Ish-drejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Edmond Rrushi dhe 4 ish-drejtues të tjerë janë kallëzuar penalisht nga KLSH për shpërdorim detyre.
Në përfundim të auditit të ushtruar për periudhën 1 janar 2013 deri më 31 dhjetor 2013, është konstatuar se në këtë institucion janë keqmenaxhuar fonde në vlerën 560 mijë dollarë, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik në masën 350 mijë dollarë.
I kallëzuar në Prokurori është edhe ish-shefi i Shërbimit Farmaceutik F.M; pasi gjatë auditit u konstatua një gjendje e lartë medikamentesh të skaduara në depot farmaceutike të QSUT.
“Kështu, rreth 107 artikuj (barna dhe medikamente të skaduara) rezultojnë gjendje nga viti 2012, me vlerë 40,909,510 lekë, ndërsa për vitin 2013, vlera e medikamenteve të skaduara arrin në 15,370,410 lekë. Dëmi i shkaktuar nga keqadministrimi apo pakujdesia në planifikim të nevojave, si dhe nga shpërndarja e medikamenteve, kap kështu shifrën 56,279,919 lekë”, thuhet në njoftimin e KLSH.
Për shkelje sa i takon procedurave të tenderimit dhe prokurimeve është kallëzuar penalisht edhe ish-titullari i Autoritetit Kontraktor me inicialet E.B.
Ndërsa shkelje janë konstatuar edhe sa i takon riparimit të aparaturave mjekësore, dhe të kallëzuar janë ish-Përgjegjësi i Njësisë së Inxhinierisë Klinike, R.B; dhe ish-Përgjegjësi i Sektorit Teknik, A.Gj.
Për përmirësimin e gjendjes, KLSH i ka rekomanduar QSUT 29 masa organizative, 4 masa për shpërblim të dëmit të shkaktuar në vlerën totale 35,500, 000 lekë, si dhe 16 masa disiplinore. KLSH ka kërkuar marrjen e masave disiplinore “zgjidhje e kontratës së punës” për 5 punonjësit e mësipërm të QSUT dhe masën disiplinore “vërejtje me shkrim” për 11 punonjës të tjerë.