Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, në vijim të vizitës që po zhvillon në Britaninë e Madhe, takoi homologun britanik Simon Hughes.
Gjatë takimit Ministri Naçoka bërë një ekspoze të hapave të ndërmarra deri më tani nga Ministria e Drejtësisë, dhe është ndaluar veçanërisht në përpjekjet e bëra nga ana e Qeverisë Shqiptare në drejtim të luftës kundër korrupsionit.
Naço e informoi homologun e tij mbi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, rëndësinë e reformimit të Gjykatës së Lartë, risitë në Ligjin “Antimafia”, etj.
Gjithashtu, ministri Naçoe njohu homologun britanik me zhvillimin e konferencës për reformën në drejtesi, e cila do të mbledhë sëbashku të gjithë aktorët e sistemit, për të diskutuar të ardhmen e kësaj reforme.
Ministri u shpreh se konferenca do të jetë një shembull për domosdoshmërinë e gjithëpërfshirjes në këtë reformë.
Partneritetin dhe asistencën e Mbretërisë së Bashkuar, Naço i ka konsideruar të një rëndësie të madhe, ndërsa vlerësoi se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë ka qenë i shkëlqyer dhe se ndihma e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka munguar kurrë.
“Unë vlerësoj se përmbushja e reformave dhe sfidave për integrim, përbëjnë një qëllim madhor i cili kërkon shumë përkushtim nga të gjithë aktorët, por edhe asistencë të vazhdueshme nga ana e partnerëve ndërkombëtarë”, u shpreh ministri Naço
Ministri i Drejtësisë dhe të Drejtave Civile të Britanisë së Madhe Simon Hughes e vlerësoi punën e Qeverisë Shqiptare në fushën e drejtësisë, dhe i konsideroi hapat e ndërmarra deri tani si shumë inkurajuese, ndërsa shprehu interes lidhur me masat dhe prioritetet në vazhdim. Njëkohësisht Hughes shtoi se duhen përshëndetur masat e marra përsa i përket transferimit të të burgosurve.
Ai shprehu interesin dhe angazhimin e tij lidhur me një projekt të përbashkët me Shërbimin e Provës në Shqipëri, dhe siguroi për bashkëpunim të mëtejshëm për projekte të tjera me interest të ndërsjelltë.