Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka komentuar korenspodencën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri me presidentit Bujar Nishani, në lidhje me shkeljet e disa gjyqtarëve.
Naço ka thënë se Tahiri i është drejtuar fillimisht Nishanit dhe jo atij vetë, që presidenti të mos pretendonte pastaj se po ushtrohet presion politik ndaj gjyqtarëve.
“Nëse ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të ma kishte dërguar mua letrën me vendimet me shkelje nga ana e gjykatave, presidenti do të pretendonte për presion politik mbi gjyqësorin” tha ministri në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”.
Sipas tij, reagimi i Nishanit nuk ishte korrekt.
“Ministri Tahiri është ndër ministrat tejet aktiv në funksionin e vet dhe shqetësimet e përditshme që merr nga shefat e policisë për mënyrën si operon sistemi gjyqësori i ka dhënë mundësinë t’i drejtohet Presidentit të Republikës. Presidenti është kreu i KLD, por është edhe një inspektoriat që shikon kërkesat. Nëse do më ishte drejtuar ministri Tahiri mua, presidenti do thoshte: Ministri ka filluar presion politik mbi gjyqësorin. Do duhej që presidenti të mos kthente këtë përgjigje por të thërriste ministrin e Drejtësisë dhe dy inspektoriatet të bënin një kontroll. Unë nuk besoj se të gjitha shqetësimet e ministrit qëndrojnë, por në ditët që vijnë Presidenti që drejton inspektoriatin dhe unë me inspektoriatin që drejtoj mund të bëjmë kontrolle të përbashkëta pa u mbivendosur me njëri-tjetrin. Nëse do m’i dërgonte mua ankesat unë do thoja që ka bërë një gabim, ai ka bërë zgjedhjen e duhur i është drejtuar kreut të KLD-së” theksoi Naço
Ministri i Drejtësisë nënvizoi se do të presë reagimin e Këshillit të Lartë të Drejtësië për të kontrolluar 25 vendimet konkrete të denoncuara nga ana e Tahiri, ndërsa i bëri thirrje presidentit të mos i shmanget përgjegjësive pasi është kreu i KLD.
“Unë do pres reagimin e KLD që të ushtrojë kontroll ndaj ankesave të ministrit. Presidenti nuk duhet t’i shmanget përgjegjësive të tij, është kreu i KLD dhe drejton një inspektoriat” nënvizoi Naço./b.l