Gjyqtarja Flora Hajredinaj do të kryesojë trupën gjykuese që do të gjykojë vrasësin me pagesë Julian Sinanaj. Pjesë e trupës gjykuese në Gjykatën e Krimeve të Rënda do të jenë edhe gjyqtarët: Luan Hasneziri, Idriz Milkurti, Ardit Mustafa dhe Ilirjana Olldashi.
Prokuroria dorëzoi pak ditë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda dosjen për të akuzuarit e të ashtuquajturës “banda e tritolit”.
Mbi supet e Juljan Sinanajt rëndojnë akuza të rënda si akte terroriste, krijim të grupit të strukturuar kriminal, vrasje me pagesë, etj.
Por Sinanaj duket se do t’i shpëtojë dënimit me burgim të përjetshëm, pasi mban statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, çka lehtëson pozitën e tij përballë gjykatës.
Edhe Ndriçim Gjokona mban statusin e të penduarit dhe sikurse është vepruar dhe me të tjerë të “penduar” të bandave kriminale, edhe ky i fundit do të marrë një dënim te lehtë.
Duket se më të rënduarit përballë ligjit, do të jenë kushërinjtë Andon dhe Genis Mëhillaj, të cilët Julian Sinanaj i ka identifikuar si sekserë të tij. Në dëshminë e tij, vrasësi me pagesë ka pohuar se Andoni dhe Genisi i gjenin “klientët” prej të cilëve merrte porosi për të vrarë./gj.k/