Komisioni parlamentar Hetimor për të verifikuar punën e nënkryetarit të KLD-së Elvis Çefa dhe të anëtarit Lulzim Lelçaj, paraqiti në mbledhjen e sotme disa nga shkeljet në veprimtarinë e KLD-së.
Shkeljet u evidentuan në bazë të dokumenteve që janë dorëzuar pranë Komisionit hetimor nga Nënkryetari Cefa, i cili bashkë me anëtarin Lelcaj janë ftuar për të dhënë shpjegime në Komision ditën e mërkurë.
Kreu i Komisionit hetimor, deputeti socialist Armando Subashi tha se materiali është fotografim i gjithë çka është vërejtur nga dokumentacioni. Një nga shkeljet e evidentuara, sipas ligjvënësit socialist, është mos emërimi i magjistratëve, i cili nuk është futur në rend dite duke u lënë në heshtje, gjë që sipas tij ka bërë që të vihet në lëvizje ministri i Drejtësisë Naço në fund të vitit 2013.
Subashi tha se në një rast në Tiranë, KLD e ka bërë shpalljen e vendeve vakante pa propozim të ministrit të Drejtësisë. Duke u ndalur tek mosemërimi i kryetarëve të gjykatave, Subashi tha se është shkelur procedura për vlerësimin e kandidatëve.
“Disa gjyqtarë kanë paga të prapambetura. Mosmarrja në shqyrtim kërkesës së Shpresa Beçajt, ish-kryetare e Gjykatës së Lartë ende s’është marrë në shqyrtim. Ka zvarritje për vendimet e gjykatave, edhe pse është konstatuar se punojnë mbi organikën e tyre”, tha Subashi.
Anëtari i Komisionit hetimor, deputeti Braho tha se tashmë është regjistruar në Prokurori një kallëzim penal për veprimtarinë e Elvis Çefës në AKKP, duke u shprehur se lidhur me këtë çështje kanë nisur hetimet.
Sipas axhendës të miratuar në Komisionin Hetimor, Çefa dhe Lelçaj do të kenë mundësi që të parashtrojnë argumentet e tyre njëlloj si në bankën e të akuzuarve në Gjykatë ku do të kërkojnë kohën e nevojshme për t’iu përgjigjur akuzave të ngritura ndaj të dyve. Ajo që bëhet me dije nga Kuvendi është fakti se të dy anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë kanë kërkuar që mbledhja të zhvillohet “Live” ku të transmetohet në mënyrë direkt çdo zhvillim nga mbledhja.
Në materialin prej 12 faqesh, fillimisht deputetët nënshkrues nxjerrin në pah faktin se gjyqësori sot gjendet i vlerësuar gjerësisht si i korruptuar, ndërsa nuk është ushtruar as vullneti i besuar nga Kuvendi, duke u bërë pjesë e shkeljeve të rënda në KLD.
Kërkesa nis me firmën e kreut të grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi dhe rendit njëra pas tjetrës 10 shkeljet, që, sipas deputetëve, kanë kryer Çefa dhe Lelçaj. Dhe si shkak i tyre propozohet nisja e procedurave të lirimit nga detyra. Argumentimi i shkeljeve të listuara nis me lejimin e konfliktit të interesit, në rastin e gjyqtarit të Apelit Gjin Gjoni si anëtar i Këshillit drejtues të Magjistraturës, për të vijuar më pas me mos emërimin e gjyqtarëve brenda afateve.
Në vijim të argumenteve të dhëna në shkresën drejtuar kreut të Kuvendit Ilir Meta, renditen edhe shkeljet për mos emërimin e 28 kryetarëve të gjykatave në kundërshtim me ligjin, promovimin e paligjshëm të disa gjyqtarëve dhe emërimin e kryetarëve të gjykatave në kundërshtim me legjislacionin.
Keqorganizimi i sistemit gjyqësor, sipas deputetëve nënshkrues të kërkesës për shkarkim të dy anëtarëve të KLD-së ka bërë që disa gjyqtarë të privohen nga marrja e pagave.