Arsimi profesional/ Veliaj mbledh drejtorët: Më shumë regjistrime për këtë vit

2 Shtator 2014, 17:55Sociale TEMA

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë,  Erion Veliaj, zhvilloi sot një mbledhje me drejtorët e të gjitha shkollave profesionale në vend, ku theksoi edhe njëherë faktin se arsimi profesional është prioritet i qeverisë dhe vëmendja ndaj tij është e madhe.

Në fjalën e tij, Veliaj paraqiti disa detyra për drejtuesit e shkollave në funksion të rritjes së numrit të nxënësve të regjistruar dhe bashkëpunimit me biznesin.

Duke prekur lidhjen e ngushtë që duhet të ekzistojë midis shkollave profesionale dhe zyrave të punës, ministri Veliaj tha se tani që këto dy fusha operojnë në të njëjtën çati, kanë mundësi të komunikojnë për të vendosur se për cilat kurse dhe drejtime ka nevojë sot tregu i punës.

Kemi një debat të madh për punësimin dhe me të drejtë disa njerëz mendojnë se shqiptarët nuk mund të punojnë të gjithë në kompani “Call Center” apo fasoneri. Por, nëse ke vetëm katër klasë shkollë, ku mund të punosh tjetër? Nëse ke studiuar diçka të përgjithshme dhe nuk ke një aftësi konkrete, ku mund të punosh tjetër? Ku mund të punësohesh si inxhinier nëse nuk ke mbaruar shkollën e duhur?”, tha Veliaj.

Sipas tij, në këto 23 vjet arsimi profesional është trajtuar si diçka e dorës së dytë nga qeveritë në pushtet.

“Fakti se nuk keni marrë vëmendjen e duhur financiare nga qeveria, nuk është justifikim për ta lëshuar veten. Tre nga dhjetë drejtorët e shkollave që kam inspektuar nuk janë më në atë post sepse ato nuk kanë pasur as dinjitetin minimal për t’u hapur. Është e paimagjinueshme që shkollat që ofrojnë drejtimin punë me dru të mos ngulin dot as një gozhdë në dyert e tyre të shqyera”, shtoi ai.

“Shqipëria ka nevojë dhe qeveria po përpiqet të zgjerojë mundësi të tjera punësimi, por përpjekjet për këto fusha të reja punësimi janë të kota nëse ky komunitet, drejtuesit e të cilëve jeni ju, nuk përgatisin sot njerëzit që do t’i zënë këto vende pune në të ardhmen”, vijoi Veliaj, duke theksuar se shumë investitorë të huaj kërkojnë njerëz të specializuar, të cilët duhet të vijnë nga shkollat tona profesionale.

Nga ana tjetër, Veliaj tha se një pjesë e mirë e shkollave kanë pasur një performancë të mirë, si shkolla “Petro Sota” në Fier apo “Kristo Isak” në Berat.

Vetëm dje, në shkollën profesionale “Ali Myftiu” në Elbasan, u regjistruan 139 vetë; çka do të thotë se aty ku drejtuesit punojnë, në një ditë regjistrohen po aq nxënës sa ka pasur gjithsej vitin e kaluar. Kurse në shkollën e re “Hermann Gmeiner”, deri tani kanë aplikuar dyfish më shumë se totali i vendeve dhe të gjithë me mesataren mbi 8”, deklaroi ai.

Në fund, Veliaj u la disa detyra drejtorëve të shkollave profesionale, duke nisur që nga rritja me 10% e numrit të nxënësve të regjistruar për çdo shkollë, krijimin e bordit të shkollës, i cili duhet të mblidhet rregullisht çdo muaj dhe në përbërje të tij të jenë njerëzit më të suksesshëm të bizneseve të qytetit, si dhe që çdo nxënës duhet të kalojë 30% të kohës së tyre duke u praktikuar në bizneset e profilit për të cilin mësojnë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje