Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj dorëzoi mëngjesin e së hënës në Kuvend projektbuxhetin e vitit 2015.
Në një deklaratë për mediat, Felaj tha se Qeveria dhe Parlamenti bashkëveprojnë me institucionet dhe grupet e interesit për të vendosur se si do të përdoren me sa më shumë efektivitet të ardhurat e mbledhura gjatë këtij viti, në 2015-ën.
Ministrja Felaj bëri të ditur se sektorët kryesorë që do të mbështeten nga qeveria janë arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura.
Miratimi i buxhetit 2015 brenda sesionit të vjeshtës, sqaroi ministrja Felaj, do të bëjë të mundur që të bëhet aktiv që në fillim të muajit janar.
“Qeveria i jep mundësi Parlamentit nëpërmjet dëgjesave publike të marrë vendime me qëllim përmirësimin e projektit”, tha ajo.
Ministrja Felaj njoftoi se në ditët në vijim do të prezantohet në Konferencën e Kryetarëve buxheti dhe paketa fiskale nga ministri i Financave për të shqyrtuar më pas në komisionet Parlamentare
Pak ditë më parë, ministri i Financave Shkëlqim Cani prezantoi disa nga objektivat e buxhetit të vitit 2015, duke renditur si kryesor mbështetjen e zhvillimit dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Cfarë parashikon p/buxheti
Në 2015-ën qeveria synon të mbledhë 43 miliardë lekë të ardhura më shumë. Sipas pr/buxhetit, të ardhurat totale rriten nga 367.9 miliardë lekë këtë vit në 410.9 miliardë vitin e ardhshëm ose në raprot me prodhimin e përgjithshëm bruto (PBB) në 27.5%, nga 26% që është pritshmëria për vitin 2014.
Shpenzimet buxhetore do të rriten lehtë, nga 31.2% e PBB-së në 2014-n në 31.5% vitin e ardhshëm.
Rritja e lartë e të ardhurave do ti mundësojë qeverisë të ulë defiçitin buxhetor në 4% të PBB-së, nga 5.2% që pritet të mbyllet në 2014-ën.
Projektbuxheti i vitit 2015 bën të mundur mbajtjen e një niveli 5.0% të investimeve publike, duke u fokusuar në fushën e ujit të pijshëm, energjisë, inovacionit; turizmit dhe infrastrukturës rrugore qëndrore e vendore.
Gjithashtu do vazhdohet me reformat strukturore në fushën e pensioneve, energjisë, ndarjes administrative dhe territoriale dhe tregut të punës.
Në krahun e shpenzimeve, sipas financave, shpenzimet totale shkojnë në 469.9 miliardë lekë nga 456.4 miliardë që janë këtë vit duke pësuar një rritje të lehtë, nga 31.2% e PBB-së në 2014-n në 31.5% vitin e ardhshëm.
Përveç detyrimit për të ulur borxhin, qeveria parashikon një rritje ekonomike prej 3.3 për qind vitin e ardhshëm. Ndërsa borxhi publik pritet të ulet në 71.7 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, për të vijuar uljen në 2016-n dhe për të zbritur në 65.5% të PBB-së në vitin 2017. /gj.k/