Meta: Nuk ka zgjidhje për asnjë komb përveç asaj që të gjithë të respektojmë kufijtë dhe pakicat

4 Nëntor 2014, 13:29Politika TEMA

“Nuk ka asnjë zgjidhje për asnjë komb, përveç asaj që të gjithë të respektojmë kufijtë dhe të gjithë të respektojmë në raport me pakicat të njëjta standarde, standardet evropiane”.

Kështu u shpreh Kryetari i Kuvendit Ilir Meta gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën Rajonale “Integrimi rajonal i Ballkanit perëndimor, një shtytëse për rritje ekonomike dhe stabilitetin”.

Meta ka vënë theksin në domodoshmërinë e një bashkëpunimi më konkret në disa akse strategjike, që e kthejnë bashkëpunimin rajonal në një domosdoshmëri për të përfituar jo vetëm sa më shumë paqe dhe stabilitet, por edhe për të prodhuar sa më shumë mirëqenie dhe prosperitet

“Sfida jonë është se si bashkëpunimin rajonal ta kthejmë në një shtysë të fuqishme për zhvillimin dhe për progresin ekonomik e social të gjithë rajonit.

Ekonomia sot në botë para se të jetë globale, përsëri është rajonale.

Moszhvillimi ekonomik do ta kthejë rajonin  mbrapa, do të rrisë frustimin, do të zgjojë problemet etnike, do të na çojë në konflikte të paevitueshme.

Rajoni do të jenë konkurrent vetëm nëse harmonizohen praktikat e biznesit mes vendeve tona në mënyrë që të krijohet një treg i aftë për të tërhequr investime strategjike.

Në rast se çdo vend do të përpiqet të krijojë pengesa për tregtinë e lirë, do të shohë interesat e ngushta momentale të një grupi të caktuar apo dhe të vetë  vendit, do të dëmtojë besueshmërinë e këtij tregu si një treg rajonal

Është momenti që të prodhojmë më shumë bashkëpunim në mënyrë që të fitojmë atë kohë të humbur për shumë gjenerata dhe për rajonin dhe mbi të gjitha të fitojmë të ardhmen e fëmijëve tanë”, theksoi Meta.

Kryetari i Kuvendit tha se përgjegjësia jonë është për fëmijët tanë në radhë të parë, për gjeneratat që duan të jetojnë më mirë dhe në paqe të padiskutueshme, ashtu sikurse është e sigurtë që moszhvillimi ekonomik do ta kthejë rajonin  mbrapa, do të rrisë frustimin, do të zgjojë problemet etnike, do të çojë në konflikte të paevitueshme.

Në vijim Meta shtoi se shpesh interesat e ngushta çojnë në krijim konfliktesh jo transparente, të cilat pastaj mund të kthehen në përplasje midis vendeve të ndryshme apo qeverive të ndryshme.

Meta tha se historia na ka mësuar që Ballkani prodhon më shumë konflikt sesa konsumon, ndërsa theksoi se është momenti që të prodhohet më shumë bashkëpunim në mënyrë që të fitohet koha e humbur për shumë gjenerata dhe për rajonin dhe mbi të gjitha të fitohet e ardhmja e fëmijëve. /gj.k/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje