Këshilli i Ministrave miraton kriteret dhe procedurat për hapjen dhe për mbylljen e institucioneve arsimore parauniversitare publike.
Hapja e institucioneve arsimore publike
Në kuptim të këtij vendimi, “Hapja e institucionit arsimor publik” është procesi i ngritjes dhe funksionimit, për herë të parë, e njërit prej institucioneve arsimore parauniversitare publike të mëposhtme:
Kopsht (arsimi parashkollor);
Shkollë e arsimit fillor;
Shkollë e arsimit të mesëm të ulët; Shkollë e arsimit të mesëm të lartë, që është në juridiksionin e ministrisë përgjegjëse për arsimin.
Nisma për hapjen e një institucioni arsimor parauniversitar publik mund të merret nga: njësia përkatëse e qeverisjes vendore; njësia përkatëse arsimore vendore; komuniteti i zonës, ku pritet të hapet institucioni arsimor parauniversitar publik.
Kur nisma për hapjen e një institucioni arsimor parauniversitar publik merret nga komuniteti i zonës, ku pritet të hapet institucioni arsimor, përfaqësuesit e tij i paraqesin kërkesë me shkrim kryetarit të këshillit përkatës të njësisë bazë të qeverisjes vendore dhe titullarit të njësisë përkatëse arsimore vendore. Në këtë kërkesë parashtrohen arsyet e nismës dhe kontributet e mundshme të tyre për funksionimin e institucionit arsimor.
Kryetari i këshillit përkatës të njësisë bazë të qeverisjes vendore dhe titullari i njësisë përkatëse arsimore vendore shqyrtojnë kërkesën e komunitetit. Kryetari i këshillit përkatës të njësisë bazë të qeverisjes vendore dhe titullari i njësisë përkatëse arsimore vendore, pas konsultimit me përfaqësues të komunitetit të zonës, i paraqesin ministrit përgjegjës për arsimin propozimin për hapjen e institucionit arsimor publik. Propozimi për hapjen e një institucioni arsimor parauniversitar publik shoqërohet me këto dokumente:
Argumentimin e domosdoshmërisë së hapjes së institucionit arsimor publik. Të dhëna për kontributin e njësisë bazë të qeverisjes vendore. Të dhëna për kontributin e komunitetit të institucionit arsimor publik ose të biznesit/partnerëve socialë, ku pritet të hapet institucioni arsimor.
Propozimi për hapjen e një institucioni arsimor publik parauniversitar paraqitet jo më vonë se 3 muaj para fillimit të vitit mësimor, kur institucioni hapet në një godinë ekzistuese ose 1 vit kalendarik para fillimit të vitit mësimor, kur nevojitet godinë e re shkollore.
Institucioni arsimor parauniversitar publik hapet kur plotësohen këto kritere:
Ndërtesa dhe mjediset e saj plotësojnë kushtet për sigurimin e jetës dhe të shëndetit, të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndërtesa e institucionit arsimor dhe mjediset e saj plotësojnë standardet, sipas legjislacionit në fuqi.
Pajisja me mjete mësimore për funksionimin normal të procesit të mësimdhënies dhe nxënies është e mjaftueshme.
Numri i nxënësve për klasë është sipas standardeve të përcaktuara nga ministria përgjegjëse për arsimin.
Ngarkesa mësimore e mësuesve është sipas standardeve të përgjithshme të përcaktuara nga ministria përgjegjëse për arsimin.
Drejtuesit dhe personeli mësimor plotësojnë kriteret profesionale përkatëse të përcaktuara nga ministria përgjegjëse për arsimin.
Ministri përgjegjës për arsimin vendos për hapjen ose jo të një institucioni arsimor parauniversitar publik pas verifikimit të bërë nga njësia arsimore vendore përkatëse për përmbushjen e kritereve të parashikuara në pikën 7, të këtij vendimi.
Mbyllja e Institucioneve Arsimore Publike
Në kuptim të këtij vendimi, “Mbyllja e institucionit arsimor publik” është procesi i mbylljes së institucionit arsimor parauniversitar publik. Nisma për mbylljen e një institucioni arsimor publik mund të merret nga: njësia bazë përkatëse e qeverisjes vendore; njësia arsimore përkatëse vendore; përfaqësuesit e komunitetit të institucionit arsimor publik (bordi i institucionit dhe këshilli i prindërve).
Për mbylljen e një institucioni arsimor publik parauniversitar, kryetari i këshillit përkatës të njësisë bazë të qeverisjes vendore dhe titullari i njësisë përkatëse arsimore vendore i paraqesin ministrit përgjegjës për arsimin propozimin për mbylljen e institucionit arsimor publik, pas konsultimit me përfaqësues të komunitetit të zonës ku ndodhet institucioni arsimor publik.
Propozimi për mbylljen e një institucioni arsimor publik shoqërohet me këto dokumente:
Argumentimin e domosdoshmërisë së mbylljes së institucionit arsimor;
Mundësitë konkrete të transferimit të nxënësve të institucionit që do të mbyllet në një institucion tjetër arsimor parauniversitar publik;
Procedurat e transferimit të nxënësve të institucionit që do të mbyllet në një institucion tjetër/institucione të tjera arsimore publike;
Përcaktimin e destinacionit të inventarit të orendive, mjeteve mësimore etj. të institucionit;
Përcaktimin e mundësive për punësim të personelit të institucionit arsimor që mbyllet.
Mbyllja e institucionit arsimor publik bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin.
Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, njësitë bazë të qeverisjes vendore dhe njësitë arsimore vendore për zbatimin e këtij vendimi.