Ministria e Drejtësisë do të organizojë tryezën mbi reformën në drejtësi, ashtu sikundër iu kërkua ministrit Naço nga presidenti Bujar Nishani, më datën 31 Tetor.
Kjo tryezë vlerësohet nga Ministria e Drejtësisë si thellim për realizimin e një prej reformave më të rëndësishme, e cila përbën edhe një nga kërkesat e vazhdueshme të Brukselit për Shqipërinë në kuadër të integrimit europian.
“Ministria e Drejtësisë do të organizojë në datën 31.10.2014 një tryezë punë, mbi reformën në drejtësi, në vijim të iniciativave për ta bërë këtë proces sa më gjithëpërfshirës.
Duke vlerësuar kontributin e të gjithë aktorëve të sistemit dhe në zbatim të rekomandimeve të lëna gjatë konferencës së 6 tetorit, kjo tryezë pune vlerësohet si një nismë efektive për thellimin e reformave në drejtësi, por edhe si një element i rëndësishëm drejt suksesit të proceseve integruese”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Të pranishëm në këtë trezë, krahas përfaqësues të partive politike dhe deputetëve, gjithashtu do të jenë ekspertë të fushës së drejtësisë, përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë nga KE, OSBE, Komisioni i Venecias, EURALIUS, USAID, OPDAT, PAMEKA.
“Gjatë kësaj tryeze pune, ndër të tjera do të parashtrohen për diskutim edhe konkluzionet e paraqitura gjatë konferencës së fundit, për të finalizuar një plan-veprimi afatgjatë për reformën në drejtësi 2014-2020”, thuhet në njoftim.
Ministri i Drejtësisë Nasip Naço sqaron se Ministria e Drejtësisë është e vendosur për të kryer Reformën në Drejtësi. Ai thekson se do të bëhet reformim në Gjykatën e Lartë, në KLD dhe Shkollën e Magjistraturës.
“Duam që kjo reformë të jetë gjithë-përfshirëse. Kërkohet konsensus sa më i gjerë me opozitën”, shprehet ministri.
Më 6 tetor, presidenti Nishani mblodhi të gjithë aktorët në një tryezë të përbashkët për reformën në drejtësi, duke vënë theksin në rëndësinë e gjithëpërfshirjes.