Kryetari i Komunës së Balldrenit, Zef Doçi i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që të mbajë premtimin për përfundimin e aksit rrugor Balldre – Torovicë në qytetin e Lezhës.
Doçi ka thënë se prishja e kësaj rruge ka izoluar banorët dhe ka ndikuar negativisht në zhvillimin e buqësisë në këtë zonë.
“Qeveria Shqiptare duhet të mbajë premtimin dhe të përfundojë sa më shpejt aksin në Lezhë, i cili ju shërben 6 mijë banorëve të kësaj zone.Kjo është një rrugë nacionale e cila nuk është bërë rikonstruksion totalisht por vetëm në pjesët e gropave dhe aty ku është më e dëmtuar. Kjo rrugë shërben jo vetëm për mirëmbajtjen e mjeteve por në rradhë të parë qëndron problemi për nxjerrjen e prodhimeve nga parcelat dhe transportin e tyre në treg”, shprehet kryekomunari Doçi.
Investimi për asfaltimin e këtij aksi rrugor nisi në prill të vitit 2013 nga ish-Qeveria Berisha, ku sipas projektit u përfundua vetëm 3.5 km e para, ndërkohë gjatë fushatës elektorale deputetët e majtë premtuan përfundimin e kësaj rruge prej 20 km.