INTERVISTA/ Velentina Leskaj: Politikanët serbë e kanë të vështirë të shkëputen nga e kaluara

21 Tetor 2014, 19:24Politika TEMA

Deputetja socialiste, Valentina Leskaj, thotë se politikanët serbë e kanë të vështirë të shkëputen nga e kaluara.

Duke folur në një intervistë për gazetën TemA, ajo shprehet se një ndeshje futbolli, serbët e kthyen në një çështje politike.

Pavarësisht tensioneve të krijuara, Leskaj thotë se kryeministri Rama duhet të shkojë në Serbi, për të diskutuar mbi të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.

 

Intervistoi Nertila Dosti

 

Si i vlerësoni deklaratat politike të zyrtarëve më të lartë serbë pas ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd?

 

Pa dyshim që gjuha e përdorur nga zyrtarët serbë, është dëshmi e një kulture që nuk shkëputet dot nga e shkuara e nuk ka asnjë qasje me vlerat e bashkësisë europiane e të një vendi që aspiron të jetë anëtar I Bashkimit Europian.

Shprehje të urrejtjes e racizmit nëpër stadiume ka patur dhe në raste e vende të tjera, po në këtë rast për fat të keq politika zyrtare është përzier me sportin dhe ky kthehet në një problem që i kalon kufijtë e një ndeshje.

 

Si anëtare e Komisionit  për politikën e jashtme, por edhe si një person që keni një eksperiencë të gjatë në politikën shqiptare, medoni se incidenti në stadiumin “Partizani” do të dëmtojë imazhin e Shqipërisë?

 

Nuk besoj, nuk gjej arsye, përkundrazi, reagimi i Qeverisë ishte i matur, jo emocional, sjellja e ekipit ishte gjithashtu për tu admiruar, në raport me urrejtjen e goditjet me të cilat u përballën.

E vërteta është se Shqipëria ka një sjellje europiane sa i takon marrëdhënieve me fqinjët dhe rolit të saj në rajon.  Ajo që realisht thuhet edhe në raporte ndërkombëtare, përfshirë edhe raportin më të fundit të KiE, se Shqipëria është një faktor stabiliteti në rajon, është një vlerësim që buron nga gjithë qëndrimet e sajë. Madje Shqipëria sot është jo thjesht një faktor pasiv stabiliteti për rajonin, por një faktor proaktiv dhe besoj që pas samitit të Berlinit ky rol vjen edhe më i qartë.

 

A do të ndikojë incidenti në procesin e integrimit të Shqipërisë ?

 

Kushdo që ndjek me mendje të ftohtë, atë që ka ndodhur në stadium, po edhe qëndrimet e politikës zyrtare të Shqipërisë lidhur me incidentin, e ka të qartë se nuk ka e nuk duhet  të ketë kurrfarë ndikimi negativ. Shqipëria e shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë nismëtarë e provokues të shfaqjeve nacionaliste.  Nacionalizmi anakronik  është një kulturë që nuk ka të përbashkët me ne po me vende që e mbajnë në këmbë për për shkak të së shkuarës së tyre, apo për nevoja të politikës së ditës.

Të dyja nuk lidhen me rastin shqiptar.

 

Takimi mes kryeministrit  Rama dhe homolugut  të tij Aleksandër Vuçiç  u shty për në datën 10 nëntor. Ju duket i drejtë ky vendim? A tradhtohen shqiptarët nga kjo vizitë?

 

Unë besoj se e rëndësishme është që vizita të bëhet e sidomos që produkti i sajë të jetë pozitiv për të ardhmen e marrdhënieve të rajonit e natyrisht të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kjo është më e rëndësishme se sa data. Në se nuk ka takime e dialog, vështirë që gjërat të lëvizin në drejtimin e duhur. Personalisht e kam thënë që ditën e parë që vizita duhet bërë.

Eshtë e vërtetë që antarsimi në BE bëhet bazuar në merintën e secilit vend, po një Ballkan komunikues e dialogues mes fqinjëve, është një arsye më shumë për secilin e për të gjithë bashkë, për tu bërë pjesë e bashkësisë Europiane. Nuk duhet harruar se Ballkani që kemi sot nuk është bërë pa mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë e ata duhet dëgjuar, po ndërkohë kjo do të thotë që liderët e ballkanit duhet të marrin përgjegjësitë e rolin e tyre dhe besoj kjo vizitë i kontribuon.

 

Shqipëria dhe Serbia nuk kanë pasur marrëdhënie shumë të mira pasi gjithmonë këto marrëdhënie janë kushtëzuar nga ngjarjet në Kosovë . Do të ndikojë incidenti në marrëdheniet Shqipëri-Serbi?

 

Për fat të keq ka ndikuar por e shoh të përkohshëm. Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë peng i mllefeve nacionaliste, shpresoj që edhe politikanët serbë  ti dominojnë emocionet  nacionaliste e të shohin përtej tyre.

 

“Ballkani fuçi baruti”, është kjo shprehja që i ka karakterizuar marrëdhëniet mes popujve të Ballkanit. Mund të themi se popujt ballkanik nuk e kanë lënë pas historinë dhe për provokimin më të vogël kjo “fuçi” mund të plasë ?

 

Natyrisht që e shkuara ka remnishencat e sajë në Ballkan, vështirë të thuash që e shkuara është lënë pas. Gjithsesi e vërteta është se sot kemi një Ballkan të ri dhe çdo sjellje politike duhet  të konsiderojë këtë realitet. Çdo investim tjeter është veçse kohë e humbur. Ballkanasit nuk mund të kenë zgjedhje tjetër përveç të ardhmes së përbashkët  e të integruar në BE e për këtë duhet të investojnë të gjithë. Duhen mbështetur projekte që na shtyjnë përpara jo ato që na mbajnë peng dhe besoj ky është rasti.

Ndërkohë që parë në një kontekst më të gjerë, që i kapërcen kufijtë e rajonit, stabiliteti i Ballkanit është shumë i rëndësishëm jo vetëm për ne cka do të thotë që përgjegjshmëria rritet.

 

 

 

3 komente në “INTERVISTA/ Velentina Leskaj: Politikanët serbë e kanë të vështirë të shkëputen nga e kaluara”

  1. - homeri- says:

    – e tepruam shume … aq qe bukuria e dronit … nje shaka ne beograd .. nuk ka ngelur njeri pa bere politik, po nejse kur politikanet tane jane nene mesataren e intelektualeve te rruges , keshtu do te ndodhe …

    1. Odiseu says:

      Per sa kohe qe droni do te vazhdoje te flututoje ne mendjet e politikaneve Serbe patjeter qe do te fluturoj edhe tek politikanet Shqiptare. Tit for tat. Welcome to Ballkan!

  2. Timi says:

    Ik moj laraske e peshtire

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje