimi prej 500 lekësh për regjistrimin e numrit IMEI.
Vendimi parashikon që afati maksimal për qëndrimin e një numri IMEI në listën gri është 15. ditë.Në rastin e identifikimit të një numri të ri IMEI, i cili operon me një prej operatorëve të telefonisë celulare, që janë të licencuar në Republikën e Shqipërisë, njoftohet menjëherë operatori i cili bën regjistrimin e numrit IMEI në listën gri.
Operatori kontakton menjëherë përdoruesin e numrit celular për të marrë në rrugë telefonike të dhënat personale të tij dhe për ta njoftuar atë për detyrimin për regjistrimin e numrit IMEI të aparatit celular të përdorur prej tij, brenda 15 ditëve duke filluar nga ai çast.
Individët, që fusin në territorin e Republikës së Shqipërisë një aparat të ri celular, mund ta deklarojnë edhe vullnetarisht numrin e identifikimit personal pranë operatorit që i ofron shërbimin e telefonisë celulare, pa pritur njoftimin nga operatori. Zotëruesi i aparatit paguan një tarifë shërbimi për regjistrim prej 500 (pesëqind) lekësh pranë operatorit të telefonisë celulare, i cili i transferon këto të ardhura në llogari të Ministrisë së Financave.
Me kalimin e afatit 15-ditor, të parashikuar në paragrafin e parë të këtij vendimi, në varësi të faktit, nëse është bërë identifikimi ose jo i pronarit të aparatit, Ministria e Financave e kalon aparatin në listën e bardhë ose në të zezën.
Operatorët e telefonisë celulare ndërpresin ofrimin e shërbimit për çdo kartë të vendosur në një aparat, numri IMEI i të cilit rezulton në listën e zezë të Bazës së të Dhënave. Në rast se regjistrimi i numrit IMEI bëhet pasi aparati ka kaluar në listën e zezë të Bazës së të Dhënave, atëherë transferimi në listën e bardhë bëhet pasi zotëruesi i aparatit paguan tarifë shërbimi për regjistrim prej 1 000 (një mijë) lekësh.
E drejta e aksesit
E drejta e aksesit në Bazën e të Dhënave, sipas fushës së përgjegjësisë dhe për aq sa u takon kompetencave ligjore të ushtruara prej tyre, i jepet:
a) Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe degëve doganore;
b) Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe drejtorive rajonale tatimore;
c) operatorëve të telefonisë celulare në vend;
ç) Ministrisë së Punëve të Brendshme;
d) Policisë së Shtetit;
dh) Prokurorisë;
e) gjykatave.
Sipas vendimit, e drejta e aksesit autorizohet nga ministri i Financave.
Gjithashtu vendimi parashikon që të gjithë importuesit, në çastin e deklarimit dhe të pagesës së detyrimeve fiskale pranë shërbimit doganor, duhet të deklarojnë edhe listën e numrave IMEI të aparateve të importuara sipas nenit 26 të ligjit nr. 7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar.
Degët doganore dërgojnë rregullisht në vazhdimësi të dhënat në Bazën e të Dhënave për numrat IMEI, të deklaruar nga importuesit, në përputhje me nenin 26 të ligjit nr. 7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar.
Kontrollet
Gjatë ushtrimit të kontrollit ndaj subjekteve që tregtojnë aparate celulare, administrata tatimore akseson Bazën e të Dhënave të numrave IMEI për të verifikuar nëse aparati celular ka numrin IMEI të regjistruar. Në rast se rezulton që subjekti tregton një aparat të paregjistruar, raporton menjëherë në Ministrinë e Financave për futjen e atij numri IMEI në listën e zezë dhe merr masat përkatëse në bazë të legjislacionit përkatës të procedurave tatimore.
Në rast të denoncimit të një aparati të vjedhur, organet e policisë njoftojnë menjëherë Bazën e të Dhënave për të dhënat që denoncuesi ka në lidhje me numrin celular që kishte në përdorim, numrin personal të identifikimit dhe numrin IMEI nëse ai dihej nga denoncuesi.
Baza e të Dhënave, në rastet kur numri IMEI nuk disponohet nga denoncuesi, bën verifikimin dhe identifikon numrin IMEI nëpërmjet të dhënave të tjera dhe, në çdo rast, e kalon numrin IMEI nga lista e bardhë në listën e zezë. Më pas i bën njoftim operatorit përkatës për marrjen e masave të mëtejshme.
Në rast të identifikimit të një numri IMEI, i cili është i regjistruar në Bazën e të Dhënave, por rezulton të jetë ndryshuar nga përdoruesi ose nga një numër IMEI në zotërim të importuesit apo tregtarit të jetë bërë aparat i një karte në përdorim të një individi, atëherë operatori i shërbimit, referon menjëherë ndryshimin në Bazën e të Dhënave, në mënyrë që të bëhet verifikimi dhe reflektimi i ndryshimit.
Në çdo rast të shtimit të një individi të ri si përdorues i një ose më shumë numrave IMEI, bëhet verifikimi i të dhënave personale të individit në regjistrin themeltar të shtetasve.
Ministri i Financave, për verifikimin e të dhënave të individëve, sipas parashikimeve të këtij vendimi, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me ministrin përgjegjës për administrimin e Bazës së të Dhënave për shtetasit.
Po nqs une dua ta shes? Apo do kerkojne kupon tatimor dhe TVSH?
Ne cilet shtete veprohet keshtu?
Mire po emigrantet qe rojne jashte dhe vin nje here ne vit si I behet???
Te gjithe kane nje nr dhe karten sim e vendosin ne celularin qe perdorin ne vendin e tyre. Pra nqs emigranti ka ikur dhe vjen vitin tjeter ai duhet te paguaje gjobe dhe ngaqe se ka deklaruar nr IMEI eshte edhe ne listen e zeze.
Hajde specialist hajde Po tere analfabetet gjithe jeten do qeverisin kete vend…
C,jane keto budallalleqe qe c,pikin. Se kemi degjuar ne asnje vend te botes.
Nuk arrij tu besoj syve cfare po lexoj. Kjo eshte idiotesia me e papare qe kam pare se fundmi. Cfare probleme kemi ne, e cfare po bejne keta. Vidhen miliona Euro dhe keta ende vendosin ligje per me marr nje 500 leksh, dhe per te krijuar nje Big Brother te tmerrshem. E papranueshme, shpresoj te kete protesta!
I kane mendte e kokes keta? Si mund te bejne dicka qe askush nuk e ben se ne shume vende eshte antikushtetuese. Kam udhetuar ne 10 vende dhe nje telefon e kam perdorur KUDO, dhe sme ka pyetur njeri ku e ke marre, si e ka IMEI etj etj.