Afati i regjistrimit të studentëve në universitete do të jetë data 27 tetor, por nëse do të hasen probleme të mëdha gjatë regjistrimit të tyre, mund të ketë një shtyrje përtej afateve të përcaktuara deri tani nga Ministria e Arsimit.
Kjo është bërë e ditur nga zv/ministri i Arsimit Arbian Mazniku, në emisionin emëngjesit “Ditë e re”, ku gjithashtu tha se asnjë student nuk do të humbë vitet e arsimit për çështje afatesh.
“Angazhimi i Ministrisë së Arsimit dhe i bërë publik nga Ministrja Nikolla disa here, është që nuk do të lëmë asnjë student që të humbasë vite jetë dhe angazhimin e tij për çështje afatesh.
Por nga ana tjetër afati nuk vijon dot pafund. Deri tani do funksionojë me skenarin e datës 27 tetor, në qoftë se me datë 27 tetor do të shohim që ka probleme madhore, do t’a rishikojmë këtë datë.
Në fillim të skenarit ishte data 20 tetor, si rrjedhim të faktit që u vërtetua që një pjesë e studentëve të “Vitrinës” nuk kishte lista notash, ne morëm përsipër digjitalizimin e të gjithë regjistrave të studentëve të këtij universiteti”.
Mazniku deklaroi se janë bërë një sërë kallzimesh penale ndaj universiteteve të cilat u mbyllën për mungesë dokumentacioni, por edhe gjatë procesit janë bërë denoncime të vazhdueshme për shkeljet që janë hasur.
“Përgjegjësia kryesore është e universiteteve që u mbyllën, për të cilët kemi bërë disa herë kallzime penale disa herë. Sa herë që kemi gjetur një shkellje të re, kjo i është bërë me dije edhe Prokurorisë.
Që në momentin e parë pas raporti që çoi në mbylljen e tyre është bërë denocimi, edhe gjatë procesit të menaxhimit të situatës së mëpasme janë bërë disa kallzime të vogla, për gjithë procesin e mbajtjes se dokumentave zyrtare, për mashtrim , për fallsifikim të dokumentave.
Përgjegjia është e universiteteve, por edhe e studentëve deri diku, sepse ne momentin që hynë në marrëdhënie me një faktor duhet të sigurohet”.
Por me gjithë problemet e konstatuara në domentacionet e studentëve, Mazniku bëri të ditur se më pak se 300 studentë do të mbeten pa u regjistruar në arsimin e lartë, nga 6 mijë që janë gjithsej.
“Në të dhënat tona paraprake grupi i studentëve që nuk kanë numër matrikulimi, që do të ngelen jashtë sistemit është më i vogël se sa 300 studentë nga 6 mijë gjithsej”.