Gashi: Do t’i shënoj Realit

16 Shtator 2014, 15:03Sport TEMA

Futbollisti kosovar nga Qabiqi i Klinës, Shkëlzen Gashi, pritet të luajë sonte kundër Real Madridit në Ligën e Kampionëve, për skuadrën e tij Bazel. Në një intervistë për ‘Sport Plus’, Gashi ka thënë se është i gatshëm të luajë kundër Realit dhe nëse i jepet mundësia, do të shënojë edhe gol.

Takimin me gjigantin spanjoll e ka cilësuar si shumë të vështirë, por jo të pamundshëm për të nxjerrë rezultat pozitiv. Ai ka folur edhe për Kombëtaren shqiptare dhe përballjen me Serbinë.

 

Do të luani kundër Real Madridit, që e ka edhe në radhët e veta edhe Ronaldon. Çka mund të presim nga Shkëlzen Gashi?

Do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe e veçantë për mua, pasi do të luajmë kundër një klubi të madh siç është Real Madrid dhe Ronaldos që është më i miri. Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën që kërkohet nga ne fushë. E kemi të qartë që do të jetë shumë vështirë.

 

A mund të presim ndonjë gol?

 

Unë hyj në lojë për të ndihmuar ekipin tim dhe mundohem të jap maksimumin në çdo ndeshje. Nuk ka rëndësi kush shënon, por me rëndësishme do të jetë fitorja e Baselit. Do të gëzohesha shumë nëse shënoj.

 

Përveç Realit ju do të luani edhe kundër Liverpulit, një skuadër me emër në botë. Sa ka forcë Bazeli që të dalë fitues përballë anglezëve?

 

Po ashtu është, në grup është edhe Liverpuli, një klub shumë i fortë. Baseli ka një skuadër të fortë, ndoshta edhe më të fortë se vitin e kaluar ku mposhti dy herë Çelsin. Kuptohet që favorit është Liverpuli, por ne nuk do të hyjmë me atë mendim, por do të luajmë për të fituar si në çdo ndeshje tjetër.

 

Si e sheh fundin e fazës së grupeve?

 

Ende nuk e kemi luajtur asnjë ndeshje dhe është vështirë të jap një parashikim. Të gjithë e dinë favoritë për ta kaluar grupin janë Real Madrid dhe Liverpul. Mbetet të shihet se çka do të ndodhë, por në futboll është e mundshme gjithçka.

 

Në ndeshjen kundër Portugalisë, keni qenë në stolin rezervë, si e vlerëson fitoren e arritur në Portugali?

 

Kam qenë në stolin rezervë dhe jam gëzuar shumë që kemi fituar. Ka qenë një fitore e madhe dhe e paharruar. Kemi mposhtur favoritin e grupit dhe kjo është shumë pozitive. Ne duhet të vazhdojmë të fitojmë dhe të arrijmë atë që e kemi synim.

 

Me 14 tetor do të luani kundër Serbisë, sa ka gjasa që të fitoni në Beograd?

 

Kemi fituar në Portugali dhe mund të fitojmë edhe në Serbi. Kemi ekip shumë të mirë. Kjo ndeshje do të jetë më ndryshe dhe aspak nuk do të jetë lehtë.

 

Nëse futeni në lojë, si do të ndiheni dhe a do të jesh i gatshëm t’i shënosh gol serbëve?

 

Unë jam i gatshëm çdoherë të shënoi kur të më jepet rasti. Edhe kundër Serbisë nëse trajneri më inkuadron në lojë unë jam i gatshëm për të shënuar gol. Detyra ime është ta ndihmoj ekipin.

 

Sa jeni i kënaqur me formën që po tregoni te skuadra e Baselit, keni shënuar katër gola në tetë paraqitje deri më tani?

 
Forma ime ka shkuar duke u ngritur viteve të fundit. Mund të them se jam i kënaqur me formën që kam treguar edhe te skuadra e Baseli, por vetëm deri me tani. Një vlerësim më i madh do të jetë në fund të sezonit.

2 komente në “Gashi: Do t’i shënoj Realit”

  1. rita says:

    Sa për dijeni “Bazeli”, i hëngri pesë, nga “reali”…(???!!!)

  2. Hajri says:

    Jo vetem kaq,por ky spurdhjaku joshqipfoles që rrah gjoksin,nuk luajti fare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje