Ilmi Bani, një nga piktorët më të spikatur vlonjatë dhe më gjerë, në dekadat e fundit, ndërroi jetë në moshën 74 vjeçare.
Ai përfaqëson brezin e atyre krijuesve në artet vizive, që shënuan një “boom”, në fushën e pikturës në Vlorë, duke e bërë atë një nga degët më të dashura për banorët e këtij qyteti.
Bani, që kryente edhe funksionin e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës, është nga ana tjetër edhe një nga emrat e njohur të asaj që quhet Shkolla Vlonjate e Pikturës.
Ai u aksidentua disa javë më parë, por nuk arriti t’u mbijetonte pasojave të asaj përplasejeje, megjithëse u kurua edhe jashtë vendit.
Arkivoli me trupin pa jetë të Banit, u vendos të enjten në hollin e Teatrit “Petro Marko”, ku u zhvilluan homazhe në nderim të tij dhe ku morën pjesë qytetarë të shumtë, artistë, intelektualë, të afërm, shokë, miq, personalitete të jetës artistike në shkallë vendi.