Prokuroria e Tiranës i ka komunikuar rdian Bitrajt, i dyshuari kryesor për vjedhjen e 713 milionë lekëve në BSH, Klevis Bejtja dhe Mimoza Burzia, akuzat që jane ngritur ndaj tyre.
Burime pranë Prokurorisë bëjnë të ditur se grupi hetimor i ngritur për këtë çështje është paraqitur pranë qelisë së paraburgimit ku ndodhet Bitraj dhe i kanë bërë të ditur në prezencë të avokatit mbrojtës akuzat ndaj tij.
Prokuroria akuzon Ardian Bitraj për vjedhje të bankës dhe kursimeve, duke shpërdoruar detyrën, çka do të thotë se ish- shefi i arkës stok në Departamentin e Emisionit rrezikon nga 10-20 vjet burg.
E njëjta akuzë është ngritur dhe për dy të pandehurit e tjerë, Mimoza Burzia, e cila dyshohet se ka ndihmuar Bitraj gjatë këtyre katër viteve ne realizimin e vjedhjeve, si dhe për Klevis Bejtja, nipi i Ardian Bitraj, i cili është kapur nga kamerat e sigurisë së BSH duke u takuar me Bitraj në dalje të degës së thesarit, pasi kishte konsumuar veprën penale.
Gjithashtu, mësohet se akuzat do t’i komunikohen edhe personave të tjerë të përfshirë në hetim, më konkretisht 19 të pandehurve, përfshi këtu edhe Adrian Fullanin, ish- Guvernatorin e BSH, si dhe për ish-Kryeinspektoren e BSH, Elivar Golemi.