Hetimi për dy anëtarët e KLD/ Komisioni publikon shkeljet të hënën

7 Tetor 2014, 13:04Politika TEMA

Komisioni hetimor për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj zhvilloi mbledhjen e  radhës, ku u verifikua dokumentacioni i ardhur nga KLD, Ministria e Drejtësisë, shkolla e Magjistraturës dhe ILDKPKI.

Kryetari i komisionit Armando Subashi tha se të hënën e ardhshme do të publikohen gjetjet dhe shkeljet e konstatuara në dokumentacionin e dorëzuar. 

“Nga KLD nuk ka ardhur i plotë procesverbali i 28.05.2014. Të hënën do të bëjmë publike gjetjet dhe shkeljet, ndërsa të mërkurën e ardhshme Cefa e Lelcaj do të thirren në Komision” ,deklaroi Subashi.

Gjithashtu deputeti socialist i ka drejtuar një tjetër apel opozitës për t’u bërë pjesë e këtij komisioni. 

Gjatë mbledhjes së ardhshme të Komisionit Hetimor do të zhvillohen seancat dëgjimore me dy anëtarët e KLD, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj dhe përfaqësues të institucioneve të tjera. 

Komisioni hetimor për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj u ngrit përpara disa ditësh nga Kuvendi, me kërkesë të maxhorancës, pas akuzave ndaj tyre për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit te detyrës në këtë institucion të rëndësishëm. 

Në mbledhjen e fundit të tij, komisioni hetimor miratoi planin e hetimit, i cili përfshin grumbullimin e të dhënave nga KLD, përmes procesverbaleve të mbledhjeve dhe vendimeve të marra nga ky Këshill, që nga periudha kur kanë filluar të ushtrojnë detyrën anëtarët Çefa dhe Lelçaj.
Puna hetimore e komisionit gjithashtu do të shtrihet dhe në emërimet nga KLD-ja të gjyqtarëve në gjykatat administrative, mosemërimin e 28 kryetarëve gjykatash, në kundërshtim me ligjin, etj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje