Ligjin për Avokatin e Popullit, debate tek Ligjet mes Xhafajt e Totozanit

21 Tetor 2014, 15:24Politika TEMA

Diskutimi i disa ndryshimeve në ligjin “Për Avokatin e Popullit”, u shoqërua me debate në komisionin e Ligjeve, mes kryetarit Fatmir Xhafaj dhe Avokatit të Popullit, Igli Totozani.

Ky i fundit i kërkoi kryetarit të komisionit më shumë kohë për të parë ndryshimet që komisioni propozon për pr/ligjin në fjalë.

Drafti, që po diskutohet prej disa javësh në komision, nuk ka gjetur ende zgjidhje lidhur me kompetencën për zgjedhjen e komisionerëve të këtij institucioni.

Pr/ligji parashikon që për ndihmësit e Avokatit, Kuvendi të organizojë seanca dëgjimore me kandidatët, ndërkohë që deri tani kjo ka qënë një e drejtë e Avokatit.

Gjithashtu Komisioni i Ligjeve  vijoi me miratimin nen  për nen të projektligjit “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.

I pranishëm, në mbledhje ishte dhe Drejtori i Kabinetit në Ministrinë e Inovacionit dhe Administratës Publike, Lorin Ymeri.

Projektligji rregullon marrëdhëniet që krijohen në një proces të konsultimit publik, transparent, gjithëpërfshirës, të realizuar në kohë dhe efektiv ndërmjet organeve publike qendrore dhe vendore dhe palëve të interesuara, në procesin e vendimmarrjes së projektakteve si projektligje, dokumente strategjike kombëtare dhe lokale, si dhe politikave me interes të lartë publik.

Me propozim të relatores, Vasilika Hysi, u riformulua neni 10, ku përcaktohet se  “çdo organ publik cakton një person si koordinator të njoftimit dhe konsultimit publik i cili do të jetë përgjegjës për bashkërendimin dhe administrimin e përgjithshëm të punës për garantimin e së drejtës së njoftimit e të konsultimit publik të parashikuar nga ky ligj”.

Ndërhyrje u bënë dhe në nenin 15, pika a dhe b, ku tashmë përcaktohet se palëve të interesuara u jepet koha e arsyeshme për të dërguar pranë organit publik vendimmarrës komentet dhe rekomandimet e tyre:

a) brenda 25 ditëve pune nga data e njoftimit për procesin e njoftimit paraprak;

b) brenda 30 ditëve pune nga data e njoftimit për procesin e njoftimit e të konsultimit publik.

Relatorja Hysi tha se ky ndryshim do të shoqërohet me ndryshime dhe në pikën 2, të këtij neni, ku për akte veçanërisht komplekse ose të rëndësishme sipas vendimit të organit publik, afati për dërgimin e komenteve mund të zgjatet deri në 40 ditë punë nga data e njoftimit. Anëtarët e komisionit vendosën që të rishohin edhe njëherë disa propozime për ta miratuar në tërësi në mbledhjen e radhës.

1 komente në “Ligjin për Avokatin e Popullit, debate tek Ligjet mes Xhafajt e Totozanit”

  1. ed snobisti says:

    debat midis xhafajt dhe totos, po xhafa nuk paska thene gje fare dmth?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje