Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan DIDI, mori pjesë në Konventën e Drejtuesve të Policive, që u zhvillua në ambientet e godinës Qendrore të Europolit në qytetin e Hagës (NL).
Në këtë aktivitet ishin pjesëmarrës Drejtorët e Përgjithshëm të Policive të vendeve anëtare të Europolit, por edhe të atyre vendeve që kanë një bashkëpunim të ngushtë me Europolin, si edhe organizata të tjera ndërkombëtare të cilat bashkepunojnë në fushën e sigurisë.
Gjatë këtij takimi, u trajtuan aspekte të ndryshme lidhur me çështjet e sigurisë në Europë, ndër të cilat lufta kundër terrorizmit, kontrolli i flukseve migratore të paligjshme dhe trafikut të qenieve njerëzore, lufta kundër krimit ekonomik dhe atij financiar, si dhe lufta kundër krimit kibernitik.
Përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse dhe ekspertë të fushave të ndryshme, bënë rekomandimet e tyre, në kuadër të rritjes së sigurisë për qytetarët e BE-së dhe jo vetëm. U propozua të shikohet mundësia e krijimit të një task force, operacionale të specializuar dhe me përbërje nga vende të ndryshme, në kuadër të luftës kundër organizatave kriminale.
Në përfundim të kësaj konvente, Drejtori i Europolit, falenderoi të gjithë të pranishmit për pjesemarrjen në këtë konventë dhe për kontributin e tyre të përditshëm, për një Europë gjithmonë e më të sigurt për qytetarët e saj.
Gjatë ditëve të qëndrimit në Hagë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Didi zhvilloi takime bilaterale me homologët e tij të Italisë, Kroacisë dhe Qipros.
Gjatë këtyre takimeve u diskutua mundësia e rritjes së bashkëpunimit përsa i përket shkëmbimit të informacionit midis vendeve respektive, në kuadër të luftës kunder krimit ekonomik dhe atij financiar, luftës kundër trafiqeve të ndryshme kriminale, luftës kundër terrorizmit me origjinë fondamentalizmin fetar, bashkëpunimin në fushën e arsimit etj.
Drejtuesit e këtyre policive shprehën gadishmërinë e tyre për të ndihmuar policinë shqiptare, për sa i përket arritjes së standardeve në kuadrin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.