Mario Gomez nuk po kalon periudhën më të mirë të karrierës së tij.
Të mërkurën në mbrëmje, ndaj Argjentinës, sulmuesi i Gjermanisë gaboi rëndë në 3 raste përpara Romeros dhe kampionët e botës humbën 2-4.
Për fat të mirë ishte një miqësore, por në Gjermani nuk e përtypën paraqitjen e tij.
Dje në një sondazh nga gazeta “Bild” ngriheshin pyetjet: A i duhet dhënë sërish besim 29-vjeçarit të Fiorentinës?
A duhet të jetë sërish ai titullar ndaj Skocisë, në ndeshjen debutuese të kombëtares së Lëvit për eliminatoret e Euro 2016?
57% votuan negativisht, pra që Gomez dështoi dhe duhet të ulet në stol, ndërsa 43% mendojnë se atij i duhet dhënë një tjetër mundësi.
Për fatin e Gomezit nuk vendosin tifozët, por trajneri Lëv.