Fondi i punësimit/ Veliaj: Vetëm në Durrës kanë përfituar 13 subjekte

27 Gusht 2014, 15:29Sociale TEMA

Rreth 60 gra, të cilat janë hequr nga  listat e ndihmës ekonomike janë punësuar në një subjekt fason, duke përfituar nga “Fondi i Nxitjes së Punësimit”.

Ministri i Punësimit dhe Mirëqenies Sociale Erion Veliaj  tha se “nga ky projekt kanë përfituar 13 subjekte vetëm në qytetin e Durrësit, të cilët kanë punësuar 484 punëtorë të rinj”.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, deklaroi sot se Fondi i Nxitjes së Punësimit është një mënyrë e mirë për të inkurajuar punësimin dhe shkëputur njerëzit në nevojë nga Ndihma Ekonomike. Sipas tij, shteti duhet të japë më pak para për lëmoshë, e më shumë para për të nxitur punësimin.

Këto deklarata ministri Veliaj i bëri gjatë vizitës së tij në kompaninë e konfeksioneve “Intimoda” në Durrës, e cila ka përfituar nga programet e këtij viti të Fondit të Nxitjes së Punësimit. Z. Veliaj u uroi “Punë të mbarë” 60 zonjave që kanë filluar punë në këtë kompani me ndërmjetësimin e Zyrës së Punës në Durrës.

“Kjo sipërmarrje ka shkëputur nga ndihma ekonomike 60 zonja, duke i marrë ato në punë. Kur dikush kalon një çast të vështirë në jetë, shteti sigurisht duhet ta ndihmojë për ta kaluar atë vështirësi, por ndihmë ekonomike për 23 vjet rresht nuk ka më”, tha ai. Sipas ministrit Veliaj, interesi publik është shkëputja e njerëzve nga ndihma ekonomike, duke i punësuar ata nëpërmjet zyrave të punës dhe programeve nxitëse.

“Ka shumë njerëz që e ushqejnë kulturën e cinizmit duke thënë se puna në fasoneri nuk është për ne, por nëse vjen nga një zonë rurale, nëse nuk ke të ardhura të tjera dhe jeton me pagesën modeste të ndihmës ekonomike, kjo punë është shumë më e ndershme se sa të ndenjurit në kafe apo pika bastesh”, deklaroi z. Veliaj.

Ai shtoi se shumë shpejt në Durrës do të zhvillohet edhe një konkurs tjetër për Fondin e Nxitjes së Punësimit, nga i cili mund të përfitojnë edhe kompani të tjera, të cilat do të punësojnë njerëz të rinj sipas programeve të shpallura nga zyrat e punës.

Në Durrës, pjesë e Fondit të Nxitjes së Punësimit janë bërë 13 biznese, të cilat kanë përfituar gjithsej 30 milion lekë të reja dhe kanë punësuar 484 punëkërkues të papunë dhe me ndihmë ekonomike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje