PD, përballë me fantazmën e vet

1 Shtator 2014, 18:28Blog TEMA

Nga Besnik Gjongecaj

Për shkak të një mjegullimi të panjohur më parë në politikën shqiptare, po bëhet gjithmonë e më i vështirë karakterizimi i qëndrimeve politike të PD-së së sotme. Ato janë të papërcaktuara, madje edhe të pashpjegueshme. PD konkludon se problemet më të rënda të vendit janë krijuar nga “dyshja Rama-Meta”, por ndërkohë nuk ka denjuar të shpjegojë, për asnjë çast, se pse gjysma e kësaj dysheje, “gjysma Meta” pra, kur bashkohej dikur me një gjysmë tjetër, “gjysmën Berisha”, dhe formonte “dyshen Berisha-Meta”, në vend të problemeve prodhonte të kundërtën: sukses në qeverisje. PD e sotme arrin deri aty sa klasifikon edhe vetë vjedhjet: kontratën e negociuar të energjisë elektrike midis qeverisë dhe CEZ e klasifikon si një vjedhje të vërtetë, ndërsa vjedhjen në Bankën e Shtetit si një vjedhje gjasme. Bërtiste sa i hante në kokë për marrjen e statusit “kandidat” për Shqipërinë dhe ekzaktësisht dy-tri ditë para vendimit bëri atë që ekzaktësisht nuk duhet të bënte: doli nga salla e Kuvendit. PD nuk thotë asnjë fjalë, nuk mban asnjë qëndrim, për raportin e një Komisioni të Qeverisë me anë të të cilit synohet të reformohet sistemi i arsimit të lartë – absolutisht e detyrueshme kjo për opozitën, por kërcen menjëherë përpjetë, sikur e ka pickuar gjarpri, kur qeveria vendos të mbyllë universitetin Justiniani I apo Kristal. Imagjinoni sikur qeveria të kishte mbyllur UET; do të ishte e vështirë të imagjinohej kafsha që do ta kishte pickuar PD, prandaj edhe kërcimi i saj për së larti! Më në fund, substanca e përçudnimit të qëndrimeve politike shfaqet në fushën e reformës territoriale. PD kërkon një hartë tjetër të pushtetit lokal dhe një referendum për këtë qëllim, ndërkohë që nuk pranoi të marrë pjesë në hartimin ekzistueses dhe asnjë nuk e di se për çfarë do të votohet nëse zhvillohet ky referendum. Lajmi i fundit: nuk ka zgjedhje lokale, sepse nuk e duam hartën; d.m.th, unë (PD) nuk dua të marr pjesë në përpilimin e hartës… por, kur të përpilohet (tashmë e përpiluar), harta nuk do të më pëlqejë (nuk më pëlqen), sepse do të jetë (është) spekulative… prandaj, unë (PD), nuk marr pjesë në zgjedhjet lokale, të cilat skematizohen nga kjo hartë! A mund të pranohet nga “softi” i një njeriu normal kjo sekuencë kundërthëniesh!? Sigurisht që jo. Por mund të shpjegohet dhe këtë e bën dikush që e njeh mirë të shkuarën politike të PD. E sigurt për humbjen e ardhshme, PD po kërkon, për shkak të mjeteve që zotëron, atë ku ndihet më e fortë: konfliktin. Sipas një stili të vjetër, shumë më të vjetër se edhe vetë demokracia e këtij vendi. Sipas një stili parademokratik. E kështu me radhë, fatkeqësisht, ka me dhjetëra e qindra fakte të ditëve që po jetojmë të cilat vërtetojnë se PD po i ngjan gjithmonë e më shumë një të sëmuri mendor, qendrat e dëmtuara në trurin e të cilit nuk i japin asnjë mundësi të kontrollojë lëvizjet e gjymtyrëve, trupit, gjuhës, aq më shumë t’i harmonizojë ato.

Një gjë është e sigurt: PD është denatyruar dhe ka adoptuar një formë tjetër ekzistence, të pangjashme jo vetëm me formën e saj fillestare, por edhe me çdo standard të një partie demokratike të kohës. Humbja e jetës politike brenda PD dhe zëvendësimi i saj me përplasje individësh pa vizion, të zhveshur nga çdo qëndrim publik mbi ato që po ndodhin në Shqipëri, shurdhmemecë, por të fokusuar vetëm te kapja e pushtetit, po e nxjerr PD-në nga aksioni, po i pret lidhjet e saj me qytetarët, po e kalbëzon, në thelb atë. Futja në procesin opozitar, në fakt, duhet të prodhonte të kundërtën: rivitalizimin e partisë, rindërtimin e saj. Po ndodh e kundërta. Një gjë, megjithatë, është e sigurt: shkaku pse procesi i denatyrimit të PD po merr përmasa shokuese edhe në opozitë është një shkak i thellë, gjithëpushtues, aspak i thjeshtë, por mbi të gjitha, nuk është dhe nuk mund të ishte një shkak rastësor. Gjithçka ka filluar herët dhe ka filluar ekzaktësisht me materializimin e kultit epshor të individit. Shëndeti politik i PD-së mori tatëpjetën me fillimin e procesit që synonte të zëvendësonte PD-në me një individ të vetëm. Pavarësisht kohës, kompleksitetit, rënieve, ngritjeve, ringritjeve, pushimit të përkohshëm për arsye taktike, zhvillimit shpërthyes e të pakontrolluar menjëherë më pas, pra, pavarësisht sinusoidës së zhvillimit të këtij procesi, kulti i individit është në thelb shkaku i parë dhe i fundit i denatyrimit të PD-së, daljes nga misioni dhe tashmë së fundi, edhe humbjes tragjike të ekuilibrit. E gjithë partia është orientuar drejt pushtetit, sipas shembullit të njëshit. Të gjithë në rresht, të gjithë shurdhmemecë. U vjen dëgjimi dhe goja vetëm kur shfaqet pushteti, karrigia. Madje edhe këtë, pushtetin, e kërkojnë në rresht. Dhëmbë shtrënguar.

Këtë radhë, përshpejtimi i procesit të denatyrimit të PD-së mund të shpjegohet me një shkak specifik, i cili ekziston si i tillë vetëm nëse gjykohet në sfondin e kulturës së kultit të individit. Ishin zgjedhjet e fundit në parti ato që e përshpejtuan denatyrimin e PD. Nuk është paradoks, vetëm se vjen e duket si i tillë. Me të drejtë, pas këtij pohimi, shumëkush mund të bëjë menjëherë pyetjen: si është e mundur, si, që zgjedhjet një anëtar një votë, ashtu sikundër u paraqitën nga PD, të mos prodhojnë demokraci, por të kundërtën e saj? Si është e mundur që zbatimi i një standardi votimi të bëhet shkak i një denatyrimi edhe më përçudnues të PD? Nuk ka asnjë sekret. Përkundrazi, përgjigjja është shumë e thjeshtë: zgjedhjet u kryen pa bërë analizën e humbjes dhe daljes së PD-së në opozitë. Zgjedhjet ishin në rregull formalisht: njerëzit shkonin votonin për dikë dhe prisnin rezultatin. Por ishin bosh përbrenda, ishin pa përmbajtje. Asnjë votues, së paku, nuk dinte asgjë se ç’përgjegjësi kishte në humbjen e qershorit ai për të cilin votonte. Ç’mendim kishte për humbjen e qershorit, për shkaqet, për personazhet, për qeverisjen e PD, për raportet e saj me njerëzit, akoma më shumë, për raportet me ngjarjet. Asnjë nuk e dinte nëse votoi për dikë që ishte i implikuar apo mbështeste “tretjen” e strukturave të PD dhe zëvendësimin e tyre me autoritarët; asnjë nuk e dinte nëse votoi për dikë që qeverisjen me LSI e konsideronte si “patriotike” apo të kundërtën, si uzurpim të pushtetit nga autoritarët e PD; asnjë nuk e dinte nëse votoi për dikë që ishte i implikuar ose mbështeti masakrën e Gërdecit; nëse votoi për dikë që ishte i implikuar apo mbështeti vrasjen e katër qytetarëve në bulevard; nëse mbështeste apo jo “serenatën” mediatike të z.kryeministër të PD-së poshtë shtëpisë së z.Meta një ditë para se ky i fundit të gjykohej nga drejtësia e këtij vendi për një skandal korrupsioni; nëse votoi për dikë që për interesa enigmatike është i implikuar apo mbështet bojkotin e Kuvendit ekzaktësisht kur nuk do të duhej ta bënte këtë; nëse votoi për dikë që ishte i implikuar apo mbështeste gjendjen tragjike në universitetet shqiptare; në arsimin përgjithësisht, në spitalet shqiptare, në gjykatat shqiptare; nëse votoi për dikë që është i implikuar apo mbështet të jetuarit përmes korrupsionit; nëse votoi për dikë që shqiptarëve u dhembin sytë po ta shohin në rrugë dhe jo më në një post partiak. Dhe në fund fare, asnjë nuk guxoi të pyesë personin që do t’i jepte votën: a je ti për kultin e individit apo kundër tij? Ose më shqip: a mendon ti që ishte zëvendësimi i partisë me një individ shkaku pse PD nuk u bë kurrë demokratike? Pse nuk fitoi kurrë, pas vitit 1992, besimin e shumicës së shqiptarëve? Pse humbi dramatikisht më 23 qershor? Realizimi i zgjedhjeve të PD-së pa bërë këto pyetje, ose, që është e njëjta gjë, zbrazja e zgjedhjeve partiake nga përmbajtja, jo vetëm që ka deformuar përfaqësimin në kohë të PD-së, por, dhe kjo është më e keqja, ka tronditur rëndshëm vizionin politik të anëtarëve të saj. Për shkak të mungesës së analizës, njohjes së substancës së humbjes, anëtarët e thjeshtë të PD-së nuk janë më të sigurt se ç’qëndrim do të duhet të mbahet sot ndaj asaj që po ndodh dhe zhvillohet dramatikisht në Shqipëri. Zgjedhjet në PD i forcuan si militantë, por i qorruan si qytetarë.

Zgjedhjet pa përmbajtje dhe pranimi i kultit të individit, megjithëse në gjendje të fshehur, shpjegon inkonseguencën, paqëndrueshmërinë gati dramatike në qëndrimet e sotme politike të PD-së. Le të marrim vetëm dy prej tyre: qëndrimet e PD-së ndaj mbylljes së disa universiteteve private dhe vjedhjes në Bankë. Çështja e mbylljes së universiteteve private ka të bëjë së pari me masivizimin e arsimit të lartë dhe së dyti me nevojën për të ruajtur standardet. I qëndroj mendimit që e kam shprehur vazhdimisht në mënyrë publike dhe në nivele të ndryshme argumentimi, madje shumë kohë më parë se opozita e djeshme (qeveria e sotme) të kuptonte se ç’po ndodhte në universitetet e vendit, se “…akti më antishqiptar që i është bërë këtij vendi është zmadhimi i sistemit të arsimit të lartë jashtë proporcioneve, pra i pashoqëruar me zgjerimin e kapaciteteve njerëzore dhe materiale që do të duhet të shkojnë paralel me të”; se “…një universitar i arsimuar gabim bëhet shumë më armiqësor ndaj shoqërisë se një qytetar që nuk e merr atë… është kjo arsyeja pse zgjerimi i sistemit universitar nuk i ka shërbyer ndërtimit të demokracisë, përkundrazi, e ka bërë të pamundur atë”. Të gjitha universitetet private dhe filialet publike të mbyllura sot, madje edhe ato të pambyllura ende, janë licencuar nga qeverisja e PD, me synimin antishqiptar (po e le mënjanë korrupsionin) të mbajtjes së pushtetit në kundërshtim me interesat e Shqipërisë. Të vazhdosh të mbrosh interesat e Justinianit I, UET, Kristalit apo soj e sorrollopit edhe sot, kur nuk ka universitar që nuk e di se çfarë ndodh brenda tyre, nuk është më vetëm antishqiptarizëm, por edhe një sindromë, humbje vetëdije, ekuilibri.

Në favor të bankës së zhytur në skandalin e vjedhjes së parave, PD bën edhe më shumë se heshtja. Ajo e relativizon vjedhjen në bankë, duke e quajtur një hiç ndaj një vjedhjeje tjetër, asaj “të vërtetë”, që qeveria i ka bërë popullit të vet me nënshkrimin e një kontrate me CEZ! Gjithsesi, qëndrimi politik i PD ndaj Bankës mbetet i njëjtë me atë ndaj universiteteve. Mos e prekni Bankën! Sepse Banka është autonome – thotë ministri i Financave i PD-së, ky provincial i dhënë si i tillë njëherë e përgjithmonë. Duke mjegulluar me “dobiçllëk” kufirin midis autonomisë si status “check and balance” dhe autonomisë si pavarësi nga qeveria. Gjë që nënkupton se nuk duhet të preken guvernatori i saj dhe anëtarët e Bordit, edhe sikur të kenë bërë namin. Ky qëndrim politik i PD shpjegohet lehtësisht po t’i hedhësh një sy përbërjes së Bordit. Brenda tij fshihet pushteti i PD. Dy anëtarë të Bordit kanë qenë këshilltarë të z. Berisha kur mbante poste shtetërore dhe një i tretë, rektor i një universiteti publik, për të cilin askush në këtë botë nuk e di se çfarë merite ka veç shërbimeve në këmbim të të cilave merr, automatikisht, mbështetjen poshtëruese të PD. Të tre përfaqsojnë pushtetin direkt të ish-kryetarit të PD në Bord. Dy të tjerë, anëtarë të Bordit, kanë fytyrën e UET. Dele-dash. Gjysmë PD – gjysmë PS (LSI). Pa atdhe. Në shërbim të politikës. Indirekt, nuk ka se si, kur e do puna, të mos jenë edhe në shërbim të PD. Dhe pas gjithë kësaj shfaqet guvernatori! I cili i ka mbushur mendjen vetes se institucioni që “kalëron” është ndërtuar mbi autonominë dhe profesionalizmin! A mund të përfytyrohet dot ky mediokër, që mezi lexon raportet e Bankës para gazetarëve, të ndërtojë një Bankë autonome pa “puthur” dorën e kryeministrin të radhës? Aq më shumë, të kuptojë se është e pamundur të krijosh sot, në demokraci, një institucion autonom pa krijuar mekanizma që balancojnë pushtetin brenda institucionit dhe pa krijuar natyrshëm balancën e vetë institucionit me një pushtet të jashtëm që e kontrollon atë dhe që nuk përcaktohet prej tij? Të kuptojë se kur politika e vuri në krye të Bankës, nuk kishte profesionist që s’e dinte se ai, në rastin më të mirë, ishte shembulli se si do të mund të dukej kufoma e një profesionisti me shkollë të lartë. Prandaj, edhe në opozitë, PD po i formulon qëndrimet e saj politike jo në shërbim të demokracisë, por në funksion të përdorimit të pushtetit të saj të mbetur ende në institucionet e shtetit. Për të marrë sa më shpejt një pushtet tjetër politik. Duke e shëmtuar edhe më shumë se në pozitë sjelljen e saj politike. Duke u denatyruar me shpejtësi edhe më të madhe.

Nuk kishte kohë më të mirë se ky vit që PD të pastronte shpirtin. E para, sepse sapo ishte ndarë nga qeverisja dhe kujtesa ishte e gjallë. E dyta, sepse sapo kishte ndërruar kryetarin dhe prandaj, e kishte shumë më të lehtë të rrëzonte mëkatin nga shpatullat. E treta, sepse do të duhet t’i rikthehet rikrijimit demokratik të strukturave, por edhe dokumenteve kryesore (statutit), pas një kohe që nuk mbahet mend. E katërta, sepse ishte ekzaktësisht koha për të kuptuar se kundërshtari më i madh i PD-së nuk është qeveria, por vetë ajo. T’i njihte gabimet para shqiptarëve dhe të denonconte kultin e individit si shkakun më të thellë të largimit të saj nga standardet e një partie demokratike. Të riformulonte sjelljen politike dhe të bëhej gati për të rimarrë besimin e shqiptarëve, jo duke “lehur” sa herë që era lëviz hijen e pemës mbi rrugë, por duke ecur me dinjitet drejt ribërjes. Sepse ajo që ka ndodhur me PD është edhe më e komplikuar madje edhe se vetë tragjeditë e Shekspirit! Fantazma e Mbretit Hamlet i shfaqet të birit dhe i kërkon të marrë hak ndaj atij që e kishte vrarë për t’i zënë fronin. PD e sotme ka zënë vendin e PD-së së fillimit, e PD-së së standardit, të cilën e vrau po aq dinakërisht sa edhe Mbreti Hamlet u vra nga vëllai i tij në tragjedinë e famshme. Deri këtu çdo gjë është njësoj. Dy gjëra të tjera bëjnë dallimin. Ndërsa u deshën pak sekonda dhe helmi në vesh për t’i marrë jetën Mbretit Hamlet, denatyrimi i PD-së ka qenë një proces i gjatë, i drejtuar me dinakëri, me pusi të panumërta, shqyerje personalitetesh, thika spiunësh pas shpine, groposje votash me nxitim nëpër natë, varrosje e vlerave në ceremoni rrëqethëse dhe zëvendësimi i tyre me mekanizma, rregulla, maniera, konspiracione, që si gjymtyrë u shkëputën nga kufoma e sistemit totalitar e përcjellë prej kohësh nëntokë. Fantazma e Mbretit të vrarë kishte kujt t’i drejtohej për të marrë hak: të birit, Hamletit junior. Kujt do t’i drejtohet fantazma e PD-së për të marrë hak për denatyrimin e PD-së, veç vetes? Prandaj, derisa të ribëhet, PD do të jetë gjithmonë përballë me fantazmën e vet. Në një mundim që nuk mbaron kurrë…

8 komente në “PD, përballë me fantazmën e vet”

  1. selman says:

    Ky servil i neveritshem qe kur PD qe ne pushtet u be sekretare i pergjitheshem i PDSH dhe u krijua edhe nje ministri e poacme per te bere kete servil minister , Po sapo PD del ne opozite ky servil fillon te beje opoziten e PD . Kush mund ta besoje kete allosoj intelektuali “Te pavarur”

    1. Ilir Hoti says:

      Ti nuk flet te verteten nga qe nuk e njeh Z.Gjongecaj.Kaa qe ne nje student super. Intelektual,,Asgje e keqe pjesmarrja ne forumet e PD-se dhe largimi per mosperputhje mendimesh…Ka kohe qe eshte shkeputur duke kritikuar ‘njeshin” Kjo eshte e verteta..

  2. psy says:

    Po ç’merreni me PD-ne ore njerez,ku ka me PD,ka familje-parti qe do shkermoqet sa te fusin brenda plakun e rrjedhur ose me mire te dy bashke me te birin….atehere do rilinde PD.

  3. bimi says:

    Shume artikull i gjate dhe i lodhshem. Megjithate, disa konkluzione qendrojne…

    1. Elsa says:

      Nuk jam dakord me komentin qe ben ky SELMANI. Zoti Gjongecaj nuk ka qene sahanlepires etj. Ai flet ne te drejten e vet dhe analiza eshte teper e thelle dhe e sakte.
      Dhe ai flet per nje parti ku ai ka qene nje nder themeluesit dhe ka me shume te drejte se disa te tjere qe nuk kane patur asnje lidhje me PD-ne por ata sot kane ne dore fundosjen e saj.
      Shqetesimi i Gjongecajt eshte i drejte, eshte shqetesim i mases se madhe te anetareve e simpatizanteve te PD.

      PD-se nuk i vjen ndonje e keqe nga ky intelektual dhe eshte mekat qe analizat e ketij personaliteti vleresohen negativisht nga ata qe sot sundojne PD-ne.

  4. Malësori says:

    Te lumte pena o Besnik. Kete analize duhet ta lexoje me kalem ne dore jo vetem e gjithe PD, per te cilen duhet te kthehet ne nje MANIFEST, por edhe qeveria, e cila megjithe perpjekjet, duket sikur po e ka te veshtire ta gjeje veten, te pastroje “ferrat” ne rruge dhe te arrije atje ku duhet.

  5. agim says:

    Analize shume kuptimplote,domethense e konkrete,po te ishte me permbledhur,me e shkurte do dilte koncentrati,shkurt PD nuk ka me keto kushte ,ka vetem Parti te familjes,dhe une jam i mendimit ic ka thene besnik Mustafaj qe PD i duhet vendit dhe ajo duhet te ringrihet edhe njeher qe nga themelet.

  6. Korrektori dr. says:

    Po i the nje fjale si e ema dhe e bjja
    Ky ne monizem rehat e mire
    po nga erdhi ki demokrat babaj kriptokomunit qe j mblidhe gjith universitetit me gjith berishen
    Beisha pai plotsoj ministrit
    ae mos ti thote kush asgje sajoj ministriper besnikun
    Nikut ju rrite mendja shume.
    tani shet dengla si e jema e maje thanes.
    jep direktiva dhe merzite njerit me leksione propagandistike

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje